1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Skandal në Bruksel

Barbara Wesel23 Nëntor 2006

Nuk jepet mandat për negociata për një marrëveshje të re BE/Rusi

https://p.dw.com/p/Ar9k
Në qendër të grindjes është mishi dhe sallami polak
Në qendër të grindjes është mishi dhe sallami polakFotografi: AP

Fillimi i planifikuar i negociatave për një marrëveshje të re parimore midis Bashkimit Evropian dhe Rusisë ka dështuar për shkak të kundërshtimit të Polonisë. Polonia bllokoi edhe sot mandatin e përbashkët të negociimit të BE-së në shenjë proteste ndaj ndalimit prej Rusisë të importeve polake të mishit. Në këtë mënyrë ka dështuar që përpara samitit të nesërm EU/Rusi një prej projekteve qendrore: çështje turpëruese në planin politik.

Të gjithë u munduan deri në fund, por pa sukses. Deri dje pasdite ambasadorët e Bashkimit Evropian u përpoqën prapa skenës që të kolegët e tyre në Varshavë t'u jepnin një zgjidhje. Por ajo që nuk bëhet, nuk bëhet.

Dhe rreth orës 14:30 ambasadori finlandez Eikka Kosonen, i cili për vendin e tij negocion në emër të kryesisë në Këshillin Evropian, u dorëzua.

"Orari i mandatit të negociimit do të thoshte, në rast se arrijmë në marrëveshje, mirë; në rast të kundërt, ky nuk është fundi i botës."

Madje edhe presidenti i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso u përpoq në çastin e fundit t'i ndërronte mendjen kryetarit të qeverisë polake Jaroslaw Kaczynski. "Bashkimi Evropian solidarizohet tërësisht me Poloninë në grindjen mbi bllokadën e eksporteve polake të mishit nga Rusia, tha ai. Është bërë gjithçka që Rusia të kuptojë se kjo është një masë e pajustifikuar dhe se Polonia i plotëson kërkesat e higjenës dhe të kontrollit të Bashkimit Evropian. Përveç kësaj, zëdhënësja e Barrosos Pia Ahrenkilde deklaron, se Komisioni Evropian ka ushtruar nga ana e vet trysni ndaj Rusisë duke apeluar edhe tek vullneti i saj politik për ta zgjidhur grindjen.

Por ku nuk ka vullnet, nuk ka as rrugëdalje - kjo vlen për të dyja palët. Rusia nuk lëviz në çështjen e ushqimeve. Sado që ekspertët e BE-së u përpoqën të tregonin se sallami polak është po aq i mirë sa edhe gjetiu. Përkundrazi: ndërkohë është shprehur madje kërcënimi rus për t'i bllokuar nga 1 janari të gjitha importet nga Bashkimi Evropian, sepse standartet e anëtarëve të rinj, Rumanisë dhe Bullgarisë, nuk do të jenë atëherë të mjaftueshme. Është krejt e qartë, Rusia ka gjetur një vegël, me anë të së cilës BE-ja mund të ndahet dhe shantazhohet.

Edhe qeveria Kaczynski tregohet krejt e palëvizshme. Ajo ia preu shkurt presidentit të Komisionit ashtu siç kishte bërë përpara një jave me kryetarin e qeverisë finlandeze Matti Vanhanan, i cili kishte udhëtuar enkas në Varshavë.

Kjo do të thotë se negociatat për një marrëveshje të re bashkëpunimi të Bashkimit Evropian me Rusinë, pjesa qendrore kjo e takimit të nivelit të lartë, nuk mund të fillojnë nesër. Nuk ka gjë, thotë lidhur me këtë Emma Udwin, zëdhënësja e komisioneres evropiane për politikën e jashtme, ne kemi një sërë temash për të trajtuar me Rusinë: nga anëtarësimi i saj në Organizatën Botërore të Tregtisë, problemet energjetike, kriza aktuale si me Gjeorgjinë dhe natyrisht si zakonisht të drejtat e njeriut. "Marrëveshja e vjetër ekzistuese vazhdon të vlejë deri sa të bihet në ujdi për një të re. Pra nuk jemi buzë greminës, nuk kemi vakuum ligjor, mund të vazhdojmë njëherë për njëherë si tani." Kështu tha Emma Udwin.

Po natyrisht që me negociatat do vazhduar sa më shpejt të jetë e mundur. Kuptohet që askush në Bashkimin Evropian nuk u përgjigjet pyetjeve në lidhje me turpërimin që ka shkaktuar çështja në planin politik dhe për triumfin e lirë që iu krijua presidentit Vladimir Putin prej mosunitetit të evropianëve.