Spanta kundër idesë së organzimit të konferencës me praninë edhe të Talibanëve | Bota | DW | 05.04.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Spanta kundër idesë së organzimit të konferencës me praninë edhe të Talibanëve

Kryetari i partisë socialdemokrate gjermane Kurt Bek ka propozuar që të integrohen Talibanët islamistë në Afganistan. Por kjo ide e është hedhur poshtë nga qeveria afgane.

Të burgosur që lirohen nga burgjet e talibanëve

Të burgosur që lirohen nga burgjet e talibanëve

Bek që është njëkohësisht edhe kryeministër i landit të Rajn-Pfalcit të mërkurën më 3 prill propozoi, që të organizohet një konferencë për Afganistanin edhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të moderuar të Talibanëve. Ministri i jashtëm afgan Rangin Dadfar Spanta, e kritikoi këtë propozim duke theksuar, se nuk ka Talibanë të moderuar.

Rangin Dadfar Spanta nuk e fsheh indinjimin nga iniciativa e Kurt Bekut. Ministri i jashtëm i Afganistanit u njoh me idenë e kreut të socialdmeokratëve gjermanë në Nju Dehli. Në fillim të javës Bek propozi organizimin e një konference të re në Petersberg, një konferencë afgane kjo për paqen dhe pajtimin, në të cilën duhet të marrin pjesë, sipas tij, edhe përfaqësues nga radhët e Talibanëve. Ministri i jashtëm Spanta në një intervistë radiofonike në Gjermani u shpreh me ironi lidhur me nismën e socialdemokratit Bek: "Unë jam habitur shumë me këtë, sepse ne në Afganistan qysh prej një periudhe të konsiderueshme kohe jemi duke kërkuar një Taliban të moderuar dhe nuk e kemi gjetur. Nëse politikanët perëndimorë kanë ndonjë syresh, mund të na e japin adresën dhe personat e kontaktit, në mënyrë që ne të ballafaqohemi me ta."

Ndërkohe që në Gjermani qysh prej së martës diskutohet me zjarr mbi idenë e Kurt Bekut, deri më tani nuk ka pasur reagime nga Afganistani. Kësisoj Rangin Dadfar Spanta ishte i pari anëtar i qeverisë që u pozicionua. Ministri i jashtëm afgan me një përvojë mbi 20 vjeçare në Gjermani, shprehet mëse qartë lidhur me deklarimet e kryetarit të partisë socialdemokrate dhe kryeministrit të Rajn-Pfalcit: "Të thuash që ne në Afganistan kemi Talibanë apo Al Kaida të moderuar ose jo të moderuar, apo diçka të ngjashme, është njësoj sikur unë nga Afganistani apo Kabuli të them përshembull që në landin e Rajn-Pfalcit duhet të krijohet koalicion me partinë ekstremiste nacional-demokrate, apo me përfaqësues të moderuar të saj."

Por në fakt në Afganistan ekzistojnë kontaktet me kundërshtarët e qeverisë. Më shumë se 3000 Talibanë dhe të tjerë militantë gjatë dy viteve të fundit janë aktivizuar me detyra në kuadër të programit kombëtar të pajtimit. Madje ka pasur edhe bisedime me komandantë të nivelit të lartë. E megjithatë qeveria afagne vazhdimisht thekson, se ajo bisedon me të gjitha grupet, por jo me Talibanët. Të njëjtën gjë thekson edhe ministri i jashtëm Spanta: "Pa dyshim që tek Talibanët ka njerëz, që në parim janë instrumentalizuar dhe indoktrinuar prej forcave të huaja. Me të gjitha mënyrat duhet të përpiqemi që këto njerëz t´i riintegrojmë në procesin e paqes. Por si forcë ushtarake dhe politike unë nuk shoh asnjë Taliban të moderuar ose jo të moderuar. Një klasifikim i tillë është një shpikje e atyre, që nuk e kanë idenë e Afganistanit."

Ministri i jashtëm Spanta nuk sheh asnjë shkas për organizimin e ndonjë takimi të madh sipas traditës së konferencave të Petersbergut të vitit 2001 dhe 2002 siç përfytyron Kurt Bek. "Unë tani për tani nuk shoh të ketë kuptim organizimi i një konference të tillë."

Prej bashkësisë ndërkombëtare Spanta pret angazhimin në ndërtimin e shtetit funksionues, në projektet për zhvillimin si dhe në fushën ushtarake. Ndaj ai e përshëndet dërgimin e avionëve zbulues gjermanë Torndado. "Kjo është një detyrë për sigurimin e paqes. Ata që duan të mbrojnë jetën e afganëve si edhe të civilëve gjermanë e të ushtarëve, duhet të jenë në gjendje të zbulojnë, të analizojnë dhe më vonë të kontrollojnë rrugët prej nga lëvizin terroristët. Ne i jemi mirënjohës Gjermanisë për këtë vendim në dobi të Afganistanit, por edhe të Gjermanisë."

Nëse Gjermania duhet të bëjë më shumë në aspektin ushtarak, si përshembull të dërgojë trupa në Jug të vendit ku zhvillohen luftime, kjo nuk duhet vendosur prej meje, thekson Spanta në mënyrë diplomatike. Afganistani dëshiron një "strategji të zgjeruar kundër terrorizmit me elementë civilë dhe ushtarakë", tha ministri i jashtëm afgan.

  • Data 05.04.2007
  • Autor Kristof Heincle
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArJ0
  • Data 05.04.2007
  • Autor Kristof Heincle
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArJ0
Reklamë