″Sulm nën ombrellën e Gjykatës së OKB-së″ - Izraeli nuk pranon udhëzimin nga Haga për shembjen e gardhit të sigurisë | Bota | DW | 11.07.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

"Sulm nën ombrellën e Gjykatës së OKB-së" - Izraeli nuk pranon udhëzimin nga Haga për shembjen e gardhit të sigurisë

Në Tel Aviv sot në mëngjes është sulmuar me bombë një autobus linje. Si pasojë e shpërthimit gjeti vdekjen një pasagjer dhe mbi 20 të tjerë u plagosën. Përgjegjësinë për këtë atentat e kanë marrë mbi vete palestinezët e brigadave të Al Aksës. Kryeministri Ariel Sharon e dënoi këtë sulm duke kritikuar edhe kërkesën e Gjykatës Ndërkombëtare, e cila udhëzoi rëzimin e murit bllokues në Jordanin Perëndimor.

Muri mes Izraelit dhe Palestinës në Jeruzalem

Muri mes Izraelit dhe Palestinës në Jeruzalem

Për qeverinë e Izraelit sulmi terrorist i palestinezëve të djelën është një dëshmi tjetër që Izraeli t´i përmbahet projektit për ndërtimin e brezit bllokues në Jordanin Perëndimor. Një grua gjeti vdekjen dhe 20 të tjerë u plagosën në mëngjes rreth orës 7 ndërsa shpërtheu lënda eksplozive në afërsi të stacionit të një autobusi linje në Tel Aviv.

Ky ishte sulmi i parë sipas kryeministrit Ariel Sharon që ndodh "nën ombrellën e Gjykatës Ndërkombëtare": "Të premten lufta kundër terrorizmit pësoi një goditje me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë, e cila vendosi që të prishet gardhi i sigurisë. Dua të bëj të qartë, se shteti i Izraelit nuk e pranon këtë vlerësim të Gjykatës Ndërkombëtare, sepse ky është një vendim i njëanshëm dhe i bazuar në motive politike."

Ekspertiza ligjore injoron plotësisht arësyet për ndërtimin e gardhit të sigurisë nga ana e Izraelit, nënvizoi Sharon. Nëse nuk do të kishte terror nga palestinezët, atëherë nuk do të ishte i nevojshëm ndërtimi i murit izolues. Këtë palesitnezët e dëshmuan sërish sot u shpreh Sharon: "Palestinezët luftojnë jo pa qëllim kundër ndërtimit të këtij muri bllokues. Ata e dinë mirë, se gardhi i sigurisë do t´ua vështirësojë atyre punën për të kryer aksione të mëtejshme vrasëse."

Izraeli nuk do t´u përgjigjet udhëzimeve të Gjykatës për të prishur gardhin e sigurisë. Përkundrazi. Përfaqësitë izraelite jashtë vendit kanë marrë udhëzim që të kërkojnë mbështetjen e vendeve mike të Izraelit për të penguar që OKB-ja të vendosë sanksione kundër vendit të tyre.

Në Jeruzalem mbizotëron besimi, se SHBA do të vendosin veton në Këshillin e Sigurimit për të penguar vendosjen e sanksioneve. Gjithashtu pala izraelite po përpiqet që të bindë shtetet perëndimore, vecanërisht ato të BE-së, që të pengojnë dënimin e Izraelit në Mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Sharon iu drejtua këtyre vendeve me një apel sot në hapje të mbledhjes së kabinetit qeveritar në Jeruzalem: "Ekspertiza ligjore nga Haga jep një mesazh vdekjeprurës. Ky vendim inkurajon terroristët dhe drejtohet kundër atyre vendeve që mbrohen nga terrorizmi. Kushdo që ka frikë nga epidemia e terrorit duhet të jetë në anën e Izraelit dhe të kërkojë zhdukjen e kësaj ekspertize amorale. Cdo njeri i kultivuar, për të cilin është e rëndësishme lufta kundër terrorizmit duhet të jetë në anën e Izraelit dhe ta hedhë poshtë këtë vendim të rezikshëm."

Por Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan, i bëri thirrje Izraelit që ta pranojë këtë vendim të Gjykatës Ndërkombëtare.

Ndërkaq përgjegjësinë për atentatin e së djelës e kanë marrë mbi vete palestinezët e brigadave të Al Aksës. Ky aksion ishte hakmarrje për sulmet e ushtrisë izraelite në Nablus, deklaroi një zëdhënës i grupit radikal palesatinez. Grupi Al Aksa formalisht është pjesë e lëvizjes Fatah të Jaser Arafatit, por vepron i pavarur prej saj dhe është i përbërë nga grupe të vogla të përcara, të cilat nuk mund të vihen nën kontroll. Në Veri të Jordanit perëndimor këto grupe ndodhen nën influencën direkte të milicëve shiitë Hisbollah në Liban. Ditën e shtunë Hisbollah deklaroi, se gardhin e sigurisë në Jordanin Perëndimor nuk do ta rëzojë vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare, por vetëm rezistenca e armatosur. Udhëheqja palesitneze në Ramallah ka frikë, se veprimet e mëvetsishme të grupeve të përcara të Al Aksës mund të dëmtojnë suksesin diplomatik që kanë arritur palesitnezët ditën e premte.

  • Data 11.07.2004
  • Autor Betina Marks
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArSk
  • Data 11.07.2004
  • Autor Betina Marks
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArSk
Reklamë