Simbol pajtimi - Përurohet kisha e Zonjës në Drezden | FOKUS | DW | 30.10.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

FOKUS

Simbol pajtimi - Përurohet kisha e Zonjës në Drezden

60 vjet pas shkatërrimit në Luftën e Dytë Botërore kisha e rindërtuar nga e para u inagurua në prani të të ftuarve të nderit nga e gjithë bota. Kisha e Zonjës në Drezden, deri më sot simboli për shkatërrimet e Luftës së Dytë Botërore, këtej e tutje do të jetë simboli për pajtimin mes Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë.

Kisha e Zonjës në Drezden

Kisha e Zonjës në Drezden

Një ceremoni festive në Dresden: pas rindërtimit 11 vjeçar u përurua kisha e Zonjës. 1.700 vetë merrnin pjesë në ceremoni dhe mbi 100.000 të tjerë e ndoqën atë nëpërmjet monitorëve të mëdhenj të vendosur në pjesë të ndryshme të qendrës së Drezdenit.

Ndërtimi i kishës protetstante është i njohur në mbarë botën për kupolën e gurtë. Kjo kishë është ndërtuar në vitin 1743 dhe në Luftën e Dytë Botërore u shkatërrua tërësisht. Kisha e Zonjës ra dy ditë pas bombardimeve të forcave aleate më 15 shkurt 1945.

Pak pas kthesës, në shkurt 1990, për herë të parë u hodh ideja për rindërtimin, një ide kurajoze kjo. Më shumë se gjysma e rreth 180 milionë eurove për ndërtimin u mblodhen nga donacionet.

Presidenti Horst Këler në fjalimin e tij përkujtoi, se vetëm vullneti i qytetarëve të lirë pas fundit të Republikës Demokratike të Gjermanisë (RDGJ) mundësoi rindërtimin e kishës: "Viti 1989 u tregoi gjermanëve, se njeriu ka nevojë për lirinë ashtu si edhe për ajrin për të marrë frymë. Njëkohësisht liria duhet të formësohet vazhdimisht dhe jo në me egoizëm e arrogancë, por bashkë me të tjerët. Kjo përgjegjësi me njëri-tjetrin në liri, është ajo që na mban së bashku dhe nxit unitetin. Eshtë piëkrisht liria që u dha njërëzve kurajon t´i vënë vetes qëllime dhe ta ndryshojnë për mirë botën përreth tyre."

Këler falenderoi të gjithë, që me paratë e tyre mundësuan rindërtimin. Rreth 600.000 donatorë nga e gjithë bota kanë dhënë 100 milionë euro. Kisha u rëzua në shkurt të vitit 1945 pas sulmeve me bomba të forcave aleate. Këler vlerësoi iniciativën dhe donacionet e individëve të shumtë që mundësuan rindërtimin:
"Shoqata e taksisstëve të Drezdenit qysh prej disa vitesh pat shprehur gatishmërinë që nga pagesa për çdo udhëtim të vinte një pfening në dispozicion të fondit për rindërtimin e kishës. Verner Jahn, që ka qenë katër vjet i dënuar politik në kohën e RDGJ-së, paratë e marra si zhdëmtim për burgun i dhuroi për rindërtimin e kishës."

Peshkopi i Landit të Saksonisë, Johen Bohl, në predikimin e tij tha, se komuna e mbështetur nga e gjithë bota është bazuar në idenë, që pajtimi mund të jetohet si rjedhojë e njohjes së fajit.

Njëra pas tjetrës u përuruan katedra, guri i pagëzimit, altari, organoja dhe e gjithë kisha. Në një lartësi prej 91 metrash ngrihet tani sërish kryqi mbi kullën e fenerit, një dhuratë e Anglisë si shenjë pajtimi. Farkëtari që ka prodhuar kullën e kryqit, është i biri i njërit prej pilotëve të bombardimeve, që asokohe shkaktoi vdekjet dhe shkatërrimet në qytet. Oborri mbretëror britanik ishte i përfaqësuar në nivel të lartë në ceremoninë e inagurimit në Drezden. I ftuar ishte konti i Kentit. Në këtë kuadër ai u nderua me medaljen e republikës federale për kontributin e tij në rindërtimin e kishës.

Kisha e Zonjës në Drezden, që për shumë vite ka qenë simbol për shkatërrimet e Luftës së Dytë Botërore, këtej e tutje do të jetë simboli për pajtimin mes Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë.

  • Data 30.10.2005
  • Autor Jens Turau
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqi2
  • Data 30.10.2005
  • Autor Jens Turau
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqi2