1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Steinmeier prezantoi programin elektoral

4 Gusht 2009

Katër milionë vende pune deri në vitin 2020 synon të arrijë Steinmeier-i, gjysma e të cilave do të vijë përmes investimeve në sektorin e industrisë.

https://p.dw.com/p/J3Zf
Ministri i jashtëm Frank-Walter Steinmeier, kandidati i PSD për kancelarFotografi: AP

Qysh në fundjavë kishin filluar debatet nëpër media për "Planin për Gjermaninë", siç e pagëzuan ato programin elektoral të kandidatit socialdemokrat. Të hënën në mbrëmje Steinmeier-i e prezantoi programin në Berlin para një publiku të përzgjedhur. Ky plan është vizioni im për ekonominë dhe punën e së ardhmes, për një shoqëri prodhuese, solidare dhe efikase, për një vend, që jo vetëm i bën ballë krizës, por del edhe më i fortë prej saj, tha ai.

Katër milionë vende pune deri në vitin 2020 synon të arrijë Steinmeier-i.

Gjysma e vendeve të punës do të vijë përmes investimeve në sektorin e industrisë.

Prodhimi mallrave dhe të mirave industriale mbetet fundamenti i ekonomisë gjermane. "Të jeni të sigurt, se mirëqenia jonë pa to lëkundet", tha zëvendëskancelari.

Potencial për vende të reja pune premton sipas tij sektori i prodhimit të mallrave, që kursejnë lëndët e para dhe energjinë, si për shembull automobilat me rrymë elektrike. Pjesa tjetër e vendeve të punës mund të hapet në sektorin e shëndetësisë, ekonomisë kreative, medieve të reja dhe energjive të ripërtërishme.

Programi prej 67 faqesh me titullin "Puna e së nesërmes" është "një libër mësimor për një rifillim të ri në ekonominë e tregut", tha Steinmeier. "Fjalët e përgjitshme për krizën nuk na çojnë përpara, sepse jo vetëm se na prish humorin, por nuk mjaftojnë. Ne kemi nevojë për një perspektivë të re".

Deutschland Wahlen SPD Frank-Walter Steinmeier mit Franz Müntefering
Steinmeier dhe kryetari i PSD MünteferingFotografi: AP

Reagimet e para ndaj planit të kandidatit socialdemokrat ishin nga skeptike deri në tallëse. Sekretari i përgjithshëm i Unionit Kristiansocial në Bavari, Alexander Dobrint, tha se planet e Steinmeierit janë "rifillim i ekonomisë së planit." Liberalët e quajtën planin jo bindës, ndërsa "E Majta" premtim elektoral.

Edhe pse Steinmeier-i vetë këtë synim nuk e quan si premtim, shumëkujt në këto ditë i kujtohet premtimi elektoral i kancelarit socialdemokrat Gerhard Schroder në zgjedhjet e vitit 2002 për uljen e papunësisë nën shifrën 3,5 milionë. Tre vjet më vonë papunësia jo vetëm që nuk u ul, por përkundrazi ajo u rrit mbi nivelin e para zgjedhjeve.

Të martën Steinmeier-i do të fillojë një udhëtim elektoral katër ditor, ku do të vizitojë afro 60 ndërmarrje, institucione shkencore, shkolla dhe iniciativa në 14 nga gjithsej 16 landet gjermane për të krijuar një përshtypje, se si mund të realizohet vizioni i tij për "Punën e së nesërmes".

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Angjelina Verbica