1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sulmi ajror në Kundus - Guttenberg merr përsipër përgjegjësinë për vlerësimin e gabuar!

23 Prill 2010

Ministri gjerman i Mbrojtjes, zu Gutenberg duhej të shpjegonte para komisionit hetimor, pse e ndryshoi vlerësimin për sulmin ajror, nga ushtarakisht me vend në një sulm jo me vend, që nuk duhej të kishte ndodhur

https://p.dw.com/p/N3xI
Paraqitja para komisionit hetimorFotografi: picture-alliance/dpa

Kjo javë është java më e vështirë dhe më e rëndësishme në karrierën e deritanishme të ministrit gjerman të Mbrojtjes, Karl-Theodor zu Guttenberg. Të premten e shkuar ai shoqëroi pesë ushtarët e plagosur gjermanë nga Afganistani për në Stamboll. Këtë të shtunë ai do të marrë pjesë në ceremoninë e përmortshme për katër ushtarët e vrarë të Bundesverit në Afganistan. Në mes të këtyre dy ngjarjeve - atij të enjten i duhej të ulej përballë deputetëve të komisionit hetimor të Bundestagut për të dëshmuar lidhur me sulmin ajror të urdhëruar nga një epror i Bundesverit në Kundus në 4 shtator të vitit të kaluar, ku ndër 142 të vrarët nuk pati vetëm talibanë, por edhe shumë civilë. Guttenbergu duhet të shpjegonte pse e ndryshoi vlerësimin për sulmin ajror, nga ushtarakisht me vend në një sulm jo me vend, që nuk duhej të kishte ndodhur. Guttenberg merr përsipër përgjegjësinë për vlerësimin e gabuar.

Një ministër i qetë me letër të përgatitur mirë

Bundesverteidigungsminister Karl-Theodor zu Guttenberg Kundus-Untersuchungsausschuss
Karl-Theodor zu Guttenberg, ministër i MbrojtjesFotografi: picture-alliance/dpa

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Karl-Theodor zu Gutenberg nuk shfaqi asnjë shenjë nervoziteti kur hyri në sallën, ku zhvillohej seanca e marrjes në pyetje nga komisioni hetimor parlamentar. I qetë dhe i relaksuar u paraqit ai para deputetëve dhe një numri të madh gazetarësh. Kjo, megjithëse akuzat kundër tij peshojnë fort. Rainer Arnold, përfaqësues i socialdemokratëve në komisionin hetimor para marrjes në pyetje u shpreh: "Që prej katër muajsh e gjysmë, ministri i Mbrojtjes i ka borxh disa sqarime opinionit gjerman. Deri ditën e sotme qëndron akuza e rëndë, se ministri i Mbrojtjes, nuk e ka si shumë seriozisht me përkushtimin ndaj së vërtetës. Kjo do të thotë që është momenti për fakte, fakte, fakte."

Pse ndryshoi qëndrim Ministri gjerman i Mbrojtjes, Karl-Theodor zu Gutenberg?

Por faktet që paraqiti Guttenbergu i mjaftuan vetëm deputetëve të fraksioneve në koalicionin qeverisës. Ernst-Reinhard Beck, përfaqësuesi i Unionit kristiandemokrat në komisionin hetimor ishte i kënaqur me përgjigjet: "Për ne ishte një paraqitje bindëse e ministrit të Mbrojtjes. Për një orë e gjysmë në një paraqitje të përmbledhur ai shtjelloi arsyet që e bënë të ndryshojë qëndrim, nga vlerësimi fillestar i sulmit ajror në Kunduz, si një sulm ushtarakisht me vend - në një vlerësim tjetër politik, atë të sulmit ushtarakisht jo me vend."

Për 75 minuta Gutuenberg-u paraqiti versionin e tij të përgatitur me shkrim. Ai e kishte vlerësuar sulmin ajror në fillim si "ushtarakisht me vend", sepse pak pas marrjes së detyrës si ministër i Mbrojtjes nuk kishte qenë i informuar në mënyrë të mjaftueshme. Kështu ai nuk kishte pasur dijeni për një raport gjerman mbi sulmin ajror, të përgatitur nga policia ushtarake, por vetëm për një raport të NATO-s. Vetëm pas disa kërkesave, Inspektori i Përgjithshëm, Schneiderhahn dhe Sekretari i Shtetit, Wichert i kishin ofruar raportin. Ky rast bëri që të thyhej besimi tek këshilltarët e tij, të cilët ai si pasojë më vonë i liroi nga detyra.

Flash-Galerie Deutschland 100 Tage schwarz-gelb Kundus
Pamje nga Kundusi, një ditë pas sulmit ajror nga ushtarët gjerman, 05.09.2009Fotografi: AP

Kur u informua më mirë, sipas Guttenberg-ut, ai e korrigjoi vlerësimin për sulmin ajror si "jo ushtarakisht me vend". Këtë vlerësim ministri i Mbrojtjes e ritheksoi para komisionit. Nuk shtrohet për diskutim që sulmi ajror nuk duhej të kishte ndodhur. Gjatë marrjes në pyetje, Guttenberg-u i referohej deklaratave publike të tij, shfletonte raportin dhe lexonte pasazhe të tij.

Opozita mbeti e pakënaqur

Deputeti i të gjelbërve, Omid Nouripuur u shpreh i zemëruar për këtë taktikë vonimi:"Është interesante të shihet se zotëri "Qartësia" mbahet fort pas asaj që i është përgatitur me shkrim, pra politikani më elokuent i vendit nuk jep asnjë përgjigje, pa parë letrën para tij, kjo jo vetëm që nuk tregon siguri, po këtë nuk prisnim prej tij. Një gjë e tillë është shumë e dëmshme për imazhin e zotëri "Qartësisë."

Për opozitën kundërshtitë nuk u sqaruan. Deputetët e partisë socialdemokrate, asaj të Gjelbër dhe të partisë së Majtë bënë të ditur se do të vazhdojnë të punojnë për sqarimin e kësaj çështjeje. Përfaqësuesit e Unionit dhe ata të partisë liberale i dolën në mbrojtje ministrit të Mbrojtjes dhe u përpoqën të pengonin pyetjet që vinin nga opozita. Pati momente aq të nxehta gjatë zhvillimit të seancës, saqë për një kohë ajo u ndërpre. Vetëm pasi u bë e qartë, se cilat pyetje duheshin bërë, vazhdoi seanca e komisionit hetimor për sulmin ajror në Kunduz.

Autor: Bettina Marx / Lindita Arapi

Redaktoi: Esat Ahmeti