″Skorpione″ do të përgjigjet para drejtësisë | FOKUS | DW | 20.12.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

FOKUS

"Skorpione" do të përgjigjet para drejtësisë

Në Beograd fillon procesi gjyqësor kundër të dyshuarve si anëtarë të njësisë speciale policore "Skorpione". Ata do përgjigjen për vrasjen e të paktën pesë civilëve të pambrojtur në rrethinat e Srebrenicës

Beogradi

Beogradi

Më 2 korrik të këtij viti nëpër Serbi kaloi një shok: një regjistrim në videokasetë i vrasjes së gjashtë civilëve boshnjakë myslimanë u shfaq në ekranet e mijëra familjeve serbe. Në skenën filmike mund të shihje se si munduesit i çonin me sharje në një pyll viktimat e tyre duke i vrarë pastaj me gjakftohtësi. Brenda katër ditësh pas shfaqjes së pamjeve filmike policia e Beogradit arrestoi disa të dyshuar si pjesëtarë të "Skorpionëve" dhe nisi një proces hetimor kundër tyre.

Aktivistja e të drejtave të njeriut, Natasa Kandiç e kishte marrë videokasetën prej një ish-anëtari të Skorpionëve dhe e publikoi atë. Kandiç tha në bisedë me DW se tani nisi procesi dhe opinioni publik serb është konfrontuar me krimet që kanë ndodhur në emrin e tij: "Ky proces filloi në Beograd në fakt me një incident në Fakultetin juridik. Disa mijëra studentë morën pjesë në një diskutim nën titullin "E vërteta për Srebrenicën", diskutim i cili e paraqiti atë që po ndodhte në Srebrenicë në një këndvështrim serbo-ekstremist"

Si reagim për këtë, organizata joqeveritare organizuan një diskutim të tyre për t'u kundërpozicionuar. Me këtë rast u shfaq për herë të parë videokaseta. Kandiçi kujton: "Kjo videokasetë shkaktoi një shok të vërtetë në publik dhe ra si një bombë. Ditën tjetër, kryeministri Kostunica u shpreh për herë të parë hapur dhe në mënyrë kritike për Srebrenicën. Pas tij, menjëherë edhe presidenti i republikës u shpreh shumë qartë dhe shpjegoi se si ndihen qytetarët e Serbisë kur mësojnë se midis tyre jetojnë kriminelë. Dhe tha se do të shkojë në Srebrenicë për të përkujtuar viktimat."

Më 1 korrik, filmi u shfaq për herë të parë në Tribunalin e Hagës për krime lufte kundër ish-presidentit serb, Slobodan Milosheviç. Prokurori Geoffry Nice tha se e veçanta e filmit qëndron jo vetëm në mizorinë e pamjeve, por edhe në identitetin e dorasve. Sepse ata nuk qenë serbë të Bosnjës, por bënin pjesë në njësinë policore, që i takonte shërbimit të fshehtë serb dhe me këtë ministrisë së brendshme. Një dëshmi për faktin se ka ekzistuar një rrjet direkt urdhërash prej Milosheviçit tek dorasit e Srebrenicës.

Të vecantë e bën filmin edhe fakti se ai përmban një skenë, në të cilën një prift serb-ortodoks nga Vojvodina i bekon para aktit ushtarët. Pas kësaj, Kisha Ortodokse Serbe publikoi një deklaratë, me anë të së cilës i dënoi aktet si "vrasje gjakftohtë ndaj civilëve të paarmatosur dhe të pambrojtur."

Videokaseta vërtet e zgjoi opinionin publik serb dhe dorasit ndodhen tani para gjyqit. Megjithatë, Natasha Kandic shpreh dyshim për faktin që politikanët e Serbisë duan ta cojnë vërtet përpara konfrontimin me faktet historike dhe rivlerësimin e tyre:

"Besoj se përfaqësuesit e institucioneve shtetërore nuk kanë arritur ende të kuptojnë se është detyrë e kësaj qeverie, që të trajtojë atë që ka bërë një qeveri e mëparshme dhe se ajo duhet ta trajtojë këtë trashëgimi."

Ky nuk është procesi i parë gjyqësor kundër pjesëtarëve të njësisë speciale: që në fillim të vitit 2002, autoritetet hetimore të Beogradit nisën një procedurë hetimore kundër pjesëtarëve të tjerë të Skorpionëve, për shkak të vrasjes se 19 civilëve kosovarë në mars 1999.


  • Data 20.12.2005
  • Autor Fabian Schmidt
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqh2
  • Data 20.12.2005
  • Autor Fabian Schmidt
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqh2