1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sulmi i përgjakshëm në Irlandën e Veriut në gazetat gjermane të së hënës

9 Mars 2009

Shtypi i sotëm gjerman fokusohet ndër të tjera tek sulmi i përgjakshëm që ndodhi në fundjavë në Irlandën e Veriut, i cili shkaktoi vdekjen e dy ushtarëve britanikë dhe plagosjen e katër personave civilë

https://p.dw.com/p/H8iQ
Fotografi: picture-alliance/dpa


Në gazetën Financial Times Deutschland lexojmë:

"Për shumë njerëz ky sulm ishte vetëm një çështje kohe. Gjatë muajve të fundit disidentët kryen shpesh sulme kundër policisë. Madje përpara pak javësh policia gjeti një bombë rreth 140 kg pranë një kazerne ushtarake. Në fillim të javës së kaluar, shefi i policisë kishte paralajmëruar nga rreziku i një sulmi që do të kishte përmasa të rënda. Edhe policia britanike i kishte ashpërsuar masat e sigurisë. Përpara jo shumë kohësh u publikua lajmi se gjatë viteve 2007 dhe 2008, shërbimi sekret britanik përqëndroi 15% të aktiviteteve të tij në Irlandën e Veriut. Pra diçka dinin prej kohësh."


Gazeta Braunschweiger Zeitung komenton:

"Me sulmin që ndodhi në fundjavë, nga i cili humbën jetën dy ushtarë britanikë, nuk kthehet e kaluara, sepse historia nuk përsëritet. Por frika u rikthye, frika se grupime të vogla dhe njerëz të çoroditur që nuk e duan procesin e paqes, do të kërkojnë tani viktima. Dhe këto viktima nuk do të jenë vetëm ushtarët britanikë, por edhe armiq të tjerë të mundshëm në të gjitha frontet. Si nga rradhët e protestantëve, ashtu edhe nga ato të katolikëve ka ende hesape të palara. Paqja do të mbahet vetëm në rast se përgjegjësit për këtë sulm nuk do të përfshihen nga ndonjë dallgë histerie, që mund të shkatojnë tani disa të tjerë të pakët."

Dhe në gazetën Märkische Zeitung lexojmë:

"Procesi i paqes në Irlandën e Veriut vihet në provë nga sulme të tilla, por nuk përfundon dot kaq lehtë. Përparimet që janë zhvilluar qysh prej vitit 1998 nuk mund të injorohen. Pikërisht këtë gjë duhet t´ia bëjnë të qartë popullit politikanët në mbarë vendin."


S.Sand