Steinmeier: "Zemra juaj rreh për Evropën" | Gjermania | DW | 01.12.2022
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkan-Gjermani

Steinmeier: "Zemra juaj rreh për Evropën"

Presidenti gjerman Steinmeier mban fjalim në Kuvendin e Shqipërisë dhe i inkurajon deputetët të bashkëpunojnë përtej llogoreve partiake

Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, gjatë një fjalimi në Kuvendin e Shqipërisë i ka inkurajuar shqiptarët të ndjekin rrugëtimin drejt BE-së:

"E di që rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian do të mbetet sfiduese. Dhe unë po ju kërkoj sot: vazhdoni të punoni për të luftuar ato gjëra që nuk janë në rregull, vazhdoni të punoni për reduktimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, vazhdoni me reformën në drejtësi. Dhe punoni bashkërisht përtej llogoreve të opozitës dhe qeverisë. Qëllimi ia vlen".

Presidenti i Gjermanisë vlerësoi orientimin euroatlantik të Shqipërisë në BE. 

"Është edhe më e habitshme se sa me këmbëngulje vazhdon vendi juaj të bëjë përpjekjet e nevojshme për anëtarësimin në BE. Dhe nuk shoh asnjë dyshim për orientimin e qartë të Shqipërisë në BE dhe ankorimin e saj të fortë në NATO. Qëndrueshmëria juaj dhe përkushtimi juaj ndaj vlerave tona evropiane dhe transatlantike më bëjnë përshtypje dhe ju mund të jeni një model për shumë njerëz në të gjithë Evropën, duke përfshirë edhe vendin tim", tha Steinmeier. 

Albanien | PK Steinmeier und Begaj in Tirana

Presidenti Steinmeier gjatë konferencës së shtypit me homologun e tij shqiptar, Bajram Begaj në Tiranë

Fjalë falënderuese gjeti ish-ministri i jashtëm i Gjermanisë, edhe për angazhimin ndërkombëtar të Shqipërisë: 

"Si anëtare e NATO-s dhe e OSBE-së dhe aktualisht si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ju po punoni ngushtë me partnerët evropianë dhe transatlantikë. Pas luftës brutale të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, e cila shkeli ligjin ndërkombëtar, Shqipëria qartazi mori anën e të sulmuarve në skenën ndërkombëtare, u solidarizua dhe pranoi refugjatë. Unë do të doja t'ju falënderoja shumë për këtë!"

Vizita e presidentit gjerman Steinmeier në Tiranë

Presidenti gjerman Steinmeier tha në mbyllje të fjalimit se  zemra juaj rreh nga Evropa, dhe kjo ndjehet kur shkel në vendin tuaj. E kjo do t’ju ndihmojë të kapërceni pengesat për rrugëtimin tuaj drejt BE-së. Siç thotë një fjalë e urtë e bukur shqiptare: “Kur ke zemër, ke edhe krahë”, tha Steinmeier në shqip.  

Takim me Begaj 

Më parë presidenti gjerman ishte pritur nga homologu i tij shqiptar, Bajram Begaj  Në një konferencë të përbashkët për shtyp, të dy krerët e shteteve kishin vënë në dukje bashkëpunimin bilateral të krijuar që nga viti 1988. Sipas Begajt, mes dy vendeve ekzistojnë “200 marrëveshje bashkëpunimi". 

Vizita e Presidenti federal Steinmeier u bë me ftesë të Presidentit te Shqipërisë, Bajram Begaj. Ajo është e para e një president gjerman në Shqipëri,  në harkun kohor të 27 viteve.

Albanien | Bundespräsident Steinmeier in Tirana

Presidenti gjerman pritet me nderime ushtarke

Në programin e  vizitës së Presidentit federal Steinmeier në Tiranë është parashikuar edhe një takim me nxënës nga Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, një diskutim mbi ballafaqimin e Shqipërisë me të kaluarën e saj komuniste si edhe një vizitë në një kompani gjermane, ku do të njihet me potencialet ekonomike dhe bashkëpunimin gjermano-shqiptar për zhvillim.

Më tej qëndrimi në Shqipëri do të vazhdojë  me një vizitë në qytetin muze të Beratit ku Presidenti Steinmeier do të ketë mundësi të njihet me  historinë dhe kulturën shqiptare.