1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Statusi ogur i mbarё pёr qytetarёt shqiptarë e pёrgjegjёsi pёr politikanёt

Vilma Filaj-Ballvora27 Qershor 2014

Shqipëria zyrtarizohet si vend kandidat për në BE pavarësisht problemeve të shumta me demokratizimin. Statusi është ogur i mbarё pёr qytetarёt e Shqipërisё dhe pёrgjegjёsi pёr politikanёt, mendon Vilma Filaj-Ballvora

https://p.dw.com/p/1CRQY
Vilma Filaj Ballvora
Fotografi: DW/P. Henriksen

Shqipёria iu afrua njё hap mё shumё BE-sё. Gëzimi për statusin e vendit kandidat ёshtё i madh. Por ai duhet tё kthehet nё motivacion për të punuar, sepse më e vështira nis paskёtaj. Që antarësimi i dëshiruar nuk është i vetkuptueshëm dhe nuk ndodh automatikisht, këtë e kanë shumë të qartë politikanët drejtues të vendit. Vetë kryeministri socialist Edi Rama, i cili muajt e fundit intensivisht ka qenë në një tur lobimi në vendet e BE-së e ka theksuar, se statusi ka vetëm vlerë simbolike, por rrit njëkohësisht edhe më shumë përgjegjësinë. Sinjali pozitiv nga Brukseli padyshim e inkurajon edhe më shumë qeverinë në kursin e saj të orientuar nga BE-ja. Por nga ana tjetër ajo do të jetë nën presionin e pritshmërive për realizimin e reformave të qendrueshme. Luftimi i krimit të organizuar dhe i korrupsionit në drejtësi e në administratë, konsolidimi i shtetit ligjor dhe pavarësia e medias janë vetëm disa prej refomave më të rëndësishme, për të cilat tërheq vëmendjen BE-ja. Nёse kёto reforma deri tani tё çala do tё pёrmbushen, prej kёsaj do tё pёrfitojnё nё radhё tё parё qytetaret dhe qytetarёt e Shqipёrisё. Jeta e tyre do tё pёrmirёsohet e po ashtu do tё bёhet realitet edhe ёndrra e tyre e kahershme pёr tё qenё pjesё e komunitetit tё vlerave europiane. Qё ky ogur i mbarё vjen kaq vonё pёr Shqipёrinё nuk ka tё bёjё me ngurrimin dhe burokracinё e Brukselit. Arsyeja qendron tek politikbёrja brenda Shqipёrisё. Procesi i konsolidimit tё institucioneve mirёfunksionuese tё shtetit ligjor nё dy dekadat pas kthesёs nё Shqipёri ka mbetur peng i politikёs, e cila ёshtё kёndjellur pёr tё vepruar vetёm kur ёshtё ndodhur nёn trysni të fortë nga jashtё. Rrallёherё pёrgjegjёsia dhe forca e veprimit nё dobi tё qytetareve dhe qytetarёve ёshtё gjeneruar nga brenda. Pёr ta kuptuar kёtё mjaftojnë vetёm dy shembujt lapidarё: Ndёrhyrja sё fundmi nё Lazarat dhe zgjedhjet e qershorit 2013.

Lufta gjithёpёrfshirёse ndaj korrupsionit pa alternativë

Qytetaret dhe qytetarët vazhdimisht ankohen, se shumë pak ndërmerret për ta luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Shqipëria e renditur nga Transparency International në vendin e 116 nga 177, konsiderohet ndër vendet me korrupsionin më të lartë në Europë. Qeveria socialiste, që është në pushtet që nga viti i kaluar, po demonstron tani një vullnet të fortë për të paraqitur rezultate konkrete. Nuk ishte e rastësishme, që pikërisht në prag të marrjes së vendimit në Bruksel, përmes një aksioni në shkallë të gjerë forcat e rendit ndërhynë duke e vënë nën kontroll fshatin Lazarat, të konsideruar si zona më e madhe e kultivimit të mariuhanës në Europë. Ndёrhyjra duket se po i jep fund aktivitetit shumëvjeçar të mafies së drogës. Ndoshta ky veprim paçka se i vonuar, por i kryer me profesionalizёm dhe nё mёnyrё tё pёrgjegjshme i ka tërhequr vëmendjen pozitivisht për të dhënë vendimin krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së. Por ngjashëm si edhe në rastin e Kroacisë BE-ja do të kërkojë prej Shqipërisë që ta luftojë korrupsionin që nga maja e deri tek rrënjët, pra deri në nivelet e larta drejtuese, ku ka mbërritur kjo plagë e shoqërisë shqiptare. Në vend vazhdon ende të mbizotërojë kultura e mosndëshkimit. Ndonëse jo rrallë opinioni është tronditur prej aferave të shumta të korrupsionit gjatë dy dekadave të fundit, deri më sot askush prej të implikuarve nga nivelet e larta nuk është përballur me drejtësinë. Nёse do tё ruhet ritmi i punёs sё nisur me Lazaratin gjërat mund të ndryshojnë për mbarë.

Kthesa nё politikbёrje e domosdoshme

Korrupsioni është vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër dhe po aq imediate është demokratizimi i vërtetë i jetës parlamentare. Në radhë të parë janë qytetaret dhe qytetarët e Shqipërisë ata që presin nga politikanët koncepte dhe zgjidhje të problemeve e jo konfrontime për interesa të ngushta ekonomike dhe pushteti. Debatet në kuvendin e Shqipërisë lënë mjaft për të dëshiruar. Diskursi nuk zhvillohet me argumenta, por dominohet prej personalizimit dhe pёrdorimit të njё gjuhe të shfrenuar për të „goditur kundërshtarin“. Demokratizimi i jetёs parlamentare zihet në ngërç prej polarizimit dekonstruktiv mes dy partive popullore. Asnjëra prej partive që nga viti 1992, as PD dhe as PS përgjatë të gjitha rotacioneve të pushtetit mes tyre nuk kanë arritur të realizojnë kthesën aq të domosdoshme në politikbërje. Në një sfond të tillë meriton tё vlerёsohen në historinë e re të demokracisë shqiptare zgjedhjet e qershorit 2013, kur për herë të parë pavarësisht disa anomalive të vogla, u pranua rezultati i tyre nga forca humbëse. Realizimi i zgjedhjeve sipas standardeve demokratike ka qenë po ashtu një nga kushtet kryesore tё BE-së në procesin e integrimit të Shqipërisë në strukturat e saj. Edhe kjo arritje ka ndikuar pozitivisht pёr vendimin e Brukselit. Por deri në një antarësim të plotë në BE Shqipëria ka shumë për të bërë. Nё destinacion mund tё arrihet - vetëm nëqoftёse gëzimi për statusin nuk kalon në eufori, por kthehet në punë këmbëngulёse për arritjen e standardeve europiane në të gjitha fushat. Që kjo udhë të jetë e pakthyeshme politikanёt drejtues nё Shqipёri duhet tё veprojnё profesionalisht dhe jo tё detyruar prej presionit nga jashtё. Ata duhet të jenë të gatshëm edhe për kompromise të dhimbshme në dobi të vendit dhe shoqërisë. Ky ёshtë për qytetaret dhe qytetarёt e Shqipёrisё njё ogur i mbarё.