Solana: Shqipëria nevojitet të bindë me aksione të vendosura | Politika | DW | 29.11.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Solana: Shqipëria nevojitet të bindë me aksione të vendosura

Filloi vizita e kryeministrit shqiptar, Sali Berisha në Bruksel. Kryeministri i Shqipërisë zhvilloi takime me shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Havier Solanën si edhe me kryetarin e Parlamentit Europian, Josep Borrell

Komisioni evropian, Bruksel

Komisioni evropian, Bruksel


Përmbajtja e takimit të sotëm ndërmjet kryeministrit shqiptar Sali Berisha me shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Havier Solanën, u bë e njohur nga zyra e shtypit e BE-së me anë të një komunikate për shtyp. Sipas kësaj komunikate shefi i politikës së jashtme të BE-së i bëri thirrje kryeministrit shqiptar të vazhdojë të përqëndrohet fuqishëm në axhendën e reformave europiane, në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Havier Solana i bëri të ditur zotit Berisha nevojën që angazhimet e marra të zbatohen në aksione të dukshme dhe të qarta, duke zbatuar me rigorozitet dhe përpikmëri ligjin. "Shqipëria nevojitet të bindë me aksione të vendosura" - ka theksuar Solana. Ai ka shtuar se përparimet e Shqipërisë do të gjykohen në bazë të rezultateve konkrete në terren. Shefi i diplomacisë së jashtme të BE-së ka kërkuar po ashtu ndryshimin e kodit elektoral në bazë të propozimeve të ODIHR-it pas zgjedhjeve të 3 korrikut si dhe vazhdimin e një roli moderues të Shqipërisë në rajon duke i dhënë mbështje të plotë punës së tw dërguarit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën.

Menjëherë pas takimit me Solanën, kryeministri shqiptar u takua edhe me kryetarin e Parlamentit Europian, Josep Borrell. Në konferencën e shtypit që pasoi, kryeministri shqiptar pohoi edhe një herë tjetër para mikpritësit të tij angazhimin e qeverisë shqiptare për të vazhduar me ngulm në rrugën e reformave, në vendosjen e shtetit të së drejtës, në luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit si dhe shprehu shpresën për përfundimin shpejt të negociatave të marrëveshjes së Asocim - Stabilitetit. Presidenti i Parlamentit Europian ndër të tjera e siguroi zotin Berisha, se Parlamenti nuk do të jetë kurrsesi pengesë për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, por kusht për të mbeten konkluzionet e shprehura gjatë takimit të para pak ditëve mbajtur në Tiranë ndërmjet delegacionit të Parlamentit Europian të kryesuar nga Doris Pack dhe qeverisë shqiptare. Presidenti i Parlamentit Europian bëri të njohur me tej se për Shqipërinë ai ishte interesuar për së afërmi që gjatë vitit 1997, pasi kishte pasur djalin e tij ushtar në forcat që bashkësia ndërkombëtare dërgoi në Shqipëri në atë kohë, për të rivendosur rregullin pas rrënimit të firmave piramidale.

Pas këtyre takimeve Sali Berisha u takua edhe me komisionerin përgjegjës për rendin dhe drejtësinë, Franko Frattinin me të cilin bisedoi për problemet e rendit, forcimin e bashkëpunimit në këtë fushë me BE-në si dhe çështjen e vizave.

Sot në mbrëmje ai do të takohet edhe me presidentin e Komisionit Europian, Barrozon si dhe do të mbajë një fjalim para Institutit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Nesër Berisha do të pritet në selinë e NATO-s në Bruksel, nga shefi i Aleancës Atlantike Jaap de Hop Scheffer.

  • Data 29.11.2005
  • Autor Viron Gjymshana
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqsJ
  • Data 29.11.2005
  • Autor Viron Gjymshana
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqsJ