Siguri kundrejt të drejtave të njeriut | Bota | DW | 23.05.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Siguri kundrejt të drejtave të njeriut

Mbi raportin vjetor të Amnesty International. Sekretarja e Përgjithshme e Amnesty International, Irene Khan, duke paraqitur raportin vjetor

Sekretarja e Përgjithshme e Amnesty International, Irene Khan

Sekretarja e Përgjithshme e Amnesty International, Irene Khan

Raporti vjetori i paraqitur sot nga organizata Amnesty International regjistron edhe këtë herë shkelje të rënda të të drejtave të njeriut në shumë pjesë të botës: dëbime dhe përdhunime në masë, torturim të burgosurish, përdorim i qëllimshëm i dhunës ndaj civilëve nga grupet terroriste apo nga organet shtetërore; rrëmbime dhe vrasje të motivuara politikisht, të cilat ndoshta nuk do të zbardhen kurrë sepse pushtetarë me ndikim kanë gisht në to. Por edhe vendet perëndimore kritikohen.

Motivet për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut janë të ngjashme në pjesët e ndryshme të botës. Bëhet fjalë për arritjen me çdo kusht të interesave politike apo ekonomike. Bëhet fjalë për pushtet, sundim dhe për zetërimin e burimeve energjetike. Bëhet fjalë për ti kthyer në memecë kritikët politikë dhe për të mbytur që në lindje çdo shfaqje të shtypit të lirë dhe të opozitës. Dhe shpesh herë bëhet fjalë edhe për synimin që me gjithë forcën e pushtetit të shtien në dorë territoret e banimit dhe burimet e jetesës së pakicave edhe më parë të diskriminuara - zakonisht me anë të justifikimit se po mbrohen siguria, stabiliteti dhe integriteti i shtetit përkatës.

Kina dhe Rusia janë dy anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të cilët justifikojnë pa u ardhur turp shkeljet e tyre të vazhdueshme të të drejtave të njeriut në Çeçeni dhe Xinjiang me argumentin, se duhet mbrojtur uniteti i shtetit dhe i kombit kundër sulmeve të gjoja separatistëve apo terroristëve fundamentalistë.

Shkelje të rënda të të drejtave të njeriut ka veçanërisht shpesh në kontinentin afrikan, ku dëbimet etnike dhe edhe vetë vrasjet në masë në disa vende përbëjnë ende realitet trishtues, shpesh po ashtu në Azi - dhe kjo të trondit, si dhe në Amerikën Latine dhe në Lindjen e Afërme. Megjithatë raporti vjetor i organizatës Amnesty International tregon se shkeljet e të drejtave të njeriut nuk ndodhin kurrsersi vetëm në vendet në zhvillim dhe në ato në prag të industrializimit. Madje ato nuk mund të kufizohen as mbi bazë rajoni apo në përgjithësi mbi bazë sfere kulturore.

Është në favor të besueshmërisë së raportit të ri të organizatës Amnesty International, që këtu nuk kritikohen vetëm shkeljet e të drejtave të njeriut në shtete me qeveri autoritare si Koreja e Veriut, Zimbabveja ose Arabia Saudite, por po ashtu kushtet krejt çnjerëzore të burgimit në vende demokratike si Italia ose Greqia. Autoritetet izraelite dënohen në mënyrë po aq konsekuente për shkeljet e të drejtave të njeriut sa edhe grupet palestineze. Edhe vetë Gjermania si shtet ligjor me reputacion të mirë botëror duhet të pranojë kritikën se dëbon refugjatë në vende me gjendje të pasigurt për të drejtat e njeriut. Veç kësaj gjykatësit gjermanë kanë lejuar në procese si prova materiale deklarata, të cilat megjithëse të marra në vende të tjera, janë nxjerrë ndoshta gjatë torturave.

Por me shkelje të shumta të të drejtave të njeriut në Guantanamo Bay, Irak, Afganistan dhe ndoshta edhe në burgje të fshehta në CIA-s në Evropë SHBA janë dhe mbeten vendi perëndimor me shkeljet më të rënda. Amnesty International kritikon në këtë kuadër me të drejtë përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë amerikane për të justifikuar praktika të caktuara torturimi në emër të sigurisë kombëtare apo të luftës anti-terror. Këtu veprimtarët për të drejtat e njeriut nuk bien në anti-amerikanizëm bajat, por përmendin me optimizëm të përmbajtur edhe rezistencën në rritje në shoiqërinë amerikane kundër zgavrimit të standarteve të të drejtave të njeriut - rezistencë, e cila në shumë vende të tjera nuk do të ishte fare e mundur dhe e cila së paku në planin afatgjatë lë shpresë për ndryshim.

Pikërisht vendet demokratike nuk duhet të harrojnë kurrë se mbi ç'baza ngrihet liria e tyre: Shkelja e të drejtave të njeriut nuk mund të sjellë kurrë më shumë siguri. Ajo çon në zvogëlimin e standarteve të shtetit ligjor. Kështu nuk arrihet më shumë, por më pak siguri.

  • Data 23.05.2006
  • Autor Rainer Sollich
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArLR
  • Data 23.05.2006
  • Autor Rainer Sollich
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArLR
Reklamë