1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sonja Biserko: Manipulim të pastër i prokurorisë serbe

Bahri Cani10 Prill 2009

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi: Mënyra e paraqitjes së të dhënave nga prokuroria serbe s'ka si qëllim sqarimin e fatit të të zhdukurve dhe Carla del Ponte ka bërë një gabim të madh.

https://p.dw.com/p/HURf
Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, gjatë një vizite në Kosovë
Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, gjatë një vizite në KosovëFotografi: Refki Alija

Supozimet për rrëmbimin, keqtrajtimin, nxjerrjen e organeve dhe vrasjen e serbëve dhe joshqiptarëve në kohën e luftës së Kosovës, kanë zgjuar interesim të madh tek opinioni serb. Të enjten (09.04) edhe BBC-ja britanike solli informacione për krimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ish-kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, Carla del Ponte, ishte e para e cila në librin e saj "Gjuetia", bëri publike dyshime për krimet e mundshme kundër serbëve dhe joshqiptarëve, të kryera në veri të Shqipërisë nga pjestarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Prokuroria serbe për krime lufte ka kërkuar prej Shqipërisë vazhdimin e hetimeve. Ndërkohë që Tirana zyrtare ka refuzuar, me shpjegimin se hetimet janë kryer dhe se nuk ka dëshmi konkrete. Sipas BBC news disa dëshmitarë anonimë citohen të kenë thënë se UÇK-ja ka bërë krime. Sidoqoftë, në mungesë të dëshmive, Carla del Ponte nuk ka ngritur ndonjë aktakuzë.

Supozime të papërgjegjshme

"Mendoj se Carla del Ponte në mënyrë shumë të papërgjegjshme i ka bërë publike këto supozime, pa paraqitur kurrfarë dëshmish. Në një atmosferë të ndezur siç kemi ne në rajon, këto pohime vetëm sa mund t'i keqësojnë raportet. Prokuroria serbe ka nisur një fushatë ku çdo ditë informon opinionin për hetimet që po kryhen, gjë që është në kundërshtim me parimet e punës së prokurorisë. Kjo fushatë është e keqe, sepse nëse ekzistojnë dëshmi duhet të fillojë edhe procesi. Mënyra e prezantimit të këtyre të dhënave ka një qëllim tjetër dhe jo sqarimin e fatit të njerëzve të zhdukur, që për familjet e tyre është një tragjedi e madhe." - thotë Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko.

Prokuroria serbe ka botuar kohët e fundit disa fotografi të ish-luftëtarëve të UÇK-së për të cilët pohon se janë të përzier në krimet e bëra në veri të Shqipërisë. Nëse supozimet për krime nuk janë shkaku kryesor, cili është qëllimi i Prokurorisë?

"Nxitja e atmosferës së padurimit ndaj shqiptarëve, sepse këto gjëra nuk sillen aspak në kontekstin e duhur. Në Serbi Kosova prezantohet vetëm si shkas për fillimin e ndërhyrjes ushtarake, por nuk shpjegohen shkaqet pse erdhi deri tek ndërhyrja. Për ndërhyrjen flitet sikur ajo të ishte e befasishme dhe pa asnjë shkak. Fjala është për një manipulim të pastër dhe mendoj se Carla del Ponte ka bërë një gabim të madh." - thotë Biserko.

S' është e papranueshme të bëhet fushatë vetëm në bazë të supozimeve

Shumë organizata joqeveritare në Serbi janë marrë më konkretisht edhe me krimet e bëra në hapsirat e ish-Jugosllavisë. A ka Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi të dhëna për krimet e UÇK-së?

"Jo, nuk e di që ndonjë organizatë joqeveritare të ketë të dhëna të këtilla. Këto të dhëna mund t'i kenë vetëm organet e shtetit: policia dhe prokuroria. Në qoftë se i kanë këto të dhëna, atëherë duhet të ngrihen aktakuzat, sepse është e papranueshme që të bëhet fushatë vetëm në bazë të supozimeve. Këto janë shumë çështje serioze dhe të ndjeshme për të gjitha palët. Prandaj edhe kërkohet një përgjegjësi shumë e madhe, në veçanti ndaj familjarëve të të zhdukurve." - sqaron kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko.