1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Situata në KQZ rrezikon zgjedhjet në Shqipëri

Ani Ruci12 Qershor 2013

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës u bën thirrje forca politike të Tiranës të zgjidhin urgjentisht krizën në KQZ. Deri tani nuk ka ndonjë zgjidhje konstruktive.

https://p.dw.com/p/18o4G
Delegacioni i KE
Delegacioni i KEFotografi: DW/A. Ruci

Delegacioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës publikoi mbrëmë (11.06.2013) në një konferencë shtypi, opinionin e saj për situatën parazgjedhore në Shqipëri, në përfundim të një vizite dyditore në Tiranë. Kriza në KQZ dhe funksionimi i tij vetëm me katër anëtarë nga koalicioni i djathtë qeverisës dhe pa përfaqësuesit e koalicionit të majtë opozitar, ishte çështja më e rëndësishme e konferences se shtypit. Kryetari i delegacionit, Luca Volonté , tha se “moszgjidhja ende e krizës lidhur me përbërjen e KQZ dhe kur ai nuk perceptohet si i paanshëm, zhvillimi demokratik i zgjedhjeve është në rrezik. Një përbërje në përgjithësi e pranueshme, shumëpartiake dhe institucionalisht e pavarur e KQZ është një nevojë urgjente”. Ai shtoi se “KQZ është një problenm shumë serioz dhe për sa kohë që nuk është i pavarur, krijon një situatë shumë të rrezikshme lidhur me rezultatet e këtyre zgjedhjeve.”

Apel për të rritur besueshmërinë

Votimi në Shqipëri
Për zgjedhje të lira...Fotografi: DW

Vazhdimi i krizës në KQZ ka ndikuar edhe ne uljen e besueshmërisë së votuesve në procesin zgjedhor. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës u bën thirrje partive politike “të bashkojnë përpjekjet për të rritur besimin e përgjithshëm në procesin zgjedhor dhe shmangur mosbesimin e publikut në rezultatin e zgjedhjeve, të garantojnë që zhvillimi i fushatës dhe i vetë votimit të jenë të tila që të shtrojnë rrugën drejt pranimit të rezultatit të zgjedhjeve nga palët.”

Petros Tatsopolos, anëtar i delegacionit të AP të Këshillit të Europës tha se pranimi i rezultatit nga palët është në të mirë të Shqipërisë. Sipas tij “KQZ nuk mund të mbajë peng zgjedhjet edhe pse në procesin zgjedhor ka zona gri. Nuk janë të rëndësishme vetëm besimi dhe kredibiliteti i publikut tek procesit zgjedhor por edhe pjekuria e demokracisë në Shqipëri. Politikanët nuk mund të luajnë lojra si kanë bërë në zgjedhjet e kaluara”, tha ai.

Shqetësime për fushatën elektorale dhe kufizimin e lirisë së medias

... dhe pa protesta!
... dhe pa protesta!Fotografi: DW

Konkluzionet e delegacionit të AP të KE u ndalën edhe tek fushata elektorale. Ata e percaktuan ate si “të qetë dhe paqësore” por paraqitën shqetësimin për akuza lidhur me presionin ndaj punonjësve të sektorit publik “nga njëra apo tjetra palë, shqetësime për përhapjen e praktikës së blerjes së votave dhe mosrespektimin e kuotos gjinore në listat e kandidatëve për deputetë si edhe të mungesës së transparencës për financimin e fushatës elektorale”. Detyrimi i kanaleve TV për të transmetuar kaseta të gatshme të përgatitura nga partitë, pa asnjë koment editorial, konsiderohet nga gazetarët si një kufizim serioz i lirisë së medias.

Delegacioni i AP të Këshillit të Europës i konsideron të rëndësishme zgjedhjet e 23 qershorit në raport me zotimet e Shqipërisë si vend anëtar. ”Shqipërisë i duhet të plotësojë më 23 qershor, standartet e KE, për të konfirmuar zotimin e saj të vërtetë ndaj demokracisë, zbatimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.”

Kryetari delegacionit, Luca Volonté, theksoi se standartet e KE, të BE, të OSBE/ODIHR-it në përgjithësi standartet ndërkombëtare, konsiderohen të plotësuara nëse 90% e tyre janë realizuar. Në këtë kuptim, shtoi ai, është i vjetëruar dhe nuk përdoret më përcaktimi “ zgjedhje të lira dhe të ndershme” pasi "nuk egzistojnë zgjedhje të përkryera, ku standartet të realizohen 100%".