Stinner paralajmëron që të mos krijohet ″situatë kafkaeske″ në Kosovë | Ballkani | DW | 22.03.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Stinner paralajmëron që të mos krijohet "situatë kafkaeske" në Kosovë

Deputeti liberal i Bundestagut, Rainer Stinner, ka kërkuar nga qeveria gjermane që t'i unifikojë vendet e Bashkimit Evropian mbas planit të Ahtisaarit. Stinner ishte i vetmi folës në debatin e parashikuar për Kosovën në seancën e së enjtes (22.03.) në Bundestag.

Rainer Stinner, deputet i liberalëve (FDP)

Rainer Stinner, deputet i liberalëve (FDP)

Ishte planifikuar që debati të zgjaste 30 minuta, pas dhjetë minutash gjithçka kishte marrë fund: Jo vetëm që mungonte shumica dërrmuese e deputetëve, por edhe vetë folësit. Me një përjashtim: Rainer Stinner, i cili edhe vetë do ta konstatonte me habi mungesën e kolegëve: “Ne kemi shumë rreziqe përpara dhe unë dua të tërheq vëmendjen për to. Por jam i çuditur, që për një temë të tillë, siç është ajo e Kosovës, ku situata është tepër dramatike, unë jam i vetmi folës. Më duket shumë shqetësuese.” Rainer Stinner, i cili në fjalën e tij u shpreh për përkrahje të plotë të të ngarkuarit të posaçëm të OKB-së, Martti Ahtisaari, e hodhi poshtë kërkesën e Partisë së Majtë për vazhdimin e negociatave deri sa të ketë një konsens të përbashkët mes qeverisë serbe dhe shqiptarëve të Kosovës. “Ne mund të presim derisa të na dalë mjekra dhe e dimë shumë mirë që as pas 120 vjetësh nuk do të gjejnë një zgjidhje të përbashkët,” – tha Stinner. Megjithëse në parim ishte dakord, Stinner e hodhi poshtë edhe kërkesën e “Të Gjelbërve” për të filluar menjëherë negociatat me Kosovën për Marrëveshjen e Asociim Stabilizimit. Ai më tej paralajmëroi që Bashkimi Evropian të mos përçahet për çështjen e Kosovës, në rast se Rusia nuk e lejon kalimin e planit të Ahtisaarit në Këshillin e Sigurimit. Shpall parlamenti i Kosovës pavarësinë, e këtë e njohin edhe disa vende evropiane bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, atëherë kjo përbën shkelje të rezolutës 1244 dhe skenari që mund të krijohet është absurd, tha deputeti liberal. “Parafytyroni, sikur ushtarët e KFOR-it të jenë të detyruar të arrestojnë qeverinë e Kosovës, madje edhe ambasadorët e këtyre vendeve! Unë po e ekzagjeroj, por kjo do të ishte një situatë kafkaeske.“ Duke pasur parasysh edhe për raportet më të fundit për gjendjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë, Stinner bëri thirrje që Kosova të mos lihet vetëm: “E kemi dhënë fjalën në samitin e Selanikut për perspektivën evropiane, prandaj edhe prania evropiane në Kosovë është më se e nevojshme dhe i kërkoj qeverisë gjermane, që të bëjë gjithçka që është e mundur për ta arritur këtë.“ Me këto fjalë deputeti liberal përfundoi fjalën e tij në diskutimin për Kosovën në orët e vona të mbrëmjes. Përfaqësuesit e partive të tjera i kishin dorëzuar fjalimet e tyre me shkrim. Ashtu siç pritej, poropozimet e tri partive opozitare u hodhën poshtë me shumicë votash.
  • Data 22.03.2007
  • Autor Anila Shuka
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArXR
  • Data 22.03.2007
  • Autor Anila Shuka
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArXR
Reklamë