Sinjal i mirë për të ardhmen - kolonët e fundit nga Gaza kthehen në atdhe | Bota | DW | 23.08.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Sinjal i mirë për të ardhmen - kolonët e fundit nga Gaza kthehen në atdhe

Kolonët e ngulimit të fundit hebraik në Rripin e Gazës u evakuuan dje me autobusë nga ushtria izraelite. Në këtë mënyrë Izraeli i dha fund pushtimit 38 vjeçar të këtij territori. Bettina Marx komenton.

Kolonë hebrenj duke u kthyer në Izrael

Kolonë hebrenj duke u kthyer në Izrael

Llogaria e kryeministrit izraelit Ariel Scharon doli: Evakuimi i kolonëve nga Rripi i Gazës është përfunduar pas vetëm një jave. Pa gjakderdhje, por me shumë lotë me efekt nëpër medie u zbrazën 21 ngulimet me 8.000 banorët e tyre, shtëpitë e para tashmë janë shkatërruar. Tani mbetet vetëm që të tërhiqet ushtria - atëherë Izraeli është ndarë nga Rripi i Gazës, nga ajo copë toke për të cilën kryeministri i vrarë izraelit Jitzchak Rabin uronte që të fundosej nga uji dhe që shumë izraelitëve laikë u dukej si gjëmb në mishin e kombit.

Të gjithë pjesëmarrësit luajtën rolin që u ishte caktuar në dramën e inskenuar para syve të opinionit botëror: Kolonët treguan me shumë rënkime e të bërtitura dhimdjen e tyre, ata e gdhendën në shpirtin e opinionit martirizimin e tyre. Forcat e sigurimit - ushtria dhe policia - treguan një dhimbsuri që nuk ishte parë kurrë kundrejt shpërndarjes së demonstratave të majta apo gjatë zbrapsjes së civilëve palestinezë. Qeveria izraelite tregoi vendosmërinë e vet për ta zbatuar politikën e miratuar prej saj dhe me bekimin e gjykatës së lartë të vendit kundrejt të gjitha kundërshtimeve në parlament, në kneset.

Edhe mediet lokale e ndërkombëtare e përmbushën siç pritej detyrën që u ishte ngarkuar: Ato transmetuan nëpër botë pamjet dhe zërat. Ato treguan lotët dhe dëshpërimin, simbolikën e holocausit dhe ritualet e pikëllimit. Ato transmetuan marshimin e kolonëve të Netzarimit, ngulimit të fundit që u zbraz, të cilët me shandanin shtatëdegësh në krah u larguan nga ngulimi, siç shkuan në skllavëri mbi harkun e Titusit në Romë hebrenjtë e nënshtruar. Ata e dogjën kështu në ndërgjegjen e Izraelit dhe të opinionit ndërkombëtar traumën e kolonëve të Gazës.

Mesazhi i gjithë këtyre pamjeve është i qartë: Pas zbrazjes së Rripit të Gazës Izraeli nuk është më në gjëndje të përballojë një tërheqje tjetër domethënëse nga territoret palestineze. Blloqet e ngulimeve në Bregun Perëndimor të lumit Jordan me rreth 250.000 kolonët e tyre dhe para së gjithash lagjet hebreje në Jeruzalemin lindor me 200.000 banorë të tjerë hebrenj nuk mund dhe nuk guxojnë të preken. Por ato e copëzojnë pakthyeshëm territorin palestinez dhe e bëjnë përjetësisht të paaftë për mbijetesë shtetin palestinez.

Mos vallë pamjet nga Lindja e Afërme janë përsëri si rëndomë sinjale të këqijamira për një të ardhme me më shumë paqe? Jo! Sepse ndoshta pikërisht kjo tërheqje do të zhvillojë një dinamikë të vetën të pasynuar aspak nga nisësi i saj Ariel Sharon. Ndoshta me këtë tërheqje të parë të kryer pa gjakderdhje dhe çuditërisht pa probleme vihet në lëvizje një proces që nuk mund të ndalet më. Ndoshta shumicës së heshtur izraelite i hapet oreksi për më shumë tërheqje të këtilla, për më shumë normalitet dhe për më shumë qëndrueshmëri.

Ëndrra mesiane e kolonëve është shëmbur para syve të opinionit ndërkombëtar. Për të parën herë që prej luftës gjashtëditëshe të vitit 1967 Izraeli është larguar nga një territor palestinez. Kështu shteti i Izraelit është distancuar nga pretendimet nacional-fetare të lëvizjes koloniste, për të populluar e kontrolluar gjithë tokën biblike të Izraelit dhe për të nënshtruar të gjithë palestinezët që jetojnë atje. 8.000 kolonë hebrenj janë kthyer tashmë në shtetin izraelit. Kjo është një shenjë e mirë dhe një fitore e qartë për sionizmin e arsyeshëm. Për sionizmin që synon një atdhe të sigurt për popullin hebre në kufij të njohur.

  • Data 23.08.2005
  • Autor Bettina Marx
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArOI
  • Data 23.08.2005
  • Autor Bettina Marx
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArOI
Reklamë