Socialdemokratët gjermanë dridhen dhe shpresojnë | Gjermania | DW | 03.03.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Gjermania

Socialdemokratët gjermanë dridhen dhe shpresojnë

Dritë e gjelbër për një raund të ri koalicioni mes konservatorëve e socialdemokratëve gjermanë? Apo anëtarët e Partisë Socialdemokrate do t’i prishin të gjitha planet me votën e tyre. Të dielën publikohet vendimi.

Prej javësh flitet vetëm për një temë mes socialdemokratëve – do të duhet të hyjë kjo parti për herë të tretë në një koalicion me kancelaren Merkel e partisë CDU apo jo? Më mirë të mbetet në opozitë? Partia Socialdemokrate momentalisht është më e ndarë se kurrë. Vetë Andrea Nahles, që pritet të marrë postin e kryetares së partisë e që drejton grupin parlamentar në Bundestag nuk ishte e sigurtë. Por ajo vendosi për Po, duke marrë parasysh kushtet aktuale. Që atëherë ajo bën fushatë për një koalicion të ri me Merkelin.

Në Berlin dhe në Bonn në kongrese të jashtëzakonshme të partisë, në shtatë konferenca rajonale krerët socialdemokratë janë takuar për të diskutuar me bazën për këtë problematikë. Nganjëherë sallat mbusheshin me 200 vetë, nganjëherë me 600. Paralelisht fushata informuese vazhdoi  edhe në mediat sociale me qëllim që të bindeshin sa më shumë nga 473.000 anëtarët e Partisë Socialdemokrate. Çdo votë numërohet.

Deutschland Berlin Kabinettssitzung Merkel und Nahles

Andrea Nahles dhe Merkel

I ka bindur partia të pavendosurit?

Dy javë kohë kishin anëtarët e kësaj partie për të dhënë votën për pyetjen „Duhet që Partia Socialdemokrate e Gjermanisë, SPD të përmbyllë marrëveshjen e koalicionit të arritur me Partinë Kristiandemokrate, CDU dhe Partinë Kristiansociale, CSU? Po ose jo. Afati i fundit i dërgimit të zarfeve me postë ishte 2 marsi. Tani 120 vullnetarë numërojnë votat në selinë e partisë në Willy-Brandt Haus. Të dielën paradite publikohet rezultati. Nga lidershipi socialdemokrat dëgjoheshin ditët e fundit tone optimiste. Pritet një shumicë me po për marrëveshjen e koalicionit, megjithëse rezultati do të jetë i ngushtë.

Në vitin 2013, kur anëtarët socialdemokratë u pyetën për koalicionin me CDU/CSU rezulati ishte ndryshe. 76% e anëtarëve i thanë po koalicionit. Deputeti socialdemokrat, Karl Lauterbach, thotë se këtë herë rezultati do të jetë shumë më i ngushtë. Megjithatë ai ka ndjesinë se partia ka arritur të bindë shumicën e të pavendosurve.

Por çfarë ndodh nëse thuhet Jo?

Por nëse nuk ndodh kështu? Duket se krerët socialdemokratë kanë vetëm një plan A- hyrjen në koalicon. Një plan B nuk ka. Andrea Nahles do të mbetet në krye të partisë, edhe nëse baza i thotë Jo koalicionit. Por a nuk do duhej që të largoheshin krerët kryesorë nëse SPD vendos kundër koalicionit?

Në rast të të një Jo-je asgjë nuk do të ishte si më parë në SPD: Megjithëse edhe në gjendjen e tanishme partia gjendet në krizën më të madhe të historisë së saj 150 vjeçare. Para pesë muajsh në zgjedhjet e Bundestagut ajo arriti rezultatin më të dobët historik, 20% të votave. Aktualisht ajo kap vetëm 18% të tyre.

Außerordentlicher SPD-Parteitag Karl Lauterbach

Deputeti Karl Lauterbach

Qeveri pakice apo zgjedhje të reja?

Po si do të veprojnë CDU dhe CSU, nëse SPD thotë jo? Të qeverisin në pakicë e të kërkojnë rregullisht mazhoranca për ligje të caktuara? Apo do të ketë zgjedhje të reja? SPD duhet të ketë frikë se në rast të tillë, ajo ka gjasë të tejkalohet nga forca e tretë aktualisht në renditje në parlamentin gjerman, partia populiste e djathtë, AfD? Jo pak anëtarë të partisë do ta kenë pasur në mendje këtë, në momentin e dhënies së votës për koalicion apo jo. Pra më mirë një koalicion i ri, me shpresën që këtë herë të mos humbasin profilin brenda tij.

Por kjo është ajo që paralajmëron lëvizja kundër koalicionit brenda socialdemokratëve. Kreu i të rinjve socialdemokratë, Kevin Kühnert ka kërkuar refuzimin e një koalicioni rishtazi me konservatorët. Ai nuk beson se SPD do të rigjenerohet përmes rrugës së qeverisjes. Kjo, kur unioni në legjislaturën e fundit nuk e mbajti fjalën dhe e bllokoi pjesërisht zbatimin e marrëveshjes së arritur në vitin 2013.

Deputeti i SPD-së, Karl Lauterbach nuk e ndan këtë mendim. Sipas tij, SPD mund të profilizohet mjaft mirë edhe brenda qeverisë. Një mendim që e ndan edhe deputeti tjetvr socialdemokrate Carsten Schneider. Ai është „optimist" se vota e anëtarëve të partisë do të jetë pozitive. Sepse e di që këtë herë për SPD vihet në lojë gjithçka. „Të mbetesh apo të shuhesh si parti popullore."