Socialistët votojnë për kthimin në shoqatë | Gjermania | DW | 27.11.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Socialistët votojnë për kthimin në shoqatë

Përgatitet baza juridike për krijimin e një të majte të re

Lothar Bisky dhe Gregor Gysi

Lothar Bisky dhe Gregor Gysi

Partia e majtë gjermane, PDS, ka vendosur të djelën piketa të reja në rrugën drejt krijimit të një të majte të re në Gjermani. Në një kongres të jashtëzakonshëm partie të deleguarit votuan në shumicë për transformimin e partisë në një shoqatë me personalitet juridit.

Ky hap ishte i nevojshëm nga pikpamja ligjore për të mundësuar në qershor të vitit të ardhshëm bashkimin me partinë gjermano-perëndimore "Alternativa Zgjedhore për Punë dhe Drejtësi Sociale", shkurt WASG. WASG e kishte përfunduar një javë më parë ndryshimin përkatës të statutit.

Politikanët kryesorë të Partisë së Majtë nuk dukej se ishin plotësisht të sigurtë nëse do të siguronin 2/3 e votave të kërkuara nga statuti për transformimin e partisë në shoqatë. Dyshimet duket se u shtuan kur një numër të deleguarish kritikuan stilin e qeverisjes së shokëve në qeverinë e landit të Berlinit. Në kryeqytetin gjerman të enjten e shkuar u vulos ripërtëritja e koalicionit me socialdemokratët me të cilët Partia e Majtë / PDS qeveris që prej vitit 2001.

Për një aleancë të tillë në rang federal pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në vitin 2009 ka të ngjarë të ëndërrojë kryetari i grupit parlamentar i PDS-it, Gregor Gysi. Sinjali vendimtar për këto lloj shpresash duket se është bashkimi me Alternativën Zgjedhore për Punë dhe Drejtësi Sociale, WASG.

Për këtë pledoi në fjalën e tij Gysi si oratori i fundit në kongresin e jashtëzakonshëm të partisë, në përpjekje për të bindur edhe të lëkundurit e fundit: "Tani duhet të mësojmë të luftojmë, nga Bavaria në Mecklenburg-Vorpommern, në të gjithë Gjermaninë e më tutje në Europë! Dua që t'u japim fund disa debateve mendjengushta dhe të bëhemi të ndërgjegjshëm për shanset e mëdha. E majta vështirë se do të ketë shpejt sërish një shans të tillë! Le të mos e shkojmë atë dëm, le të organizohemi! Le të themelojmë këtë parti të përbashkët! Dhe do të na njohim se kush jemi, e do të na e kenë pak frikën. Kjo nuk është aspak gjë e keqe!"

Gysi foli gati trefishin e kohës së lejuar për fjalimin prej pesë minutash dhe apeli i tij i zjarrtë e tregoi efektin: 337 nga 340 delegatët e pranishëm nga gjithë Gjermania votuan pro transformimit të Partisë së Majtë /PDS në shoqatë. Kryetari i partisë në rang federal Lothar Bisky u përpoq të bëntë të qartë në fillim të kongresit të jashtëzakonshëm se kjo votë ishte vetëm një objektiv i ndërmjetëm. Shanset për një të Majtë të përbashkët të suksesshme gjenden në rradhë të parë në Perëndim.

Në landet e vjetra Partia e Majtë /PDS ka ngecur vazhdimisht nën 5 përqindshin e kërkuar për futjen në parlament. Kjo pritet të ndryshojë me ndihmën e ish kryetarit të socialdemokratëve Oskar Lafontaine. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005 si kandidati kryesor i WASG-ut Lafontaine konkurroi në të njëjtën listë zgjedhore me Partinë e Majtë. Rezultati:8.7 përqind.

Në parlament e majta e bashkuar ka kohë që është realitet, por në nivel partish ky hap ende nuk ka përfunduar. Kryetari i Partisë së Majtë Bisky shpreson në suksese gjatë zgjedhjeve për parlamentet e landeve vitin e ardhshëm: "Nëse bashkë me WASG do të arrijnë të marrim pjesë në parlamentet e landeve atëherë vërtet do të kemi arritur të ndërtojmë një forcë të majtë dhe nuk do të humbasim as rihyrjen në Bundestag."

Tani që Partia e Majtë / PDS dhe WASG kanë kapërcyer edhe pengesën e fundit ligjore në kongresin e bashkimit qershorin e vitit të ardhshëm do të hidhet hapi vendimtar drejt së Majtës së re. Fjalën e fundit do ta kenë anëtarët e partisë në kuadër të një votimi të bazës.

  • Data 27.11.2006
  • Autor Marcel Fürstenau
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqyY
  • Data 27.11.2006
  • Autor Marcel Fürstenau
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqyY