Sllovenia në vitin 2007 anëtare e 13-të e eurozonës | Evropa | DW | 13.03.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Sllovenia në vitin 2007 anëtare e 13-të e eurozonës

Estonia, Letonia, Malta dhe Qiproja pritet të anëtarësohen në eurozonë në vitin 2008. Sllovakia, Çekia dhe Hungaria do të kenë nevojë për më shumë kohë për t'u anëtarësuar.

Banka qendrore evropiane në Frankfurt mbi Main

Banka qendrore evropiane në Frankfurt mbi Main

Sllovenia pritet të jetë anëtari i 13-të i eurozonës. Sipas vlerësimeve të Ministrit austriak të Financave, Karl-Heinz Grasser ky vend ka shance mjaft të mira për t'u anëtarësuar në fillim të vitit 2007 në eurozonë.

"Më të shpejtët dhe më të aftët për të përballuar konkurrencën fitojnë në këtë botë" - është qëndrimi i Ministrit austriak të Financave, Karl-Heinz Grasser.

Kërkesat e Sllovenisë dhe të Lituanisë do të shqyrtohen në mes të muajt maj. Ndër kriteret që duhet të plotësojnë vendet që duan të anëtarësohen në zonën e euros bëjnë pjesë përveç çështjes së borxheve edhe përqindja e shtrenjtimeve si dhe përqindja e inflacionionit, e cila nuk duhet ta kalojë nivelin 2,6%.

E ndërsa Sllovenia i plotëson këto kritere, Lituania është një fije larg tyre dhe shpreson se vendet e tjera të eurozonës do të tregohen zemërgjëra në lidhje me kriteret. Pas gjithë gjasash shpresat e Lituanisë nuk do të plotësohen, sepse 12 vendet e BE-së që kanë në përdorim euron, nuk duan të krijojnë precedente sa i përket zbutjes së kritereve.

Kryetari i eurogrupit, një forum ky jozyrtar i vendeve të eurozonës, Jean-Claude Juncker: "Ne jemi të bindur se kriteret për anëtarësim në eurozonë duhet të zbatohen me rreptësi. Kështu kemi vepruar që prej krijimit të eurozonës edhe në rastet e zgjerimit të saj. Ne dimë se inflacioni lidhet me rrethana të veçanta. Por një gjë e tillë nesër mund të kërkohet edhe për kriteret e tjera." Me këto fjalë Juncker i shuajti disi shpresat e Lituanisë për anëtarësim në eurozonë në vitin 2007.

Edhe në Estoni ekonomia po përjeton një bum të fortë, por inflacioni në vend është tepër i lartë, dhe për këtë vendi nuk mund të anëtarësohet në eurozonë më 1 janar të vitit të ardhshëm.

Estonia, Letonia, Malta dhe Qiproja dëshirojnë të anëtarësohen në eurozonë në vitin 2008. Sllovakia, Çekia dhe Hungaria do të kenë nevojë për më shumë kohë për t'u anëtarësuar në eurozonë, kurse Polonia duket se ka filluar të bëhet pishman që ka nënshkruar detyrimin që vendi dikur të përfshihet në zonën e euros.

  • Data 13.03.2006
  • Autor Pandeli Pani
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArBm
  • Data 13.03.2006
  • Autor Pandeli Pani
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArBm