1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Steinmeier Washington

Nicholas Buschschlüter3 Shkurt 2009

Ministri i Jashtëm, Frank-Walter Steinmeier u nis për një vizitë në SHBA, ku gjatë ditës së sotme (03.02) do të takohet në Uashington me homologen e tij amerikane Hillary Clinton.

https://p.dw.com/p/GmPk
Ministri i jashtëm gjerman, Frank- Walter Steinmeier
Ministri i jashtëm gjerman, Frank- Walter Steinmeier

Qëndrimi më krah për krah me qeverinë e re amerikane, për të cilën Ministri i Jashtëm dhe zëvendëskancelari gjerman Frank-Walter Steinmeier kishte kohë që fliste, po bëhet konkret. Steinmeier-i do të jetë Ministri i parë i Jashtëm i një nga vendet e BE-së që takohet gjatë ditës së sotme (03:02) në Uashington me homologen e tij amerikane Hillary Clinton. Temat e bisedës janë të shumta. SHBA-ja e ka bërë tashmë të qartë se pret prej evropianëve që të marrin përsipër më tepër prej barrës së politikës botërore.

Para nisjes për në Uashington Steinmeieri tha në Berlin, se do to diskutojë edhe për çarmatimin dhe mbrojtjen e klimës, gjëra për të cilat sikurse tha ai:

"Mund të diskutohet pa problem me qeverinë e re amerikane." Steinmeier-i shtoi se është optimist për vizitën e tij të parë.

Tema të tjera të bisedimeve do të jenë furnizimi me energji, vendosja e rregullave të besueshme për tregtinë botërore dhe tregjet e financave, Iraku e deri tek takimi i nivelit të lartë të NATO-s në prill. Këto Steinmeier-i i kishte përcaktuar që më parë si shtyllat e "axhendës së re transatlantike".

Nga rrethi i delegacionit mësohet se Steinmeier-i do të angazhohet në takimin me zonjën Clinton edhe për çtensionimin e marrëdhënieve amerikano-ruse.

Sipas të dhënave të zëdhënësit të Ministrit të Jashtëm, Jens Plötner, Steinmeieri dhe znj. Clinton do të hanë fillimisht një drekë pune, i cili do të pasohet me një bisedë të hollësishme të delegacioneve.

Vizita rrufe në Uashington duket se ka edhe një qëllim tjetër që lidhet me politikën e brendshme. Steinmeieri po përpiqet të ngrejë ura bashkëpunimi me Uashington, në pika të tilla ku kancelarja vazhdon të qëndrojë e tërhequr, si p.sh. në lidhje me pranimin e të burgosurve të Guantanamos. Tani Ministri i Jashtëm po shkon në Uashington edhe përpara kancelares. Vërtet që ndonjë takim me Obamën nuk është planifikuar, por një takim i rastësishëm me të do të ishte padyshim një ngjarje e rëndësishme mediatike në Gjermani për kandidatin e SPD-së për kancelar.