1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Skulptorja Nina Rohde

20 Maj 2010

Nina Rhode është artiste. 38-vjeçarja jeton në Berlin. Arti i saj është si ajo vetë: pak kaotik. Por para së gjithash arti i saj dëshmon për kërshërinë e artistes. Gabriel Borrud ishte për një vizitë në atelinë e saj.

https://p.dw.com/p/NT19

Atelieja e Nina Rhode-s në lagjen e punëtorve në Berlin, në Wedding. Eshtë errësirë. Në mur rrotullohet një rrotë e madhe prej pleksiglasi, që e shtyn një ventilator i vjetër me motor. Në rrotë janë montuar një sërë harmonikash. Prej përdredhjes së shpejtë të instrumentave ato lëshojnë akorde, që nuk mund t'i parashikojë askush.

Gesichter Deutschlands Fragebogen NiRhF3
Fotografi: DW

Kërshëria si stimul artistik

A është kjo vepër artistike tipike për artin e saj? Po dhe jo, përgjigjet Nina Rhode. Në fakt ajo krijon atë që i shkon në moment në mendje, atë që i intereson. "Shkaku pse e bëj këtë është gjithmonë një lloj kërshërie. Në rast se gjëra të caktuara nuk mund t'i përfytyroj, atëhere duhet t'i realizoj, që t'i shoh apo t'i dëgjoj."

Ritmi ditor

S'e ke të vështirë ta marrësh me mend, se prej gjithë kësaj dëshire të madhe për të eksperimentuar, artistja nuk ka ndonjë ritëm ditor të rregullt. Ajo që mund të thuhet me saktësi është "se çdo mëngjes më zgjon maçoku im, që më ulet në gjoks dhe m'i ngul sytë për aq kohë sa unë hap sytë dhe zgjohem. Pasi i jep maçokut për të ngërnë Nina bën një kafe për vete, pastaj merr kafen dhe shtrihet zakonisht edhe një herë në krevat.

Gesichter Deutschlands Fragebogen NiRhF3
Fotografi: DW

Frymëzim në mes të natës

Ndodh që Nina ngrihet edhe në mes të natës dhe ia fillon papritur punës në atelienë e saj. Atelieja zë gjithë katin e poshtëm të një banese dykatëshe, që gjendet në një ndërtesë të vjetër. Pra në rast se i lind ndonjë ide, Ninës i duhet vetëm të zbresë shkallët.

Në fakt Nina Rhode është skulptore, por ajo bën më tepër se sa skulptura të thjeshta. Kur punon për projekte të mëdha, apo nuk i ka në atelienë e vet aparatet e duhura, ajo shkon në atelienë e skulptorëve fqinjë. Në atelienë e skulptorëve fqinjë Nina Rhode i gjen të gjitha veglat dhe materialet, që i duhet për projekte të mëdha. Pas artit ajo ka qenë e dhënë gjithmonë, që nga koha që mund të mendojë. Në shkollë ajo ishte p.sh. përgjegjëse për skenografinë e teatrit të shkollës.

Gesichter Deutschlands Porträt NiRhP2
Fotografi: DW

Nga Dyseldorfi në Berlin

Nina është nga Dyseldorfi dhe erdhi në Berlin për të studiuar në Akademinë e Arteve. Ajo jeton për atë, që bën. Po ç'qëllime ndjek ajo me artin e saj? "Ajo, që shoh në ditët tona tek të gjithë artistët dhe artet, është çorientimi. Njerëzit janë relativisht të çartallosur. Të paktë janë ata, që janë shumë të qartë.“

Për Nina Rhode-n arti është mënyra e saj tejet personale në kërkim të qartësisë. Dhe në rast se përfundimi i këtyre kërkimeve është një rrotë, që rrotullohet me një numër harmonikash të montuara në të, atëhere ky është edhe përfundimi.

Autor: Gabriel Borrud/Pandeli Pani

Redaktoi: Angjelina Verbica