1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Soreca: Europa është një histori e fillimeve të reja

9 Maj 2021

Ambasadori i Delegacionit të BE në Shqipëri në mesazhin për Ditën e Europës: BE ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme solidariteti me Shqipërinë në përballimin e pandemisë dhe tani është koha për hapjen e negociatave.

https://p.dw.com/p/3tAt4
Interview Botschafter Europäische Union Albanien Luigi Soreca
Fotografi: Mrine Gordanca

Mbështetja e BE ndaj Shqipërisë për të dalë nga pandemia covid - 19 dhe optimizmi për hapjen e negociatave të pranimit në BE janë në qendër të video - mesazhit të ambasadorit të delegacinit të BE në Shqipëri, Luigi Soreca, të dielën, më 9 maj, në Ditën e Europës.

"Europa është një histori e fillimeve të reja. Dhënia fund e pandemisë është ajo që i duhet tani  Europës, përfshirë dhe Shqipërinë. Kjo është përgjegjësia jonë e përbashkët. Ne duhet ta kapërcejmë këtë krizë të gjithë së bashku dhe të ofrojmë një fillim të ri për të ardhmen e qytetarëve europianë,” theksoi të dielën, (09.05)  ambasadori Soreca.

Askush nuk është i sigurt pa qenë të gjithë të sigurtë

Me këtë përqaje të BE ndaj përballimit të pandemisë covid - 19, ambadadori Soreca ka paraqitur një bilanc të mbështetjes së BE ndaj Shqipërisë.

"BE ka qëndruar përkrah Shqipërisë në një përpjekje të jashtëzakonshme solidariteti. Brenda një viti, BE i ka dhuruar Shqipërisë më shumë se 4 milion Euro pajisje spitalore. Spitalet shqiptare tashmë janë në një gjendje shumë më të mirë se sa një vit në parë. BE ka dhuruar gjithashtu më shumë se 50 milionë euro për të ndihmuar bizneset e vogla dhe bashkitë si edhe mbështetur trajnimet profesionale, që të rinjtë shqiptarë të gjejnë punë në vendin e tyre. Muajin e kaluar, në prill, BE disbursoi edhe 90 milionë Eurot e para të ndihmës së tij makro-financiare. Delegacioni i BE në Shqipëri, ka bërë të mundur edhe një dhurim të përgjithshëm prej më shumë se 230 milionë Eurosh, për të ndihmuar në përballimin e pandemisë”, thekson ambasadori Luigi Soreca.

Ai ka sjellë gjithashtu në vëmendje 145 mijë dozat e vaksinës Phiser-BioNTech, pjesë e  651 mijë vaksinave të tilla që BE do t'u japë 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të programiyt COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Pjesa e parë e sasisë për Shqipërinë ka mbrritur në mes të kasaj jave, (05.05) me vizitën në Tiranë të komisionerit të BE, Olivér Várhelyi. 

"Deri tani, më shumë se 200 milionë doza vaksinash të prodhuara në Evropë janë dërguar në pjesën tjetër të botës. Mbërritja në Shqipëri e grupit të parë prej 145 mijë vaksinash Pfizer, të paguara nga BE-ja, është një tjetër dëshmi se Evropa është këtu donatori më i madh në vend, me qëllim për të përmirësuar jetën e përditshme të shqiptarëve, edhe para se Shqipëria të bashkohet me BE-në, ” thekson Ambasadori Soreca në video-mesazhin e tij me rastin e 9 majit, Ditës së Europës

Të  shohim përpara me shpresë dhe optimizëm

Nisur nga shifrat në rënie të viktimave dhe rasteve të reja të infektuara me covid -19 në javën e parë të këtij muaji, Ambasadori Soreca bëri thirrje për të parë "përpara me shpresë dhe optimizëm”.

"Të shohim përpara do të thotë që duam të shohim nisjen sa më shpejt të jetë e mundur të negociatave të pranimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Vitin e kaluar, shtetet anëtare vendosën të hapnin negociatat. Së shpejti ato do të vendosin për fillimin e Konferencës së parë Ndërqeveritare. Muajt e fundit kanë treguar përparim të vërtetë në shumë fronte, përfshirë  –bërjen funksionale të Gjykatës Kushtetuese dhe zhvillimin e rregullt të zgjedhjeve. Jemi të bindur se tani është koha për ta bërë këtë hap të rëndësishëm, tha në Ditën e Europës 2021, ambasadori i BE në Shqipëri, Luigi Soreca.

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana