1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Strategjia e Iranit ndaj konfliktit sirian

Benjamin Knight / Esat Ahmeti31 Gusht 2013

Një sulm ushtarak i Perëndimit në Siri do të kishte pasoja në mbarë rajonin. Veçanërisht në Iran, mendojnë analistët. Por në fund Teherani nuk do të prish qetësinë e tij.

https://p.dw.com/p/19ZPy
Fotografi: AP

Pas sulmit të dyshuar me armë kimike në Siri javën e kaluar (21.08.2013) dukej sikur SHBA-të nuk kanë asnjë alternativë tjetër përveçse për të vepruar ushtarakisht kundër presidentit Bashar al-Assad dhe regjimit të tij. Me përdorimin e armëve kimike, ose biologjike kundër civilëve ishte kaluar qartë "vija e kuqe", e cila u vu nga presidenti amerikan Barack Obama pothuajse një vit më parë, ishte argumenti i palës amerikane.

Analistët janë të një mendimi sa i përket mundësive për sulme ushtarake kundër Sirisë. Sipas tyre me sa duket do të ketë vetëm një sulm të kufizuar kundër regjimit sirian. Ai mund të jetë për shembull bombardimi i një ndërtese qeveritare në Damask me një raketë të dirixhuar nga larg. Por edhe një "sulm thjesht simbolik" mund të ketë pasoja serioze për të gjithë rajonin.

Në foto, presidenti iranian Rohani
Në foto, presidenti iranian RohaniFotografi: Mehr

"Kur flitet për një veprim të tillë ushtarak, pasojat është shumë vështirë të parashikohen", thotë Paul Rogers, ekspert i sigurisë në grupin think-tank britanik Oxford Research, në një intervistë me DW. "Edhe në qoftë se bëhet fjalë për një sulm thjesht simbolik, ai do të shihet në Lindjen e Mesme si një tjetër shembull i përzierjes së Perëndimit".

Hayder al-Khoei nga Qendra e Londrës për Studime Akademike Shiite, druhet se një sulm ushtarak vetëm sa do të forcojë bindjet e zakonshme. Perëndimi pozicionohet në mënyrë të njëanshme në një luftë brutale mes grupeve fetare, e cila kalon larg përtej kufinjve të Sirisë.

Irani është rast i veçantë

Një vend, në të cilin reagimet mund të jenë tepër delikate, është Irani, aleati më i ngushtë i Sirisë në rajon dhe armik i përbetuar i SHBA-së. Me Hassan Rohanin në zgjedhjet e fundit në zyrën e presidentit ka ardhur një kandidat i "moderuar". Sipas pikëpamjeve të shumë vëzhguesve ai mund të kërkojë dialog me Perëndimin për të çliruar Iranin nga izolimi ndërkombëtar. "Por në qoftë se do të vijë deri tek një sulm amerikan mbi një aleat të Iranit, atëherë 'Skifterët' në Teheran do të thonë se në asnjë mënyrë nuk duhet të negociohet me amerikanët dhe absolutisht Irani ka nevojë për armët e veta bërthamore", thotë Rogers.

Sipas mendimit të Adib-Moghaddam, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Londrës, një sulm i aleatëve perëndimorë (SHBA, Britania e Madhe dhe Franca) nuk mund të ketë ndikim të madh në politikën e brendshme iraniane. Por sipas autorit të librit rreth kryengritjeve arabe dhe revolucionit iranian që së shpejti pritet të botohet, kjo nuk e bën automatikisht të mirë idenë për një sulm ushtarak kundër Sirisë. "Kjo nuk do ta dobësonte patjetër Rohanin në politkën e brendshme por përfshirja e Iranit do të bëhej shumë më e vështirë", sqaron Adib-Moghaddam. "Një luftë kundër Sirisë do të ishte një tjetër marrëzi e madhe strategjike."

Në foto, presidenti amerikan Obama
Në foto, presidenti amerikan ObamaFotografi: Reuters

Hayder al-Khoei e thotë edhe më troç: "Një klerik iranian më tha kohët e fundit: Nëse bie Assadi, atëherë iranianët do të marshojnë në këmbë në Siri".

Amerika e pafuqishme

Eksperti i Iranit Walter Posch, nga Fondacioni për Shkencë dhe Politikë (SWP), megjithatë thotë se nuk ka gjasa për pasoja të tilla dramatike. "Unë kam përshtypjen se iranianët janë informuar [në lidhje me procesin] dhe ekziston një lloj i komunikimit të tërthortë ndërmjet SHBA-së dhe Iranit përmes Sulltanatit të Omanit." Dy ditë më parë sulltani ishte në Iran, ku ka zhvilluar një bisedë të gjatë me liderin e revolucionit Ayatollah Ali Khamenei mbi sigurinë në rajon.

Posch është i mendimit se diplomatët iranianë janë më të matur se sa besohet në përgjithësi. Ai beson se ata nuk janë shumë të shqetësuar në lidhje me një sulm të mundshëm ushtarak. "Do të kemi si zakonisht një dënim të sulmeve, e pastaj? Por çfarë do të bombardojnë amerikanët?", pyet Posch. "Damasku është tashmë pothuajse tërësisht i shkatërruar."

Shtetet e Bashkuara sipas ekspertit të Iranit janë të vetëdijshëm për pafuqinë e tyre në Lindjen e Mesme: "Obama e di se ai me të vërtetë nuk mund të bëjë asgjë atje", thotë ai në një intervistë për DW-në. "Ne e dimë të paktën që nga lufta në Libi se amerikanët pas një sulmi ushtarak as nuk mund të kontrollojnë e as të ndikojnë me politikën e tyre në një vend."