1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Suksesi është kusht!" – Me gjithë krizën e sipërmarrjes Mercedesi investon në ekipin e ri të Formulës 1

12 Mars 2010

Në fundjavë (14.3.) fillon sezoni i ri i Formulës 1. Në të merr pjesë sërish Michael Schumacher. Kampioni me numër titujsh rekord garon për ekipin e sapoformuar Mercedes Grand Prix.

https://p.dw.com/p/MQsD
Mekinë garash e MercedesitFotografi: picture-alliance/ dpa

Bosi i Daimlerit Dieter Zetsche ka pritje të mëdha. Natyrisht, Mercedesi mund të humbasë tri-katër garat e para dhe jo gjithçka duhet të funksionojë që në sezonin e parë, por si përfundim Michael Schumacher duhet të garojë për fitore, thotë kryetari i bordit drejtues:

„Ne kemi një synim tejet të thjeshtë, duam të bëhemi kampionë bote. Ne duam t'i paraqesim botës pilotët më të mirë në makinën më të mirë.“

Shpenzimet duhet të jenë të arsyetura mirë

Schumacher
Michael Schumacher

Trysnia është e kuptueshme, pasi vitin e fundit prodhuesi i automjeteve nga Shtutgarti bëri më shumë se 2,5 miliardë euro humbje. Prandaj shpenzimet prej dhjetëra milionash në Formulën 1 duhet të jenë të arsyetura mirë. Pikërisht për këtë arsye në kraharorin e anëtarit të sindikatës së ndërmarrjes së Mercedesit në Sindelfingen Norbert Gürtler rrahin dy zemra:

„Nga njëra anë unë jam tifoz i Formulës 1, nga ana tjetër bëhet fjalë për lindjen e shpenzimeve në shuma gjigante dhe që në krizën ekonomike të tanishme mund të përdoreshin në mënyrë më kuptimplotë!“

Për shefin sportiv të automobilizmit tek Mercedesi Norbert Haug rezerva të tilla nuk janë diçka e re. Por, ai është i sigurt: suksesi i ekipit të ri do t'i japë të drejtë. Vitet e fundit makinat e Formulës 1 me motorë Mercedes kanë fituar jo pak por një të katërtën e garave, thotë Haug. Edhe shumica e punonjësve të Mercedesit me gjithë detyrimet për të kursyer e mbështesin plotësisht, sipas tij, ekipin e ri.

Angazhimi ka kuptim edhe në planin ekonomik

Për shefin sportiv Haug Formula 1 ka kuptim edhe në planin ekonomik. Vërtet prodhuesit e makinave Honda, Toyota dhe BMW janë tërhequr që prej vitit 2008 nga Formula 1, kjo edhe për arsye ekonomike, por Haug nuk ka kurrfarë dyshimi se formula matematike: "Më shumë Formulë 1 barazim me më shumë shitje“ përmbushet për Mercedesin:

Flash-Galerie Geplatztes Comeback von Michael Schuhmacher - Norbert Haug
Shefi sportiv i Mercedesit Norbert HaugFotografi: AP

„Natyrisht që duam të bëjmë gjëra të mira dhe të flasim për këtë. Për këtë Formula 1 është sigurisht një mjet shumë i mirë transporti. Ne synojmë që nëpërmjet Formulës 1 të tërheqim vëmendjen ndaj nesh, të bëjmë që ylli (stema e Mercedesit) të shkëlqejë dhe më pas të shesim gjithmonë e më shumë makina.“

Autor:Jan-Philipp Scholz / Eliana Xhani

Redaktoi: Elert Ajazaj