1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të drejtat e grave të drejta njeriu edhe për Turqinë

Ulrich Pick15 Nëntor 2006

Të drejtat e grave janë të drejta të njeriut - këtë parim arritën ta mbrojnë organizatat turke të grave me rastin e refomave të mëdha ligjore në Turqi. Por tani ato duhet të vihen në praktikë

https://p.dw.com/p/Ar9o
Të reja turke
Të reja turkeFotografi: picture-alliance/dpa

Të drejtat e grave në Turqi janë një temë shumë komplekse, e vështirë dhe para së gjithash kontradiktore. Për këtë temë bisedohet rregullisht në konferenca, tribuna apo shfaqje kulturore si përshembull gjatë Festivalit të Filmit të Grave në Ankara i cili organizohet nga organizata me emrin e shquar 'uçan süpürge' që do të thotë 'fshesat fluturuese'.

Kur bëhet fjalë për të drejtat e grave në Turqi nuk mendohet gjithnjë për të njëjtën çështje. Ndërkohë që shumica e shoqatave të grave me këtë mendojnë angazhimin kundër praktikimit të dominimit të burrave në shoqëri, aktivistet islamike të drejtat e grave i kuptojnë edhe si të drejta për mbajtjen e një shamie koke gjatë studimeve apo ushtrimit të detyrës në një sektor shtetëror.

Andaj nuk është për habi që roli i gruas për kryeministrin religjioz Erdogan është i pandashëm nga vlerat konservative islamike: "Bashkimi i politikës së grave dhe politikës së familjes nuk guxon të shpërfillet. As burri e as gruaja nuk mund të trajtohen të ndarë nga familja. Partia konservative demokratike AK nuk i trajton burrin dhe gruan ndaras nga familja. Kjo nuk është shpifje kundër individit apo e drejtë individuale", sqaron Erdogan.

Megjithatë nuk mund të thuhet se mendimi i kryeministrit është mendim i shumicës në Turqi. Edhe pse anketat e bera tregojnë që shumë, bile edhe gra moderne turke e pranojnë pahezitim dominimin e burrave në shoqëri, prapëseprapë numri i grave që angazhohen për të drejta të barabarta është gjithnjë e në rritje. Fal angazhimit të tyre sot në Turqi diskutohet gjithnjë e më shpesh për temat që deri tani ishin tabu, si vrasjet e nderit dhe martesat e detyruara.

Edhe pse kjo nuk do të thotë se ka rënë numri i këtyre krimeve, thotë regjisorja Eylem Kaftan: "Vrasjet e nderit janë vetëm maja e Ajsbergut. Në të vërtetë ka shumë rrugë që grave t'u plaçkitet liria e jetës. Shpërblimet në para për martesat e tyre, martesat e detyruara, qëndrimi si grua e dytë në shtëpinë e burrit, mosdërgimi i vajzave në shkollë etj. Pikërisht në juglinjde të vendit ka shumë gra që janë ende larg asaj që jetën e tyre ta jetojnë sipas dëshirave dhe ëndërrave të tyre", sqaron Kaftan.

Vetëm gjatë pesë viteve të kaluara, kështu njofton një komision hetimor shtetëror, janë regjistruar 1100 tentativa apo vrasje nderi. Ashtu si më parë gjendja më e rëndë paraqitet në juglindje të Turqisë.

Ja si shprehen atje disa burra:"Gratë duhet të rrinë në shtëpi. Dhe nëse dalin në rrugë atëherë duke e ruajtur nderin e jo të dalin të veshura lehtë".

"Zoti më ka falur burrë në mënyrë që të mbaj gruan dhe të kujdesem për të. Përse një grua duhet të ketë një punë".

Në rrethana të tilla sociale ku dominojnë pikëpamje të tilla, nuk është çudi që vrasjet e nderit dhe martesat e detyruara janë të shpeshta. Megjithatë fal angazhimit jo të parrezik të grave ndërkohë jo vetëm që flitet hapur për këtë çështje por edhe politika ka filluar të ndërhyj gjithnjë e më shumë. Dënimet ligjore për vrasjet e nderit kohëve të fundit janë ngritur shumë.