Sllovenët paguajnë tani me Euro | Politika | DW | 16.01.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Sllovenët paguajnë tani me Euro

Sllovenia u bë të hënën anëtare e 13-të e zonës së Euros. Në Lubljanë u festua solemnisht kjo datë dhe aty ishte e pranishme edhe kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel.

default

Me një shpejtësi të jashtëzakonshme Sllovenia hyri në zonën e Euros. Kalimi nga Tolari slloven në monedhën e re zgjati vetëm dy javë. Shkak për Slloveninë që ta festonte këtë ditë zyrtarisht në Ljubljanë. Përshëndetjet e para në emër të Bashkimit Evropian i bëri kancelarja gjermane Angela Merkel, duke u dhënë zemër edhe skeptikëve ndaj monedhës së re: "Mund t'ju siguroj që ky këmbim do të dalë me leverdi. Është një ndjenjë e veçantë kur shkon në vende të tjera evropiane dhe mund të paguash me të njëjtën monedhë si në vendin tënd. Aty e vë re se sa e bezdisshme është kur shkon në një vend ku nuk paguhet me Euro. Në këtë mënyrë Euroja u mundëson qytetarëve të ndjejnë se sa të ngushta janë lidhjet në Bashkimin Evropian," - tha Merkel.

Por aq të ngushta sa i lejon Gjermania. Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Zhan Klod Trishe, nuk është dakord me faktin, që Gjermania ende nuk u lejon sllovenëve të hyjnë në tregun gjerman të punës. Anëtarësi e dorës së dytë në bashkësinë e Euros, kështu e quan Trishe. Ai kërkon integrimin e plotë të Sllovenisë në unionin ekonomik dhe monetar. Trishe dhe presidenti i Komisionit Evropian, Zhoze Manuel Barroso, janë të mendimit se kjo festë është e rëndësishme për të treguar, që klubi i Euros dëshiron edhe anëtarë të tjerë:

"Anëtarësimi i Sllovenisë është një hap i madh për të gjithë bashkësinë. Ai dëshmon, që bashkësia e Euros nuk është një klub privat i mbyllur. Euroja është monedha e mirëfilltë e BE/së dhe dyert e saj janë të hapura për të gjithë që i plotësojnë kriteret e mirëbesimit. E këto nuk janë vënë për të privilegjuar elitat, por për të siguruar që kriteret e mirëbesimit vlejnë për të gjithë njësoj si për anëtarët e vjetër ashtu edhe për të rinjtë," - tha Barroso.

Shanset më të mira për të hyrë në Euro tani i ka Malta dhe Qipro, në se ato arrijnë të konsolidojnë buxhetet e tyre dhe të ulin inflacionin. Sllovakia nuk pritet ta arrijë këtë stad para vitit 2009, shtetet baltike ndoshta jo para vitit 2010. Angela Merkel u jep kurajo:

"Sepse Euroja është simbol i integrimit evropian. Prandaj edhe i përshëndes përpjekjet e këtyre vendeve për hedhjen në qarkullim të Euros. Si presidente e Këshillit të BE/së dua t'u jap atyre kurajo. Ndiqni shembullin e Sllovenisë dhe do ta shihni, që përpjekjet do të shpërblehen dy ose trefish."

Por vendet e tjera mund të përfitojnë shumë pak nga receta sllovene. Ky vend shembullor me afro dymilionë banorë dhe një ekonomi të shëndetshme e pati relativisht të lehtë. Politika monetare mund të drejtohet më lehtë në një vend të vogël. Ajo që s'e ke në dorë, është natyra e njeriut. Siç do të vërente presidenti i grupit të Euros, Zhan Klod Juncker, nuk e ka fajin Euroja që sllovenëve tani gjithçka u duket më e shtrenjtë. Disa restorante i kanë rritur çmimet e kafesë dhe birrës me deri në 80 për qind, ankohen mbrojtësit e konsumatorëve në Slloveni. E megjithatë Euroja nuk ia uli askujt dëshirën për të festuar.

  • Data 16.01.2007
  • Autor Andrea Mylberger
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqnK
  • Data 16.01.2007
  • Autor Andrea Mylberger
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqnK