1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Suksese në Irak?

Björn Blaschke4 Shtator 2007

Presidenti amerikan Xhorxh Bush zhvilloi mbrëmë një vizitë të papritur në Irak. Vizita ka të bëjë edhe me raportin që do të publikojë gjenerali amerikan Petreus javën e ardhshme mbi situatën në Irak.

https://p.dw.com/p/BbGM
Presidenti Bush me ushtarët amerikanë në provincën Anbar, 03.09.2007Fotografi: AP

Ishte hera e tretë që presidenti Bush vizitoi Irakun qysh prej përmbysjes së sistemit të Sadam Hyseinit. Data e vizitës ishte zgjedhur me kujdes: Amerikanët festojnë më 3 shtator ditën e tyre të punës, Labor-Day. pra është mëse e kuptueshme që presidenti ta kalojë këtë ditë me ata që punojnë shumë për atdheun e tyre. Por diçka tjetër është edhe më e rëndësishme: Bush fluturoi në Al Anbar. Asnjë provincë tjetër nuk ka përjetuar kaq shumë përleshje gjatë luftës së Irakut.

Qytete si Falluxha apo Ramadi ndodhen në Al Anbar, të ashtuquajturën "Highway of Death", autostrada e vdekjes. Por sipas amerikanëve ky rajon është qysh prej disa javësh i qetë dhe në siguri të plotë. Shumica e grupeve etnike të arabëve sunitë luftojnë përkrah amerikanëve kundër Al Kaidës. Amerikanët kanë ndërkohë kaq shumë besim tek sunitet, saqë i furnizojnë tashmë edhe me armë.

Udhëtimi i Bushit në këtë provincë dhe takimet që zhvilloi me kryetarët më të rëndësishëm të sunitëve në Al Anbar kishin si qëllim që të tregonin se stabiliteti i vendit është i mundur dhe se strategjia e tij e drejtë. Në fillim të këtij viti Bush dërgoi 30.000 ushtarë amerikanë shtesë në Bagdad dhe në Al Anbar.

Vendimi që u mor në janar për dërgimin e këtyre ushtarëve shtesë shkaktoi debate të ashpra mes Bushit dhe kongresit amerikan. Javën e ardhshme gjenerali David Petreus do të raportojë përpara senatit amerikan mbi zhvillimet politike në Irak. Ndonëse opinioni publik po pret me interes të madh rezultatet e këtij raporti, flitet se në fakt ky raport do të jetë pozitiv. Gjenerali Petraeus do të raportojë mbi të gjitha për sukseset e arritura në Al Anbar.

Ka disa ditë që në Uashington flitet se gjykata e lartë do të publikojë një raport tepër negativ mbi zhvillimet politike në Irak qysh prej ndërhyrjes së trupave ushtarake amerikane. Sipas gazetarëve të "Uashington Post" bilanci do të jetë shkatërrues. Politika amerikane në Irak ka tashmë një famë aq të keqe saqë as vizita surprizë e presidentit Bush atje nuk ndryshon më asgjë.