1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sot pritet të merren vendime konkrete

25 Shtator 2009

Ndërsa G20 po diskuton në Pitsburg për forcimin e rregullave për tregjet financiare në Botë bankat evopiane kanë frikë se prej reformimit mund të kenë një pozitë më të keqe ndaj konkurrencës nga SHBA.

https://p.dw.com/p/Joc9
Angela Merkel dhe Barack Obama në takimin e G - 20.
Frikë nga konkurenca me SHBA-në?Fotografi: AP

Ndërsa kryetarët e shteteve dhe të qeverive të G20, ndër ta edhe kancelarja gjermane Merkel po diskutojnë në Pitsburg për forcimin e rregullave për tregjet financiare në Botë, bankat evopiane kanë frikë se prej reformimit të sistemit financiar botëror mund të kenë një pozitë më të keqe ndaj konkurrencës nga SHBA.

Një ndër qëllimet e takimit të G20 në Pitsburg të SHBA-së është krijimi i një sistemi global paralajmërues dhe forcimi pa përjashtim i rregullave për tregjet financiare në Botë. Gjatë dy ditëve të takimit synohet të vendosen të paktën piketat në mënyrë që kriza të fortë të mos përsëritet më. Po ashtu pritet të bihet dakord për dispozita më të ashpra në lidhje me kërkesat për kapitalin e vetë bankave, sidomos për bankat e mëdha. Në këtë drejtim synohet që bankat të detyrohen që të kujdesen për tepër për risqet e mundshme dhe të ulin shpërbimet astronomike për manaxherët.

Protesta me rastin e takimit të G-20 në Pitsburg.
Protesta me rastin e takimit të G-20 në Pitsburg.Fotografi: AP

Në këtë kontekst bankat kanë frikë se në të ardhmen ndoshta nuk do të kenë mundësi të arrijnë fitimet e tyre shpesh përrallore. Për këtë tregjet më të rëndësishme financiare në New York dhe Londër këmbëngulin për sa më pak rregulla dhe masa shtetërore. Kurse bankat evopiane kanë frikë se prej reformimit të sistemit financiar botëror mund të vihen në një pozitë më të keqe ndaj konkurrencës nga SHBA.

Shefi i "Deutsche Bank" Josef Ackermann, njëkohësisht edhe kryetar i Shoqatës Ndërkombëtare të bankave IIF, kërkon që Evropa të mos ua shtërngojë bankave të saj prangat më të tepër se sa SHBA apo Kina. Prej fuzionimeve në SHBA janë krijuar banka të mëdha. Po ashtu edhe institutet bankare kineze ia kanë dalë të renditen në krye të atyre të botës, - shkruan Ackermann në një artikull të botuar në gazetën NZZ. Ai tërheq vëmendjen se sa më të ngushta që të jenë kufijtë e veprimit për sektorin bankar, aq më i ulët do të jetë edhe përfitimi i sektorit të financave.

Angela Merkel dhe Peer Steinbrück.
Bankat kanë frikë se në të ardhmen ndoshta nuk do të kenë mundësi të arrijnë fitimet e tyre shpesh përrallore.Fotografi: DPA

Edhe BE-ja kërkon që SHBA-ja të vërë në jetë rregullat e parashikuara në marrëveshjen Bazel II, të cilat janë më të forta se të mëparshmet dhe që vlejnë tashmë për bankat evropiane.

Megjithë deklaratat e bëra nga presidenti Obama dhe kryeministri Gordon Brown, se do të nxjerrin mësime prej krizës SHBA dhe Britania e Madhe dyshohet se janë duke i zbutur kërkesat për reformat e kërkuara pas krizës. Kancelarja Merkel është e mendimit se qeveritë duhet të kenë guximin dhe forcën që të marrin edhe vendime me të cilat disa banka mund të mos jenë tërërisht të kënaqura dhe dakord.

Gjatë darkës së mirëseardhjes që dha presidenti Obama të enjten u bënë përpjekje për të gjetur mundësi dhe linja kompromisi. Gjatë ditës së sotme pritet të merren vendime konkrete.

Autor : Dr. Pandeli Pani

Redaktoi : Aida Cama