1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Stevo Pendarovski presidenti i ri i Maqedonisë së Veriut

6 Maj 2019

Stevo Pendarovski fiton zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut me 51,83% të votave. Kandidatja e opozitës, Gordana Siljanovska-Davkova në një konferencë për shtyp e pranoi humbjen.

https://p.dw.com/p/3HyOo
Nord-Mazedonien, Skopje: Präsidentschaftskandidat des amtierenden SDSM Stevo Pendarovski feiert nach vorläufigen Ergebnissen
Stevo PendarovskiFotografi: Reuters/M. Djurica

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut ka njoftuar se janë përpunuar 97,84% e rezultateve të 3436 vendvotimeve në të gjithë vendin. Në votime kanë dalë 816 649 votues. Nga këto të dhëna të deritanishme Gordana Siljanovska ka marrë 363 980 vota, apo shndërruar në përqindje 44.57%. ndërkohë që Stevo Pendarovski ka marrë 423 292 vota, apo shndërruar në përqindje, 51.83 %.

"Zgjedhje korrekte dhe atmosferë e qetë. Nuk kishte denoncime për parregullsi që paraqet edhe një hap para drejt demokratizimit të shoqërisë sonë. Qytetarët votuan lirshëm dhe votuan për kandidatin që ata menduan se është më mirë”, ka deklaruar Oliver Derkovski kryetar i Komisionit Shtetror Zgjedhor.

Pendarovski: Do të jem president i shtetit nga i cili nuk do të turpëroheni

Kandidati i partive të koalicionit qeveritar për president, Stevo Pendarovski ka shpallur fitoren si president i ardhshëm i Maqedonisë së Veriut. "Populli im, faleminderit. Ju falënderohem të gjithëve maqedonas, shqiptarë, serb, boshnjak, turq dhe të tjerë që në zgjedhje të drejta dhe demokratike vendosët që bashkë të shkojmë përpara. Kjo është një fitore e shumicës së qytetarëve, të cilët pa dallim bashkësie etnike dhe politike u bashkuan dhe thanë bashkë përpara. Sot fituan qytetarët, dua të deklaroj se do t'u shërbej me përkushtim të gjithëve”, ka deklaruar Stevo Pendarovski.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev pas shpalljes së rezultateve të para preliminare ka thënë se Pendarovski është rruga për një jetë më të mirë në Republikën e Maqedonisë së Veriut. "Vazhdojmë bashkë dhe me përgjegjësi përpara. Rruga është vërtetuar dhe çimentuar me sukses. Maqedonia vazhdon përpara, kjo dëshmon pjekurinë tonë në vepër. Kjo është fitore e qytetarëve dhe e Republikës. Sot të gjithë mund të festojmë, sepse dëshmuam, se ky është vend me qytetarë të përgjegjshëm”, ka deklaruar Zoran Zaev.

Nord-Mazedonien, Skopje: Präsidentschaftskandidat des amtierenden SDSM Stevo Pendarovski feiert nach vorläufigen Ergebnissen
Fotografi: Reuters/M. Djurica

Ahmeti:  Presidenti i ardhshëm të ketë parasysh vullnetin e qytetarëve në respektimin e Kushtetutës së Republikës

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti duke falënderuar votuesit për mbështetjen që i dhanë idesë së konsensualitetit theksoi se kjo ishte alternativa e vetme drejt NATO-s dhe BE-së. Ai i uroi Pendarovskit fitoren, por nga ana tjetër e porosit të bëj detyrën duke respektuar parimin e konsensualitetit. "Fitorja e kandidatit tonë na hap rrugën drejt anëtarësimit të plotë të vendit në NATO. Por edhe na e afron vendin tonë drejt fuqive të mëdha. Vendi ynë është i përgatitur dhe pret sa më parë bisedimet për anëtarësimin në BE. E kemi pasur shumë të vështirë për të shpjeguar këtë koncept, konceptin e presidentit konsensual. Jam i dëshpëruar me opozitën shqiptare me bojkotin që shfaqën sot. Presidenti i ardhshëm të ketë parasysh vullnetin e qytetarëve në respektimin e Kushtetutës së Republikës dhe të jetë pjesë e proceseve në përmbyllje të plotë të procesit të anëtarësimit në NATO dhe hapjen e negociatave me BE-në”, ka deklaruar kryetari i BDI-së Ali Ahmeti.

Me fitoren e kandidatit të përbashkët qeveritar rrumbullakoset procesi i anëtarësimit të vendit në NATO, me të cilin i jepet edhe një goditje tentimit për ndërhyrje politike nga Rusisanë këto hapësira, ka thënë zëdhënësi i PDSH-së, Luan Tresi. "Tashmë nuk duhet të ketë pengesa për rrugën edhe më të sigurt drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-së”, është shpreh Tresi.

Stichwahl in Nord-Mazedonien Wahllokal - Gordana Siljanovska Davkova
Fotografi: picture alliance/AP Photo/B. Grdanoski

Kryetari i partisë Alternativa, Afrim Gashi ka deklaruar se zgjedhjet presidenciale kanë qenë të drejta dhe korrekte. Ai tha se shteti me këtë e ka dhënë provimin dhe janë dëshmi, se kjo qeveri ka kapacitet për të organizuar zgjedhje të drejta që do të vlerësohen edhe nga institucionet relevante ndërkombëtare duke i dhënë vendit datë për fillim të bisedimeve në qershor. "Këto zgjedhje dëshmuan se shumica e qytetarëve janë për vlera perëndimore edhe për integrim euroatlantik. Dalja, arritja e censusit dhe përzgjedhja e kandidatit që garanton stabilitet”, ka deklaruar Gashi.

Siljanovska: Pranoj humbjen, por unë mbetem kokëlart

Kandidatja e opozitës, Gordana Siljanovska-Davkova në një konferencë për shtyp pranoi humbjen, megjithatë ajo ndihet e përmbushur dhe largohet me kokën lart. Numrat flasin për humbje, por nuk jam ndjerë më e qetë dhe më e pasur se në këto momente, ka thënë Siljanovska. Ajo tha se qytetarët e kanë bërë të ndjehet më e re. "Për të fituar thuajse 370 mijë vota është falënderim i madh.[...] Besoj, se do të mund të ndihmoj në ndërtimin e demokracisë në Maqedoni që nuk e ka, dhe kam parë energji të paparë, dialog që më fliste se ajo që e them arrin deri tek ata, dhe besoni se kjo më ka bërë më të re”, ka thënë Siljanovska.

"Sonte e di se ka fituar kundër kandidati, por nuk mendoj se unë si individë, si kandidat i VMRO-DPMNE-së e kam humbur betejën”, ka deklaruar Siljanovska. Ajo tha se politika në Maqedoni ende nuk është art, politika sipas saj ende është në duart e partive. Ata sipas saj vendosin më së shumti se tek kush do të shkojnë votat, dhe jo vetë qytetarët.

Mazedonien Hristijan Mickoski, Generalsekretär der Oppositionspartei VMRO-DPMNE
Fotografi: Petr Stojanovski

Mickovski: Maqedonia e Veriut zgjohet në një realitet të ri që nënkupton qeveri të delegjitmuar

Kryetari i partisë opozitare, VMRO-DPMNE-së Hristian Micksoki ka thënë se profesoresha Gordana Siljanovska humbi si pasojë e manipulimeve, falsifikimeve të rënda dhe të shantazheve që bëri në këto zgjedhje LSDM-ja, Zoran Zaevi dhe Stevo Pendarovski. "Sot kishte kërcënime, gishta të shpejtë, indikacione për blerje të votave. Këto nuk janë vlera evropiane. Maqedonisë për këtë arsye i nevojitet qeveri teknike, që do të garantonte zgjedhje të drejta. Zoran Zaev iku nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Këtë nuk e them për të kërkuar alibi, por kjo është e vërteta e hidhur”, ka thënë Mickovski.

Do t'i mposhtim së bashku me popullin, ata e dinë se ky është rezultat i keq për ata. Rezultati është pasojë e tregtisë dhe kjo do të rëndoj edhe Pendarovskin. "Pendarovski dhe Zaevi e dijnë se çka i pret dhe çka do ti rëndojë tani e tutje. Ata janë të vetëdijshëm se çka i pret. Prej sot i pret një ferr i vërtetë politik që do ta udhëheqë partia opozitare VMRO-DPMNE”, ka deklaruar Hristijan Mickovski kryetar i VMRO-DPMNE-së.