Spiunët e rinj gjermanë me shkollë të lartë - gjenerata e re e studentëve | Gjermania | DW | 21.01.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Spiunët e rinj gjermanë me shkollë të lartë - gjenerata e re e studentëve

Etika në vend të ndjekjeve me makina në rrugë, studimet e terrorizmit në vend të spiunimit. Këto janë disa nga ofertat e Universitetit Ushtarak në Mynih, ku për herë të parë ofrohen ligjërata edhe për shërbimet sekrete.

Spiuni më i famshëm në historinë e kinematografisë, nuk ka studiuar kurrë. James Bond është larguar nga shkolla reale elitiste Elton në Britani të Madhe pas vetëm dy semestrave. Në 25 filmat e deritanishëm , agjenti "007" ndjek gjithmonë të keqen. Pajisjet e tija më të rëndësishme janë makinat e shpejta, Walther PPK dhe shpikjet e mjeshtrit paksa të çuditshëm "Q". Në këtë botë testosteronesh, femrat luajnë vetëm një rol dytësor, sipërfaqësor, si p.sh. sekretarja Miss Moneypenny.

Por puna në shërbimet sekrete ka vërtet shumë pak të përbashkëta me jetën e prezantuar në film. E kur spiunët gjermanë në të ardhmen flasin për "MISS", atëherë me siguri që nuk do të mendojnë tek femrat fantastike të kolegut të tyre britanik. Në botën reale MISS është një shkurtesë e "Master in Intelligence and Security Studies" (Master në Studimet e Inteligjencës dhe Sigurisë).

Gjenerata e re e studentëve ka nisur në janar të këtij viti. "Ky nuk është ndonjë studim për spiunë - sepse këtu nuk ka ndjekje me makina dhe nuk ka stërvitje për kërcime nga kulmet e çative",  thotë Uwe Borghoff për Deutsche Wellen. Profesori i Universitetit të Bundeswehrit në Mynih e drejton gjeneratën e re të studentëve, së bashku me Jan-Hendrik Dietrich.

Studime në vend të spiunimeve

Në vend të kësaj, ligjëruesit në Mynih, Berlin dhe në Bryl i kushtojnë më shumë vëmendje etikës, problemeve politike apo kornizës juridike të këtij shërbimi. Në disa vende të tjera, "Intelligence and Security Studies" ekzistojnë prej vitesh. "Për mua ky studim është jashtëzakonisht interesant edhe për faktin se kjo është një lëndë e re në Gjermani", thotë Borghoff.

Ndër lëndët më të rëndësishme në këto studime janë "Intelligence Collection", "Studimet e terrorizmit" apo "Komunikimi & Hyrja në Shërbimet Informative". Pikërëndesë e këtyre studimeve është edhe bota digjitale me temat si "Cyber Defence". Në fund të programit dy vjeçar duhet të bëhet edhe një punim master prej 100 faqesh.

35 studentë ekskluzivë

Kemi zgjuar interesimin tuaj? Për fat të keq, këto studime ende nuk janë të hapura për civilë. Ai që do të regjistrohet në këto studime, duhet të jetë pjesë e ndonjë shërbimi sekret gjerman - pra BND, Shërbimit Sekret Ushtarak, Shërbimit për Mbrojtjen Kushtetuese apo Bundeswehrit. Përveç kësaj, mbrojtja e shtetit është në duart e policisë dhe nëpunësve në ministritë e ngarkuara me çështje sigurie.

Gjenerata e parë numëron 35 studentë, konfirmon një zëdhënës i Universitetit të Ushtrisë. Por ai nuk jep informacione për përfaqësimin në këto studime të autoriteteve të ndryshme. "Në këto studime nuk do të ketë kurrë studentë si në fakultetet e tjera", thotë Borghoff. Së pari, për shkak se në godinën në Berlin mund të futesh vetëm nëse ke leje të posaçme. "Studentët në disa lëndë do të përballen me materie të klasifikuar si sekrete", thotë Borghoff. Ndaj studentët duhet të kalojnë edhe disa kontrolle të sigurisë.

"Intelligence Community"

Studentët nuk pranohen në bazë të mesatares së notave, por nga një komision në të cilin bëjnë pjesë përfaqësuesit e lartë të autoriteteve. Konsultimet e para për studimet e reja janë zhvilluar para katër vitesh, shpjegon Borghoff. Studimet janë përgatitur nga një grupi i koordinuar në Zyrën e Kancelarisë, ku bëjnë pjesë edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Brendshme dhe të Mbrojtjes.

Krijimi i një "Intelligence Community", për bashkëpunim mes autoriteteve, është një prej efekteve pozitive të këtyre studimeve. "Ulja së bashku në një sallë e pjesëtarëve të shërbimeve të ndryshme mund të shërbejë për vendosjen e lidhjeve mes tyre, pasi të kenë kryer studimet."

Një ngjashmëri mes botës së James Bond dhe studentëve të MISS, megjithatë ekziston: Agjente ka më pak. Borghof nuk tregon se sa femra ka në këtë grup studentësh, por thotë se numri i tyre "është i vogël".