Strategjia e ShBA në grindjen atomike me Iranin | Politika | DW | 04.05.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Strategjia e ShBA në grindjen atomike me Iranin

Franca, Britania e Madhe dhe ShBA paraqitën të mërkurën (03.05) në Këshillin e Sigurimit të OKB-së një projektrezolutë lidhur me ambicjet bërthamore të Iranit. Nëse antarët e përhershëm të këtij këshilli do ta miratojnë rezolutën, ajo do të ishte ligjërisht e detyrueshme, sepse bazohet në kapitullin VII e Kartës së OKB-së.

Ambasadori amerikan në OKB John Bolten duke folur për çështjen e Iranit, 3 maj 2006

Ambasadori amerikan në OKB John Bolten duke folur për çështjen e Iranit, 3 maj 2006

Nëse në Uashington ekziston një plan kohor për Iranin, atëherë etapat e tij do të ishin në përputhje me atë që deklaroi zëdhënësi i presidentit të ShBA, Skot Mekllejn: "Eshtë koha që Këshilli i Sigurimit nëpërmjet hapave të tjera diplomatike ta detyrojë Iranin, që të ndryshojë qëndrimin e tij. Ndaj ne po punojmë me antarët e Këshilit të Sigurimit, me Gjermaninë dhe me të tjerë vende miq, për të avancuar në frontin diplomatik."

Sipas perspektivës së ShBA, sinjali i duhur do të ishte rezoluta bazuar në kapitullin VII të Kartës së OKB-së, që do ta detyronte Iranin për ta zbatuar dhe që mundëson edhe kërcënime kundër tij me sanksione apo dhunë. Por as Kina dhe as Rusia nuk e pranojnë një rezolutë të tillë. Majkëll O´Hanlon, një strateg në çështjet e sigurisë pranë institutit Brookings të Uashigntonit mendon, se: "Realisht ekziston mundësia që ShBA dhe Evropa Perëndimore së bashku të ushtrojnë presion ndaj Kinës dhe Rusisë. Së paku do të ketë sanksione të vogla, por mendoj, që ato nuk do të jenë të mjaftueshme për ta bërë Irani që të ndryshojë qëndrim. Kjo do të thotë, se Irani vazhdon të jetë në rrugën drejt ndërtimit të bombës atomike."

Sanksionet pa asnjë lloj goditjeje ushtarake apo sulmi nga ajri kundër komplekseve bërthamore? Lidhur me këtë çështje sondazhet e fundit me qytetarët në ShBA rezultojnë, se hapa të tillë përbëjnë një rrezik të madh sa i përket politikës së jashtme. Kjo veçanërisht, sepse armët bërthamore Irani mund t´ua japë edhe grupeve terroriste në Irak. Një pjesë e madhe e amerikanëve duan që të mos jetë qeveria e ShBA, por OKB-ja ajo që shqyrton çështjen e Iranit.

Shumica janë kundër goditjes ushtarake. Edhe për ekspertin O´Hanlon: "Një goditje ushtarake ndaj Iranit do të ishte fatale. Çdo mysliman nga Maroku deri në Manila do të arrinte në përfundimin, se ShBA duan të shkatërrojnë kulturën dhe fenë islame. Irani do të ishte vendi i tretë islamik që sulmohet brenda pesë vjetësh. Pasojat do të ishin të tmerrshme në Iran. Përveç kësaj Irani do të na e vështirësonte jetën, pasi me nxitjen nga ky vend do të kishim sulme terroriste ndaj institucioneve amerikane jo vetëm në ShBA, por në mbarë botën. Sa u përket sulmeve nga ajri ndaj komplekseve bërthamore iraniane, një veprim i tillë do të shkakonte viktima në radhët e popullsisë së pafajshme civile, sepse këto komplekse janë ndërtuar pranë zonave të banuara." Tani për tani në ShBA nuk ka asnjë obsion të kënaqshëm lidhur me këtë çështje. Sipas ekspertit O´Hanlon edhe gjatë javëve të ardhëshme nuk pritet ndonjë ndryshim: "Do të ndodhë e njëjta gjë si deri më sot. Ne do të dëgjojmë deklarata të marra prej Iranit dhe më pas sërish zbutje të qëndrimit. E kjo qetëson Kinën dhe Rusinë që preferojnë sërish t´i japin Iranit një shans diplomatik.

Ndërkohë Irani do të intensifikojë përpjekjet për programin e pasurimit të uranit dhe do të vazhdojë rrugën drejt posedimit të bombës atomike." Nga ana tjetër një shumicë e qartë e qytetarëve në ShBA, 61për qind, janë të sigurt, se është vetëm çështje kohe derisa Irani të ndërtojë bombën e vet atomike.

  • Data 04.05.2006
  • Autor Frank Eishman
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqq7
  • Data 04.05.2006
  • Autor Frank Eishman
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqq7