1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Steven Spielberg në Berlin me „Bridge of Spies“

Jochen Kürten18 Nëntor 2015

Historia që tregon Spielberg në filmin e tij është fantastike. E megjithatë ajo ka ndodhur vërtetë ashtu siç paraqitet në film. Spielberg ka xhiruar edhe në Berlin, ku u festua edhe premiera e filmit në Gjermani.

https://p.dw.com/p/1H7jp
Berlin Premiere Film Bridge Of Spies von Regisseur Steven Spielberg
Fotografi: picture-alliance/dpa/B. Pedersen

Steven Spielberg nuk mund t'ia lejonte vetes të mungonte. Ai udhëtoi deri në kryeqytetin gjerman për premierën gjermane dhe evropiane të filmit të tij të ri „Bridge of Spies“ („Ura e Spiunëve“). Për prezantimin e „Bridge of Spies“ në Berlin (14.11), mjeshtri amerikan i filmit ishte së bashku me aktorin Tom Hanks. Në një intervistë shumë personale me revistën e përjavshme „Der Spiegel“, regjisori i shumë çmimeve Oskar ka treguar për lidhjen e tij krejt të veçantë me Gjermaninë.

Dikur në fëmijërinë e tij ai ka qenë „i fiksuar pas Holokaustit dhe Luftës së Ftohtë“. Mbi Holokaustin, në vitin 1993, ai ka xhiruar filmin „Lista e Schindler-it“. Pesë vite më vonë, me „Ushtarin James Ryan“ ai ka sjellë tabllo mbresëlënëse të zbarkimit të forcave aleate në vitin 1944. Tani, „Bridge of Spies“, vepra më e re e Spielberg, është kontributi i tij për Luftën e Ftohtë. Për historinë e filmit ai është frymëzuar edhe nga familja e tij: „Babai im, më 1960, pra pak a shumë në kohën kur zhvillohen edhe ngjarjet e filmit, ka qenë në Rusi për disa javë.“

Në kulmin e Luftës së Ftohtë

Edhe pse historia që tregohet nga regjisori mund të duket e pabesueshme për shikuesin e sotëm, ajo bazohet në ngjarje të vërteta nga Lufta e Ftohtë. „Bridge of Spies“ flet për goditjen e aeroplanit zbulues amerikan të tipit U-2 mbi Bashkimin Sovjetik në vitin 1960 nga raketa ruse. I ndodhur në lartësinë 20.000 metra, piloti Gary Powers mundi të shpëtonte vetëm për një fije. Ngjarjet qarkulluan nëpër tërë botën, duke i lënë njerëzit të shtangur në kulmin e Luftës së Ftohtë.

Bildergalerie Agenten und Spione Filme Bridge of Spies Der Unterhändler
Avokati Donovan (Tom Hanks, në mes) gjatë bisedimeve të vështira mbi shkëmbimin e agjentëve.Fotografi: picture-alliance/AP Photo/J. Buitendijk

Amerikanët kishin njoftuar ndërkohë vdekjen e pilotit, kur menjëherë më pas, sovjetikët bënë të ditur se e kanë kapur Power-in: një sukses madhështor për propagandën sovjetike. Përpjekjet negociuese për lirimin e Power-it fillimisht dështuan. Këtu e ka zanafillën edhe filmi i Spielberg.

Avokati njujorkez James B. Donovan (Tom Hanks) vihet në kontakt me autoritet gjermano-lindore dhe agjentët rusë në Berlinin Lindor. Ai takohet me ndërmjetësuesin e Republikës Demokratike Gjermane (RDGJ) Wolfgang Vogel, rolin e të cilit e luan gjermani Sebastian Koch. Negociatat në fund janë të sukseshme, pasi në atë kohë superfuqia SHBA kishte edhe diçka për të ofruar: spiunin shumë të çmuar rus Rudolf Abel (Mark Rylance), i cili gjendej në burgim në Shtetet e Bashkuara.

