1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Spekulimet lidhur me kursin e papës. Kriza qeveritare në Itali. Komisioni hetimor për aferën e vizave

VFB21 Prill 2005

Ç´drejtim do të marrë kisha katolike pas zgjedhjes së kardinalit gjerman, Jozef Ratcinger, papë? Kjo çështje është në qendër të komenteve të shtypit të sotëm gjerman. Tema të tjera që janë në fokus të analizave janë edhe kriza qeveritare në Itali si dhe puna e komisionit hetimor për aferën e vizave.

https://p.dw.com/p/Arvr
Fotografi: dpa zb

Lidhur me zgjedhjen e papës gazeta "Frankfurter Rundschau" shkruan: "E pikërisht Ratcinger. Kudo u dëgjua psherëtima e habisë tek u përhap lajmi në Gjermani për zgjedhjen e Benediktit të XVI-të. Sa më shumë dëgjohej kjo psherëtimë aq edhe më naive dukej krenaria për një bashkëatdhetar papë. Pikërisht njeriu që shpesh herë ia ka nxirë jetën kishës në atdheun e vet dhe emri i të cilit është sinonim për konservatorizëm në kishën katolike. Pikërisht Ratcinger, për shumë ky lajm ishte një shok. Por nga ana tjetër do të ishte gabim që të jepeshim pas iluzionit, se në konklavë mund të vendosej vërtetë për përtëritjen e kishës katolike."

Një vlerësim pozitiv jep e përditshmja "Frankfurter Allgemeine Zeitung": "Me zgjedhjen që kanë bërë kardinalët nga e gjithë bota i treguan kishës dhe kreut të saj, se nuk u japin rëndësi paragjykimeve. Ato treguan, se kanë besim tek kultura e gjerë e kristiane e "gjermanit", tek formimi eciklopedik dhe teologjik i tij, tek oratoria dhe talenti i tij për gjuhët e huaja, si dhe tek arësyeja për ruajtjen e masës dhe gëzimin ndaj jetës që ka ai. ... Por Jozef Ratcinger u zgjodh edhe për hir të krenarisë katolike. Ai garanton kishën katolike dhe do të bëjë gjithçka për ruajtjen e saj."

E përjavshmja "Die Zeit" vëren: "Nuk është nevoja të kesh aftësi profetike për ta kuptuar që Papa Benedikt i XVI-të nuk ka rrugë tjetër veçse të jetë i hapur për reformat teologjike. Ratcinger
është kreu i një kishe botërore dhe tashmë ka kaluar koha e luftës kulturore brenda gjermane, ku ai ka mprehur instrumentat e tij. Tani koha është në favor të tij. Gjysma e botës flet për kthimin tek feja, madje këtë po e bëjnë edhe ata "politikanë realë" të cilëve as që u dallohet ndonjë shenjë kristianizmi në pamje e në vepra."

Kriza qeveritare në Itali dhe kërkesa për dorëheqje e kryeministrit Silvio Berluskoni është një temë tjetër ndërkombëtare që komentohet në gazetat e sotme. "Neue Osnabrücker Zeitung" shkruan: Multimiljarderi nuk zbret vullnetarisht nga froni. Kërkesat e çuditshme të tij për dorëheqje kanë karakter taktik, për t´i përzier nga e para kartat në pokerin e pushtetit dhe të influencës me partnerët e vjetër të koalicionit. Por Berluskoni prej kohësh ka marrë fund në aspketin politik. Për Italinë zgjedhjet e reja janë rruga më e mirë. Sepse asgjë përveç zhgënjimit s´ka mbetur nga premtimet zemërgjera të tij në fillimet e ardhjes në pushtet."


Mbi të njëjtën temë "Neues Deutschland" komenton: "Tani kryeminstri i çuditshëm hap rrugën për krijimin e një qeverie të re dhe dëshiron që të jetë sërish vet në krye. Për këtë ai i var shpresat tek e përbashkëta e madhe që ka kabineti i copëzuar: kjo është frika nga zgjedhjet e reja. Shumicës në vend i ka ardhur në majë të hundës me të vetëshpallurin si shpëtimtar. Në një kohë që sipërmarrësi i madh Berluskoni rrit fitimet e miliardave për vete, Italia nën drejtimin e tij po bie gjithnjë e më thellë në humnerën e një katastrofe ekonomike dhe sociale. Madje edhe vet shoqata më e fuqishme e sipërmarrësve po lëkundet. Nëse Berluskoni që u hedh hi syve të tjerëve do t´ia dalë ta ngrejë sërish kokën nga moçali, ai do të mbetet një kryeministër nga halli, sepse populizmi i tij tashmë ka marrë fund."

Së fundi edhe një citat nga artikulli i "Handelsblatt" lidhur me transmetimin drejtpërdrejt në televizion të seancës së komisionit hetimor për aferën e vizave në Berlin: "Sot për herë të parë në dhomat e gjermanëve nëpërmjet televizionit do të shihen pamje nga salla e mbledhjes së komisionit hetimor në Bundestag. Kjo është një premierë dhe njëkohësisht një çarje e digës. Nëse lejohet një herë, vështirë se televizioni do të mund të mbahet larg forumeve të tjera parlamentare, pavarësisht nga raportet e shumicës politike. Eshtë mirë që po bëhet kjo. Ndonëse tani po spekulohet, nëse një gjë e tillë do të nxjerrë diçka më shumë veçanërisht sa i përket seancës kur do të dëgjohet ministri i jashtëm Joshka Fisher. Por ajo që është e rëndësishme, është fakti, se prania e kamerave do ta përmirësojë punën. parlamentare."