1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kaliforni: Sulm me armë - 12 të vdekur e shumë të plagosur

8 Nëntor 2018

Një person i armatosur ka hapur zjarr ndaj të rinjve që festonin në një bar në Kaliforni, duke lënë të vrarë 12 vetë, mes të cilëve dhe zëvendës-sherifin.

https://p.dw.com/p/37tPv
USA Schießerei Thousand Oaks Kalifornien
Fotografi: Reuters/N. Steinwender

Të rinjtë po festonin në një lokal kërcimi në një zonë të qetë periferike në Los Angeles, kur personi i armatosur qëlloi me armë dore banakieren, hodhi një bombë për të lëshuar tym dhe qëlloi me breshëri ndaj njerëzve.

Forcat e sigurisë që mbërritën një orë më vonë gjetën në lokal 12 të vdekur, mes të cilëve dhe zëvendës-sherifin, i cili ishte i pari që hyri në bar pas telefonatave që lajmëruan për ngjarjen. Zëvendësherifi u gjend me disa plumba në trup. Policia tha, se sulmuesi është eliminuar, duke mos bërë të ditur në ç'mënyrë. Numri i saktë i të plagosurve nuk dihet, po mendohet që në spitale të ndryshme të zonës të jenë dërguar 10 deri 15 të rinj të plagosur. Mosha mesatare e të rinjve në lokal ka qenë 20 deri 26 vjeç.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23.20 në lokalin "Borderline” të qytetit Thousand Oaks. Studentët ishin duke festuar një aktivitet dhe në kohën e ngjarjes në lokal ndodheshin rreth njëqind vetë. Policia po mbledh dëshmitë nga njerëzit që ndodheshin në vendin e ngjarjes dhe nuk ka dhënë ende detaje mbi vrasësin. Disa flasin për një person që dukej sikur të ishte nga Lindja e Mesme, dikush tjetër tha se ai ishte i bardhë. Të tmerruar njerëzit kanë thyer me karrige dritaret dhe janë munduar të dalin prej andej, kur vrasësi ka lëshuar me breshëri rreth 30 të shtëna. Forcat e sigurisë po merren me zbardhjen e ngjarjes dhe kujdesin për të rinjtë që janë në shok.

(afp, dpa, ap, rtr)