Vendi i ngjarjes, Ura Glienicke

Powers dhe Abel kalojnë përballë njëri-tjetrit gjatë një shkëmbimi domethënës agjentësh në shkurt të vitit 1962 mbi Urën Glienicke. Që nga ajo ditë ura u bë skena, ku për vite me radhë u zhvilluan edhe aksione të tjera shkëmbimesh. Vepra arkitekturore që lidh Berlinin dhe Potsdamin hyri në histori si „Bridge of Spies“. Tani këtë „titull nderi“ ajo e merr edhe nga Holliwood-i.

Film Vorschau Spielberg "Bridge of Spies"
Luftë e Ftohtë në dimër: "Bridge of Spies"Fotografi: 2014 Twentieth Century Fox

Vitin e kaluar Spielberg kreu xhirime disa javore në vendngjarjen historike në Gjermani, si në Berlin dhe në Potsdam, në Brandenburg si dhe në studiot kinematografike të Babelsbergut. Gjatë intervistës me Spiegel, ai tregoi se ishte habitur nga vizita e kancelares gjermane gjatë xhirimeve. Angela Merkel ishte shfaqur njëherë në orën pesë të mëngjesit mbi Urën Glienicke: „Ajo ishte shumë e interesuar të dinte se me çfarë merreshin njerëzit në sheshin e xhirimit dhe pyeste kështu secilin prej tyre për detyrat e veta.

Spielberg mbi qasjen e gjermanëve ndaj historisë

Edhe autoritetet gjermane e kanë mbështetur shumë, kur bëhej fjalë për lejet e xhirimit: „Ata e bllokuan Urën Glienicke për ne“, thotë Spielberg. Ai vlerëson edhe qasjen e gjermanëve ndaj historisë së tyre: „Është e admirueshme përmendorja e Holokaustit që gjermanët kanë ngritur në Berlin.“

Bildergalerie Agenten und Spione Filme Bridge of Spies
Pranë telit me gjemba dhe murit: Tom Hanks në „Bridge of Spies“Fotografi: 2014 Twentieth Century Fox

Pjesë e trupës së aktorëve të „Bridge of Spies“ janë edhe disa gjermanë. Shpërblyese kanë qenë xhirimet sidomos për Sebastian Koch. Aktori, i cili së fundmi qëndroi para kamerave edhe për xhirimet e serialit popullor amerikan “Homeland” në Berlin, ishte përkrah Spielberg gjatë premierës botërore të “Bridge of Spies” në SHBA. Pas shfaqjes së filmit në Festivalin e 53-të të Filmit në Nju Jork pati ovacione të gjata.

Bridge of Spies: Paralele me ditët e sotme

Në Nju Jork, Spielberg tërhoqi vëmendjen ndaj aktualitetit të filmit të tij historik: „Filma të tillë bëhen, sepse ata kanë rëndësi për të tashmen, sepse po krijohet përshtypja, se Lufta e Ftohtë po kthehet përsëri“. Filmi pati jehonë pozitive edhe në shtypin amerikan. „The Hollywood Reporter“ shkruajti: "një melodramë me shije të mirë mbi Luftën e Ftohtë”.

„New York Post“ parashikon të ketë shumë nominime për Oskar. Edhe gazeta britanike “Independent” dha vlerësime entuziaste. Revista amerikane e showbiz-it “Variety”e përgëzoi sidomos aktorin Mark Rylance, i cili në film luan rolin e një agjenti rus të KGB-së, si dhe ndërtesat e ngritura enkas nga Studio Babelsberg. Shtypi amerikan e ka “nominuar” “Bridge of Spies” qysh tani si kandidat për çmimet Oskar të 2016-ës.

Pas premierës evropiane, filmi do të shfaqet rregullisht në kinematë gjermane që nga data 26.11. nën titullin "Bridge of Spies - Der Unterhändler" („Bridge of Spies – Ndërmjetësuesi”).