1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Spanja i kërkon ndihmë BE-së për përballimin e fluksit të refugjatëve

Bernd Riegert24 Maj 2006

Për një kohë të shkurtër Bashkimi evropian do të dërgojë ekspertë nga Agjensia evropiane për mbrojtjen e kufijve, Fronteks, të cilët do të ngrenë në ishujt Kanare një pikë koordinimi

https://p.dw.com/p/Aqpu
Emigrantët mbërrijnë në Spanjë
Emigrantët mbërrijnë në SpanjëFotografi: AP

Vetëm këtë vit autoritetet spanjolle kanë numëruar rreth 7400 refugjatë, të ardhur nga Afrika në ishujt Kanare. Se sa vetë nuk arrijnë të mbijetojnë, kjo nuk dihet. Prej kohës kur Maroku pas dyndjes në eksklavat spanjolle, Ceuta dhe Melila, i ka përforcuar kontrollin e kufijve me ndihmën e BE-së, afrikanët tanimë marrin drejtimin jugor drejt Evropës, pra nga Saharaja perëndimore, Mauretania apo Senegali. Vitin e shkuar shefat e shteteve dhe qeverive të BE-së, e kthyen problemin e migrimit nga Afrika në Spanjë dhe Itali problem të BE-së.

Spanja kërkon tanimë ndihmën e BE-së. Zëvendëskryeministrja spanjoll,e Maria Tereza Fernandez de la Vega, u shpreh në një vizitë të shpejtë në Bruksel, se bëhet fjalë për një rast urgjent: "Kjo është një situatë që nuk prek vetëm Spanjën, por të gjithë BE-në, pra është e rëndësishme që kjo temë të preokupojë të gjithë. Ky është një problem i madh, që në fund të fundit prek fatin e miliona vetëve, të cilët duan të largohen nga kontinenti. Ne duhet ta shohim problemin e migrimit nga këndvështrime të ndryshme: Bashkëpunim me vendet e ardhjes, ndihmën për zhvillimin, dhe kontrollimin e fluksit."

Për një kohë të shkurtër Bashkimi evropian do të dërgojë ekspertë nga Agjensia për mbrojtjen e kufijve, Fronteks në Varshavë, të cilët do të ngrenë në ishujt Kanare, një pikë koordinimi. Ende nuk është vendosur nëse do të dërgohen fonde për këtë problem.

Ndërsa në plan afatgjatë, BE po influencon që të përmirësohet situata në vendet afrikane. Por ky është një proces i gjatë dhe i vështirë. Tanimë bëhet fjalë për ndihmë akute. Fratini bëri të ditur ngritjen e rojes së përbashkët detare:
"Drejtorët nga fronteks do të jenë në gjendje që t'u kërkojnë shteteve anëtare që brenda dy javësh të ndihmojnë. Ne kemi tetë shtete anëtare, të cilat mund të venë në gadishmëri anije të shpejta apo avionë spiunë.

Me këta avionë synohet që të zbulohen sa më shpejt anijet e refugjatëve në brigjet afrikane dhe të merren nga flota detare, u shpreh zëvendëskryeministrja e Spanjës, Fernandez de la Vega.


Qeveria spanjolle do të kthejë të gjithë emigrantët afrikanë që nuk i plotësojnë kërkesat për azil. Problemi është se këta refugjatë nuk kanë letra njoftimi. Kthimi nuk është i mundur, sepse nuk mund të përcaktohet nënshtetësia.

Komisari i BE-së, Franko Fratini, u shpreh, se BE-ja do të bëjë të gjitha përpjekjet për të organizuar fluturime të përbashkëta kthimi. Një sistem kompjuterik informimi do të vihet në përdorim, me qëllim që të mmblidhen të dhëna për bandat e trafikantëve dhe rrugëkalimin e refugjatëve në Afrikë.

E njëjta asistencë do t'i ofrohet edhe Maltës dhe Italisë, bëri të ditur Franko fratini. Edhe me kreun e shtetit libian, Gadafi, Fratini ra dakord për të përforcuar bashkëpunimin, me qëllim të ndalimit të fluksit të refugjatëve nga Afrika veriore.


Ndërsa pas një takimi me përfaqësues të bashkësisë ekonomike të Afrikës perëndimore, EKOVAS, në Vjenë Ministrja e jashtme e Austrisë, presidente e radhës së BE-së, Ursula Plasnik, u shpreh se nevojiten zgjidhje racionale dhe të qarta për problemin e migrimit. Kryetarja e grupit të EKOVAS, të Nigerit, ministrja Aiçatou Mindaoudu, theksoi se vetëm lufta kundër varfërisë do të lehtësojë presionin për të emigruar.