1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

SWIFT: Heiko Maas për fundin e dominancës amerikane

Jo Bryan Harper
30 Gusht 2018

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Mass dëshiron që Gjermania dhe Europa të bëhen të pavarura nga Shtetet e Bashkuara. Një sistem ndërkombëtar pagimi i BE do të ishte një mundësi, por sa shanse do të kishte ai?

https://p.dw.com/p/33z3g
Berlin - PK Heiko Maas und Ditmir Bushati
Fotografi: picture-alliance/AA/A. Hosbas

Puna për një sistem europian të kryerjes së pagesave të pavarur nga sistemi dominues ekzistues ndërkombëtar, SWIFT ka filluar ndërkohë. Kështu u shpreh ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas në hapje të konferecës së ambasadorëve në Ministrinë e Jashtme në Berlin. "Ne duhet të rrisim pavarësinë e Europës dhe sovranitetin në politikat tregtare, ekonomike dhe financiare", tha Maas. "Nuk do të jetë e lehtë, por kemi filluar ndërkohë ta bëjmë."

Christopher Bovis, profesor për të drejtën ndërkombëtare të biznesit në Universitetin Hull në Britaninë e Madhe, thotë se kjo ka filluar që më parë. "Komisioni Europian ka qenë duke zhvilluar një sistem, një sistem paralel me SWIFT, i cili i lejon Iranit të lidhet me sistemet financiare europiane, sistemet europiane të kleringut, të nxitura e mbështetura nga Banka Europiane e Investimeve e bazuar në euro", tha Bovis për Deutsche Wellen.

Komentet e ministrit të Jashtëm gjerman pasojnë artikullin e shkruar për gazetën ditore Handelsblatt së fundmi, mbi strategjinë e ardhshme të Gjermanisë drejt Shteteve të Bashkuara. "Ka ardhur koha të rivlerësojmë partneritetin tonë...Europianët duhet të bëhen shtyllë mbështetëse e rendit botëror, një partner, për të gjithë ata që duan të angazhohen për këtë rend", shkroi Maas.

Logo Swift
Fotografi: picture-alliance/ dpa

Kancelarja gjermane, Angela Merkel e mbështeti thirrjen e Maas për një rol më të fortë të BE dhe më shumë unitet, por u shpreh me kujdes ndaj planeve për një alternativë europiane të sistemit SWIFT. Ajo pranoi se sanksionet amerikane për Iranin kanë shkaktuar probleme lidhur me sistemin SWIFT, por shtoi, se "në të njëjtën kohë, ne e dimë që marrëveshja SWIFT është shumë e rëndësishme, veçanërisht në çështjet e financimit të terrorizmit."

Sistemi SWIFT dhe Irani

Shoqëria për Telekomunikacionin Ndërbankar Financiar Botëror, (SWIFT) është e lidhur me 10.000 banka dhe çdo sekondë përmes saj kalojnë kufijtë transferta të konsiderueshme. Me bazë në Belgjikë, SWIFT shprehet se ruan neutralitetin politik, por shoqëria iu nënshtrua influencimit amerikane në të shkuarën duke bllokuar tranfertat në Kubë dhe Iran. Pas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001, Departamenti i Thesarit në SHBA përdori të dhëna të këtij sistemi për të pasur dijeni mbi financimin e terroristëve. Ndërsa tani, nëse nuk bëhet ndonjë përjashtim, SWIFT do t'i kërkohet nga amerikanët që të shkëpusë bankat iraniane nga sistemi më 4 nëntor, ndryshe do të ndeshet me kundërmasat amerikane. Ndërkohë disa kompani europiane janë tërhequr nga Irani.

Megjithatë ka edhe nga ata që sanksionet i shohin si mundësi për të zhvilluar krypto-valutën. Mohamad Reza Purebrahimi nga Komisioni Parlamentar Iranian për Çështjet Ekonomike thotë, se Rusia ndërkohë ka rënë dakord të përdorë sistemet e decentralizuara finanicare si krypto-valutën për të kryer transaksione me Iranin. Ndoshta edhe metoda të dikurshme mund të rivihen në përdorim. Dy akademikë Esfandyar Batmanghelidj dhe Axel Hellmann kanë argumentuar se gjatë bllokimit të sistemit SWIFt në vitet 2012-2016, disa banka europiane i ruajtën lidhjet e tyre financiare me Iranin duke përdorur "sistem ad hoc mesazhimi", gjë që mund të rigjallërohet sërish.

SWIFT Bank in Brüssel Belgien Luftaufnahme
Qendra e SWIFT në BrukselFotografi: AP

Shqetësime të tjera

Por me sa duket problemet shkojnë përtej teknologjisë dhe çështjeve logjistike. Profesori anglez Christopher Bovis thotë se "për momentin ne jemi në rrugën e përplajes frontale të dy kontinenteve, ndërmjet dy sistemeve ekonomike.  Dhe përdorimi i sistemit rregullator financiar, përfshi edhe SWIFT, përfshi pagimin dhe sistemin e kleringut është përdorur zakonisht për të promovuar interesat ekonomike dhe diplomatike të SHBA. Tani BE po përgjigjet me sukses."

Bankat gjermane përfshirë edhe Bankën Federale të Gjermaninë bëjnë biznese në SHBA dhe janë të varura nga akcesi në tregjet amerikane të kapitalit për rifinancim. Thorsten Benner, drejtor i Institutit "Global Public Policy" me qendër në Berlin i tha Deutsche Welles, se "SHBA me siguri do të kërkojë të përçajë dhe të shantazhojë BE. Një sistem i pavarur i BE me imunitet ndaj sanksioneve amerikane perceptohet nga administrata e Trumpit si kërcënim i interesave kyç amerikane."

Përveç kësaj, bordi i SWIFT-it ka si anëtarë 25 bankat më të mëdha botërore, përfshirë edhe dy amerikane, Citigroup's Yawar Shah dhe J.P Morgan's. Pra shihet se ka pak gjasa që Trump të bllokojë dy banka amerikane në bizneset e tyre. Sipas Thorsten Benner, BE luajti njëkohë të gjatë për sa kohë ishte në interesin e saj, por po bën një hap pas, tani kur sanksionet prekin BE dhe interesat e saj të politikës së jashtme.