Sot zhvillohen zgjedhjet parlamentare në Palestinë | FOKUS | DW | 25.01.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

FOKUS

Sot zhvillohen zgjedhjet parlamentare në Palestinë

Sot në Palestinë kanë filluar zgjedhjet parlamentare. Këto janë zgjedhjet e para parlamentare që prej dhjetë vitesh në këtë rajon

Palestinezët votojnë

Palestinezët votojnë

Gjithçka varet nga klima. Në rast se do të jetë kohë e bukur, atëherë mund të llogarisim me një pjesëmarrje të lartë në këto zgjedhje, thotë Mahdi Abdel Hadi, drejtori i institutit palestinez për politikën në Jeruzalemin Lindor. Por në rast se bie shi apo madje dëborë, vazhdon ai, atëherë grupi i Hamasit do të përfitojë nga moti. Sepse në rast të tillë, Hamasi ka vënë në dispozicion autobuzë, të cilët mund të përdoren nga populli për të shkuar në pikat e votimit.

Rreth 1.4 milionë palestinezë priten të votojnë sot për parlamentin e tyre të ri. 11 parti dhe shumë kandidatë të pavarur kandidojnë në këto zgjedhje. Dy konkurrentët kryesorë janë Lëvizja e Fatahut e presidentit Mahmud Abaz dhe grupi i Hamasit, i cili kandidon nën emrin "Ndryshim dhe Reforma".

Pas tyre vijnë parti të vogla dhe lëvizje të ndryshme politike. Por Hamasi kandidon për herë të parë dhe po të kemi parasysh suksesin që pati ky grup gjatë zgjedhje komunale që u zhvilluan në vend vitin e kaluar, atëherë mund të thuhet me siguri se Hamasi do të hyjë në parlametin e ri palestinez. Shumë ekspertë dhe analistë kanë deklaruar se llogarisin me të paktën 30% të votave në favor të Hamasit.

Edhe Mahdi Abdel Hadi është i sigurtë se Hamasi do të jetë pjesë e qeverisë së re: "Në fakt kjo është një garë pikë më pikë mes Fatahut dhe Hamasit. Besoj se do të kemi 62 mandate për Fatahun dhe 58 për Hamasin dhe 12 për të tjerat. Mendoj se do të kemi një koalicon mes Fatahut dhe Hamasit."

Ndërkohë në Izrael opinioni publik është i shqetësuar mbi sukseksin e mundshëm të Hamasit në këto zgjedhje. Ish ministri i jashtëm Shimon Peres u shpreh për një radio izraelite: "Sido që të jenë rezultatet finale të këtyre zgjedhjeve, fitorja e Hamasit do të jetë një dilemë. Le të supozojmë se Hamasi do të fitojë, ndonëse nuk e besoj këtë gjë. Pra në rast se Hamasi do të krijojë një qeveri a do të vazhdojë te jetë në të njejtën kohë një organizatë terroriste? Kush do të flasë me këtë grup? Kush do të ulet në një tryezë me ata që vënë bomba? Qeveria e përkohshme autonome palestineze ka rreth 150.000 nëpunës dhe bashkëpunëtorë. Këta njerëz duhen paguar dhe kjo nuk mund të bëhet pa ndihmë nga jashtë. Por kush do ta financojë një grup terrorist? Nuk mund të ekzistojë një koalicion me terroristë që vënë bomba nën makina dhe autobuzë."

Ndërkohë politikanë të Hamasit kanë deklaruar se në rast se do të krijohet një koalicion, grupi i tyre kërkon vetëm disa poste jorelevante ministrore.

Votuesit mund të zgjedhin mes 700 kandidatëve që janë vënë listat zgjedhore. 85 prej tyre janë gra. Pikat e votimit do të mbyllen sot në mbrëmje në orën 19.00. Por rezultatet përfundimtare priten pas disa ditëve.

  • Data 25.01.2006
  • Autor Bettina Marx
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqgJ
  • Data 25.01.2006
  • Autor Bettina Marx
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqgJ