Suksesi i Beatles filloi në Hamburg | Shoqëria & Kultura | DW | 16.08.2010
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Shoqëria & Kultura

Suksesi i Beatles filloi në Hamburg

Muzikantët mbërritën të lodhur dhe të djersitur në Hamburg me një makinë të vjetër, rakitike. Në gusht të 1960 ata bënë 1300 km për të ardhur nga Liverpuli në Hamburg.

Skulptura e Beatles në Hamburg

Skulptura e Beatles në Hamburg

Muzikantët mbërritën të lodhur dhe të djersitur në Hamburg me një makinë të vjetër, rakitike. Në gusht të 1960 ata bënë 1300 km për të ardhur nga Liverpuli në Hamburg, ku u kthyen nga një grup, që këndonte në bodrumet e qytetit, në grupin më të madh pop të të gjitha kohrave, një grup që u gdhend në kujtesën muzikore të disa brezave. 50 vjet më parë, më 17 gusht 1960, Beatles dhanë për herë të parë koncert në Hamburg, në një lokal striptizmi. Ky ishte fillimi i një karriere të pashembullt.

Georges Fotografi nga Astrid Kirchherr

Georges Fotografi nga Astrid Kirchherr

Tifozët dhe ekspertët e muzikës janë sot të një mendjeje: Në Hamburg Beatles u zhvilluan dhe u poqën për t'u kthyer në një grup të jashtëzakonshëm muzikor. "Në skenë ata ishin plot energji. Gjithë forcë. Dhe natyrisht dukeshin shumë mirë," thotë sot fotografja Astrid Kirchherr duke kujtuar shfaqjet e Beatles në klubin e errët Indra. Fotografitë, që ajo ka bërë në atë kohë, numërohen sot ndër fotografitë klasike të fotografisë së rokut.

Falë rastësisë djemtë liverpulas u kthyen në "grup" në lagjen me drita të kuqe të Hamburgut. Pronari i klubit Indra kërkonte një grup të ri britanik për të joshur klientët, që të vinin në lokalin e tij.

Hapat e parë muzikorë këngëtarët e rokut, i kishin hedhur në festën popullore të Liverpulit në vitin 1957. Aty 16 vjeçari John Lennon u shfaq për herë të parë me grupin e tij Quarrymen, ku bënte pjesë edhe 15 vjeçari Paul Mc Cartney. Disa muaj më vonë, në shkurt 1958 pjesë e grupit u bë edhe Georg Harrison.

Sheshi Beatles në Hamburg

Sheshi Beatles në Hamburg

Prej aty John, Paul dhe George së bashku me pjesëtarët e tjerë të grupit Stuart Sutcliffe (Bass) dhe Pete Best (bateri) nuk iu ndanë skenës muzikore të Liverpulit duke thithur me etje të madhe çdo lloj kënge dhe çdo risi, që vinte në qytet nga SHBA-ja. Rock`n `Roll-i rebel sundoi qytetin dhe vendin. Në Liverpul kishte në atë kohë 350 grupe, që jepnin koncerte. "Ata ishin të zhurmshëm, plot energji dhe të sinqertë", kujton kritiku i muzikës Nik Cohn.

Kjo vlente kryesisht për grupin e Lennon-it dhe Mc Cartney-it. Dhe kjo ishte ajo, çka kërkonte pronari i klubit të natës në lagjen Reeperbahn të Hamburgut. Dhe Beatles shfrytëzuan rastin. Pa kopjuar dhe të lirë ata eksperimentuan në skenë duke zhvilluar stilin e tyre.

Star-Club

"Star-Club"

Ata bënë për vete publikun e Hamburgut "me pasionin e tyre, që sa vinte dhe rritej", shkruan Peter Ames Carlin në biografinë për Mc Carntey.

"Ne nuk do të kishim marrë kurrë këtë zhvillim, nëse do të kishim qëndruar në shtëpi," thotë më vonë John Lennon duke kujtuar fillimet e para. Kurse George Harrison kujton: "Pikën kulminante si grup me muzikë live ne e arritëm në Hamburg. Ne duhet të ishim shumë të mirë në grup për të luajtur tetë orë muzikë në natë."

The Beatles- nga Astrid Kirchherr dhe Max Scheler.

The Beatles- nga Astrid Kirchherr dhe Max Scheler.

Kur në dhjetor të 1960-ës largohen nga Hamburgu grupi nuk është më një combo çfarëdo nga Liverpuli. Beatles ishte kthyer në një grup, që bënte rok të sigurt në skenë, rok të egër dhe origjinal. Në klubet e Hamburgut ata do të kthehen edhe katër herë të tjera për të dhënë koncerte në klube të famshme. Një skulpturë metali në qoshe të Reeperbahnit kujton sot fillimin e Beatles në Hamburg.

Autor: epd/ Aida Cama

Redaktoi: Angelina Verbica

  • Data 16.08.2010
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/OoYx
  • Data 16.08.2010
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/OoYx