1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sërish pa rezultate konkrete takimi Thaçi-Vuçiq në Bruksel

8 Nëntor 2018

Sërish pa rezultate konkrete takimi Thaçi-Vuçiq në Bruksel. Ndërmjetësuesja e BE-së Federica Mogherini ka kërkuar që palët të sigurojnë një ambijent të mirë për dialog dhe të përmbahen nga fjalori.

https://p.dw.com/p/37vk0
Brüssel EU-Kommission | Hashim Thaci, Federica Mogherini & Aleksandar Vucic
Fotografi: Europäische Kommission

Dialogu i nivelit të lartë mes presidentit  të Kosovës Hashin Thaçi dhe Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq nuk duket se ka sjellë ndonjë rezultat drejt qëllimit të normalizimit të marrëdhënieve midis palëve apo arritjes së një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme. Ndërkohë që Vuçiq e vuri theksin në "zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara nga Kosova",  Thaçi e përshkroi diskursin e presidentit serb si agresiv dhe arrogant.

Presidenti i Serbisë i quajti "të jashtligjshme në kuptimin e plotë të fjalës" vendimin e qeverisë së Kosovës për futjen e tarifës prej 10 për qind për importet serbe dhe të Bosnje e Hercegovinës si dhe deklaratat e kryeministrit të Kosovës se njësitë e FSK-së do të vendosen në Veri të Kosovës. Këto deklarata presidenti Thaçi nuk i komentoi, duke thesuar, se se nuk i diskuton në Bruksel vendimet lokale. Më tej Thaçi takimin e quajti jo të lehtë me shumë ballafaqime në përpjekje për të arritur, apo hapur rrugën për arritjen e një marrëveshjeje finale mes të Kosovës dhe Serbisë "ligjërisht obligative, që nënkupton njohjen reciproke mes të dy shteteve dhe antarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara".

Sa i përket antarësimit eventual të Kosovës në OKB, Vuçiq nuk u përgjigj, por tha se një herë duhet të shihet se çka fiton Serbia, "pastaj flasim për të tjerat". Për atë se çfarë kërkon Serbia si kompensim, Vuçiq tha se këtë e dinë të gjithë këtu. "Këtë e di Bashkimi Evropian dhe këtë e dinë negociatorët nga Prishtina".

Thaçi theksoi, se tash është një moment, që duhet të shfrytëzohet që të arrihet njohja nga Serbia për Kosovën, është momenti i ballafaqimit dhe tejkalimit të kësaj pengese të madhe të quajtur Serbia dhe Aleksandar Vuçiq. Përballë një ofensive arrogante të tyre në raport me shtetin e Kosovës". Thaçi ishte optimist, se Kosova do t'ia dalë: "Unë mbetem me shpresë, se me një përfaqësim me bazë më të gjërë politike Kosova siç ja ka dalë edhe më herët do t'ia dalë edhe kësaj rradhe".

Ndërsa sa i përket fushatës serbe kundër njohjeve të Kosovës dhe nëse kjo është në frymën e normalizimit të marrëdhënieve, Vuçiq theksoi "kjo është në frymën e normalizimit" dhe se Serbia mburret me këto veprime. Ai nënvizoi sërish: "Në cilën marrëveshje thuhet se ne nuk duhet të lobojmë kundër pavarësisë së Kosovës dhe antarësimit të saj në organizata ndërkombtare".

Ndërmjetësuesja e BE-së Federica Mogherini përmes një kumtese njoftoi që nga palët ka kërkuar të sigurojnë një ambijent të mirë për dialog dhe që palët të përmbahen nga fjalori veprimet dhe masat që janë në kundërshtim me frymën e normalizimit.

Ndërmjetësuesja Mogherini gjithashtu theksoi, se palët kanë diskutuar hapat e domosdoshëm për të ecur përpara dhe se vendosën të mbeten në kontakt konstant në ditët në vazhdim që të diskutojnë veprimet përcjellëse nga takimi.

Sa i përket takimit të ardhshëm çdo gjë mbetet e paqartë. Vuçiq la të nënkuptohet, se pret tërheqjen e vendimit për taksë 10 për qind para se të vazhdohet dialogu. "Ne gjithmonë jemi të gatshëm të bisedojmë për gjithçka, të bisedojmë për të ardhmen, për kompromise, përkundër presionit të madh brenda Serbisë. Mirëpo ne nuk jemi të gatshëm të diskutojmë me dikën që ju mashtron çdo ditë".

"Askush nga ne nuk do të vijë më këtu përderisa ata të mos tërheqin vendimet e tyre joligjore", theksoi Vuçiq duke iu referuar tarifës për 10 për qind dhe deklaratave për vendosjen e njësive të FSK-së në Veri të Kosovës. Në anën tjetër Thaçi tha se për Kosovën dialogu nuk ka alternativë.