1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të krishterë koptikë dhe myslimanët përleshen në qytetin egjiptian të Aleksandrisë

Jyrgen Stryjak17 Prill 2006

Përfaqësues kryesorë të bashkësisë koptike kritikuan paraqitjen nga qeveria të ngjarjes, sipas së cilës përgjegjës për serinë e atentateve të së premtes është një person me të meta mendore

https://p.dw.com/p/ArLo
Të krishterë koptikë në Egjipt
Të krishterë koptikë në EgjiptFotografi: AP

Edhe të dielën përfaqësues të dy grupeve fetare zhvilluan përleshje të ashpra në rrugë në qytetin e Aleksandrisë. Në ditën e dytë radhazi myslimanët dhe të krishterët koptikë u sulën njeri tjetrit me shkopinj, gurë dhe thika. Ky shpërthim i dhunës ndodhi para njërës nga kishat, ku të premten besimtarë koptikë u sulmuan me thika.

Kishën e mbrojtën të dielën gjatë meshës rreth 2 mijë policë. Menjëherë pas meshës, rreth 200 besimtarë të rinj e lanë godinën dhe u përpoqën të çajnë unazën e rrethimit të policisë. Ata mbanin në duar thika, shkopinj dhe kryqe të mëdha. Nga shtëpi pranë kishës u hodhën shishe me lëndë plasëse. Forcat e policisë përdorën gazin lotsjellës kundër të rinjve. Një grup me sa duket protestuesish myslimanë e sulmoi turmën në të njëjtën kohë.

Sipas njoftimeve të agjencive të lajmeve, ndërkohë një grup banorësh të qytetit port u përpoqën t'i bindin protestuesit të tregohen të matur dhe ruajnë paqen. Por pa sukses. Të paktën pesë të rinj, myslimanë dhe të krishterë, u plagosën në përleshje.

Pak para fillimit të fundjavës - ndoshta në një aksion të koordinuar tri burra sulmuan gjatë meshës tri kisha dhe goditën pa dallim besimtarët. Njëri nga viktimat, një 78 vjecar vdiq disa orë më vonë nga plagët që i kishte shkaktuar dorasi 25 vjeçar. Autoritetet e karakterizojnë 25 vjecarin si person me të meta mendore. Shumë koptë shohin në këtë një përpjekje për të fshehur shkaqet e vërteta të goditjeve me thika.

Në varrimin e 78 vjeçarit, në të cilin morën pjesë rreth 3 mijë koptë, që të shtunën pati përleshje midis myslimanëve dhe koptëve. Një kopte u dërgua me plagë të rënda në kokë në spital, ku vdiq të dielën. Të paktën 22 vetë u plagosën, disa automjete morën flakë.

Parlamenti egjiptian ka formuar ndërkohë një komision për hetimin e ngjarjeve. Guvernatori i Aleksandrisë tha se do të përpiqet me ndihmën e vëllazërisë me influencë myslimane të qytetit ta qetësojë gjendjen e tensionuar. Kjo vëllazëri i dënoi me ashpërsi sulmet me thika. "Ne to ne shohim një sulm ndaj gjithë egjiptianëve, myslimanë dhe koptikë," bëri të ditur organizata.