Situata paszgjedhore në Ukrainë mbetet e tensionuar | Politika | DW | 29.12.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Situata paszgjedhore në Ukrainë mbetet e tensionuar

Pas zgjedhjeve në Ukrainë, filloi sërish debati mbi manipulimin e tyre. Ndonëse vëzhguesit ndërkombëtarë deklaruan se zgjedhjet u zhvilluan në mënyrë të drejtë, kryeministri Viktor Janukoviç do të ankohet përpara Gjykatës së lartë për rezultatin e zgjedhjeve. Por një ngjarje tjetër është shumë më shqetësuese se ankesa e Janukoviçit. Vdekja e papritur e ministrit të transportit ka shkaktuar pasiguri në rradhët e politikanëve ukrainas.

Georgij Kirpa, ish ministri ukrainas i transportit, u gjet të hënën e kaluar i vdekur në shtëpinë e tij

Georgij Kirpa, ish ministri ukrainas i transportit, u gjet të hënën e kaluar i vdekur në shtëpinë e tij

Spekullime nga më të ndryshmet dëgjon një ditë pas zgjedhjeve në Kiev: Si vdiq ministri i transportit Georgij Kirpa? E vranë apo vrau veten? Kirpa u gjet të hënën e kaluar i vdekur në shtëpinë e tij. Pranë tij ndodhej një pistoletë. Shërbimi sekret deklaroi pak kohë më pas se Kirpa kish kryer vetëvrasje. Por mediat ukrainase dhe opozita mendojnë se nuk është ashtu. Georgij Kirpa ishte një politikan shumë i fuqishëm në Kiev dhe një ndër miqtë më të ngushtë të presidentit Kuçma. Ai dinte shumë gjëra mbi korrupsionin e politikanëve në vend.

Kirpa vetë akuzohej se kish shpërdoruar paratë e shtetit për projekte transporti. Kohët e fundit, Kirpa ish shfaqur hapur kundër kryeministrit dhe kandidatit për president Viktor Janukoviçit.

Ndërkohë në Maidan, sheshin e pavarësisë në Kiev, dhjetëra mijëra njerëz festonin fitoren e Viktor Jushçenkos. Komisioni zgjedhor sapo kishte bërë të ditur rezultatin e përkohshëm të zgjedhjeve: 51.99% për Viktor Jushçenkon dhe 44.19% për Viktor Janukoviç. Por ky i fundit nuk e pranoi rezultatin e zgjedhjeve dhe thotë se ato u manipuluan në mënyrë masive. Edhe vëzhguesit nga vendet e ish republikave sovjetike e mbështesin Janukoviçin dhe deklarojnë se zgjedhjet u manipuluan vërtetë. Sergej Mirsojev thotë:

"Një ditë përpara fillimit të votimit, komisoni zgjedhor publikoi një vendim, sipas të cilit njërëzit që janë të sëmurë dhe nuk dalin dot nga shtëpia, mund të votojnë pa lejen e mjekut që nga shtëpitë e tyre. Por ky vendim nuk ishte i ligjshmë pa lejen speciale të mjekëve."

Por vëzhguesit e tjerë ndërkombëtarë janë të bindur se nuk pati asnjë manipulim gjatë zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë. Ata janë të sigurtë se Jushçenko do të bëhet në janar të vitit të ardhshëm presidenti i ri i ligjshëm i Ukrainës. Por ai nuk do ta ketë të lehtë. Përpara zgjedhjeve Jushçenko premtoi shumë gjëra: Që nga përmirësimi i standartit të jetesës dhe deri në luftimin e korrupsionit. Helmut Kurth, drejtori i zyrës së fondacionit Friderich Ebert në Kiev është pak i shqetësuar:

"Çështja është nëse Jushçenko ka njerëzit e duhur rreth vetes. A janë të aftë ata për të marrë përsipër poste shumë të rëndësishme dhe të ndryshojnë kështu politikën në vend?"

Jushçenko do të duhet ta bashkojë vendin. Në rrethet e industrializuara në lindje të vendit, 90% e popullsisë votoi për Janukoviçin. Ky rajon është shumë i rëndësishëm për Ukrainën. Këtu prodhohet qymyri dhe hekuri dhe këtu bëhen investime shumë të mëdha nga të huajt. Por edhe biznesmenët vendas kanë interes në tregun evropian. Për këtë arsye BE duhet t´a mbështesë patjetër qeverinë e re, thotë Jelena Hoffmann, shefja e shoqatës gjermane-ukrainase në Bundestagun gjerman:

"Unë kërkoj që Ukrainës t´i jepet perspektiva për marrëveshjen e stabilizim-asociimit. Ukraina ka nevojë për një sinjal pozitiv nga ana e BE-së. Ukrainasit na pyesin me të drejtë: Na doni apo jo? Unë nuk kërkoj antarësimin e menjëhershëm të Ukrainës në BE, por asociimi është një perspektivë e rëndësishme për këtë vend."


  • Data 29.12.2004
  • Autor Christiane Hoffmann
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AquV
  • Data 29.12.2004
  • Autor Christiane Hoffmann
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AquV