1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shërbimet sekrete gjermane bashkëpunojnë ngushtë me NSA

Marcus Lütticke / exh22 Qershor 2014

Në një numër dokumentesh NSA përshkruan bashkëpunimin e saj me shërbimet sekrete gjermane. Por dokumentet e publikuara tani ngrenë po aq pyetje sa japin dhe përgjigje.

https://p.dw.com/p/1CNTR
Fotografi: Reuters

Bëhet fjalë për numrin më të madh të dokumenteve origjinale që hapen për publikun nga totali i dokumenteve të Edward Snowden. Revista informative gjermane Der Spiegel publikoi këtë javë rreth 50 shkresa të NSA të klasifikuara si sekrete dhe që dokumentojnë bashkëpunimin e saj me shërbimet informative gjermane.

Në to gjenden një numër të dhënash që tregojnë se Shërbimi Informativ Gjerman (BND) dhe Zyra gjermane për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV) bashkëpunojnë shumë ngushtë me NSA në përgjimin e komunikacionit telefonik dhe internetit, ndoshta më ngushtë nga sa kanë dashur të pranojnë deri tani.

Suksese të NSA-së

Dokumentet e publikuara megjithatë ofrojnë vetëm informacione të shkëputura dhe jo një pamje të përgjithshme. Kështu në dokumentin e vitit 2013 NSA përshkruan bashkëpunimin e mirë afatgjatë me BND-në dhe më vonë edhe me BfV dhe Zyrën Federale për Siguri në Teknikën e Informacionit (BSI). Sipas dokumentit në fjalë me BND ka pasur që prej vitit 1962 një këmbim të dendur në nivel analitik, operativ dhe teknik.

Me termin "histori suksesi" në dokument lëvdohet fakti që qeveria gjermane ka zbutur mbrojtjen e qytetarëve të saj nga survejimi. "Qeveria gjermane e ka ndryshuar intepretimin e ligjit G-10, që mbron komunikacionin e qytetarëve gjermanë, në mënyrë të tillë, që i mundëson BND-së të jetë më fleksibël në ndarjen e informacioneve të mbrojtura me partnerë të huaj." Ligji G-10 rregullon kompetencat e shërbimeve informative gjermane në rast ndërhyrjesh në të drejtat e garantuara nga Neni 10 i ligjit themeltar për sekretin e letrës, postës dhe telekomunikacionit.

Malte Spitz, anëtar i këshillit partiak të ekologjistëve gjermanë, BÜNDNIS 90/DIE GRÜNEN, dhe zëdhënës i grupit federal të punës Media dhe Politika në Rrjet, bëhet shumë i vëmendshëm kur dëgjon për të tilla "histori suksesi" të NSA-së në Gjermani. "Cështja themelore është nëse zyra e kancelares i ka mbështetur shërbimet për të marrë miratimet përkatëse që mundësojnë një survejimi më të gjerë përmes një interpretimi të ndryshëm të ligjit G-10."

Lista misterioze

Pyetje lindin edhe nga një dokument tjetër me titullin "JSA Restrictions". JSA është shkurtimi i Joint SigInt Activity, zbulimi i përbashkët teknik i NSA dhe BND në Bad Aibling në Bavari. Meqenëse BND si shërbim informativ për jashtë vendit nuk lejohet të survejojë shtetas gjermanë, dokumenti përcakton që adresat që përfundojnë me ".de" nuk do të përfshihen. Po kështu të përjashtuara janë edhe adresa që përfundojnë me inicialet e vendeve të të ashtuquajturit "Five Eyes", një rrjet spiunazhi që përbëhet nga Australia, Zelanda e re, Kanadaja, Britania e Madhe dhe SHBA.

Por mqs shumë qytetarë gjermanë kanë edhe adresa emaili me mbaresa si ".net", ".com" apo ".org", është shtuar një listë adresash, të cilat gjithashtu nuk duhet të survejohen, pasi i takojnë Gjermanisë. Lista me 50 emra është çuditërisht e shkurtër dhe përmban krahas adresave të pritshme si bundeswehr.org, mercedes-benz.org, deutsche-bank dhe siemens.com edhe disa të tjera të cilat duken krejt arbitrare si: feuerwehr-ingolstadt.org, orgelbau.com apo seniorenheim.com.

"Do të ishte për të qeshur nëse nuk do të kishim të bënim me një çështje kaq serioze", mendon Andre Meister, redaktor në portalin e internetit netzpolitik.org. "As ne nuk kemi një adresë '.de' por adresa jonë 'netzpolitik.org' nuk është në listë për fat të keq. Pra duhet të supozojmë se survejohemi." E njëjta gjë vlen edhe për shërbime gjermane të emailit si gmx.de.

Edward Snowden
Edward SnowdenFotografi: Reuters

Politikani i gjelbër Malte Spitz gjithashtu nuk gjen asnjë logjikë në hartimin e listës. Për të është i domosdoshëm një sqarim i shpejtë: përse në listë janë emrat e këtyre kompanive dhe jo të tjera? Përse ajo nuk përmban adresat e emailit të politikanëve apo gazetarëve? Kush e ka hartuar këtë listë? Kanë marrë pjesë në hartimin e saj edhe BND apo zyra e kancelares?

Sqarime nga Komisioni hetimor për NSA

Përgjigje mund të japë Komisioni hetimor për NSA. Ai planifikonte të merrte informacione edhe nga një marrje direkt në pyetje e Edward Snowden. Por nëse kjo do të ndodhë është ende e paqartë. Ndërkohë që politikanë ekologjistë dhe të majtë kërkojnë që Snowden të pyetet në Berlin, kristiandemokratët (CDU) pranojnë vetëm një marrje në pyetje në Moskë, me sa duket për të shmangur një konflikt të mundshëm me SHBA.

Në fillim të qershorit konservatorët dhe socialdemokratët vendosën megjithë kundërshtimin e opozitës, që të zhvillohet një bisedë informale në Moskë me Snowden, ndoshta në fillim të korrikut. Por Snowden i komunikoi komisionit për NSA-në të premten (20.06.2014) përmes avokatit të tij, se nuk sheh aktualisht "as hapësirë dhe as nevojë" për një "bisedë informale" në Moskë. Tani Komisioni për NSA-në duhet të tregojë se sa seriozisht e merr zbardhjen e çështjes. Topi është fushën e lojës të partive qeveritare.