Stoiber: Jo, anëtarësimit të Turqisë dhe Ballkanit Perëndimor në BE | Politika | DW | 22.03.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Stoiber: Jo, anëtarësimit të Turqisë dhe Ballkanit Perëndimor në BE

Në kuadrin e mosmarrëveshjeve në lidhje me politikën e BE-së për t'u zgjeruar me vende të tjera, kryeministri i landit të Bavarisë, Edmund Stoiber kërkoi në Bruksel korrigjimin dhe deri tërheqjen e premtimeve të bëra ndaj Turqisë dhe disa vendeve të Ballkanit perëndimor

Kryeministri i landit të Bavarisë Edmund Stoiber

Kryeministri i landit të Bavarisë Edmund Stoiber

Kërkesa e Stoiberit ka të bëjë jo vetëm me Turqinë, por edhe me vendet e Ballkanit Perëndimor. Deklarat e Stoiberit pasqyrojnë në thelb pozicionin e shumë demokristianëve dhe tö përfaqësuesve të partive konservatore të Evropës. Deklaratat e Stoiberit se pas pranimit të Rumanisë dhe të Bullgarisë në vitin 2007 në radhët e BE-së dhe përfundimit të bisedimeve për anëtarësim me Kroacinë, një herë për një herë nuk duhet të pranohen në BE vende të tjera, po i shkaktojnë kokëçarje BE-së.

Një kërkesë e tillë mund të plotësohet vetëm në rast se BE-ja e tërheq vendimin që ka marrë në verën e vitit 2003 në Selanik, në të cilin thuhet se BE-ja u ofron perspektivë evropiane edhe Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Serbisë dhe Malit të Zi si dhe Maqedonisë. Këtë qëllim MPJ të BE-së e ripërsëritën në takimin e tyre në Salcburg, duke thënë se qëllimi i BE-së është anëtarësimi i këtyre vendeve, sepse kjo konsiderohet si mjeti afatgjatë më i mirë për t'i demokratizuar këto vende.

Stoiberi propozon, që, për të mos ua mbyllur krejtësisht këtyre vendeve portat e anëtarësimit të plotë në BE, të gjendet ndonjë lloj statusi i ri, një diçka e mes asociimit dhe anëtarësimit të plotë. Me këtë kërkesë ai ringjall idenë e kancelares Angela Merkel, e cila shprehej për një partneritet të privilegjuar në rastin e Turqisë.

Kërkesat e Stoiberit përkojnë me diskutimet e ngjallura në shumë vende të BE-së në lidhje me aftësinë dhe kapacitetet e BE-së për të pranuar anëtarë të rinj. Parlamenti Evropian i ka kërkuar Komisionit të BE-së që deri në fund të vitit të formulojë qartë se ç'do të thotë "aftësi e BE-së për t'u zgjeruar më tej".

  • Data 22.03.2006
  • Autor DW
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqqe
  • Data 22.03.2006
  • Autor DW
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqqe