Si zgjidhet presidenti i ShBA? | Bota | DW | 02.11.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Si zgjidhet presidenti i ShBA?

Delegatë zgjedhorë, pjesëmarrje në votime, dokumenta zgjedhorë

Presidenti aktual Xhorxh W. Bush

Presidenti aktual Xhorxh W. Bush

Çdo shtet federal i SHBA dërgon në kolegjin e delegatëve zgjedhorë në përpjestim me numrin e vet të popullsisë një numër të caktuar personash. Për shumicën e shteteve amerikane vlen rregulla: gjithçka ose asgjë. Ai që e fiton votimin, merr të gjitha votat e delegatëve zgjejdhorë. Këta zgjedhin presidentin. Gjithsej ka 538 vota, pra fituesit i nevojiten të paktën 270.

Në shumë shtete dallohet se kujt do ti jepen votat e delegatëve zgjedhorë; për shembull në Kaliforni dhe Nju Jork me siguri të madhe do të fitojë Xhon Keri, në Teksas dhe Virxhinia nga ana tjetër Xhorxh W. Bushi. Në disa shtete mund të dallohet të paktën një kahje, por në Nju Meksiko, Minesota, Ajoua, Uiskonsin, Florida dhe Ohajo as që mund të thuhet se kush do ta fitojë garën. Këto janë disa prej të ashtuquajturave shtete kyçe. Të dy kandidatët presidencialë janë përpjekur tepër atje të fitojnë përkrahjen e zgjedhësve.

Analisti amerikan për anktetime Xhon Zogbi:

"Këto zgjedhje po zhvillohen në Amerikë në një terren ku dy pjesë të kombit po bëjnë luftë. Të dyja palët kanë fuqi thuajse të barabartë, por një polarizim të tillë nuk e kemi parë kurrë më parë. Ato kanë dallime të thella në planin kulturor, fetar, ideologjik dhe demografik," thotë Zogbi.

Rëndësi vendimtare duket se do të fitojë shkalla e pjesëmarrjes në zgjedhje. Prej një pjesëmarrjeje të gjerë mund të përfitonte sfiduesi Xhon Keri, prej zgjedhësve të pavendosur, të cilët zakonisht votojnë për sfiduesin. Një gjë dihet: Këtë herë janë regjistruar dukshëm më shumë zgjedhës sesa katër vjet më parë. Dhe janë të shumtë ata që e kanë shfrytëzuar tashmë të drejtën e tyre për të votuar para kohe, pasi fiaskoja e vitit 2000 nuk bën të përsëritet. Atëherë fitusi i zgjedhjeve u përcaktua nga një vendim i gjykatës supreme.

Por çfarë do të ndodhte sikur rezultati të jetë përsëri i ngushtë, sikur të ketë probleme me numërimin e votave, sikur zgjedhësit të mos i lënë të votojnë; kur nuk është e qartë nëse dhe kur numërohen dokumentat provizore të votimit, të futura për të parën herë në mbarë vendin? Të dyja palët, si demokratë edhe republikanë, kanë rreshtuar disa mijëra avokatë, që do të vëzhgojnë zgjedhjet dhe që në rast dyshimi do të ndërmarrin hapa gjyqësorë, sepse, siç shpjegon Xhon Zogbi, në këto zgjedhje ka edhe një dukuri tjetër:

"Ne kemi pasur rezultate të ngushta, por rrallë kanë qenë palët kaq të polarizuara, kaq të zemëruara dhe jo të gatshme për të pranuar një fitues që nuk është favoriti i tyre," thotë analisti i anketimeve.

Për arsye të zonave të ndryshme kohore dhe orareve të mbylljes së qendrave zgjedhore mbrëmja e zgjedhjeve do të jetë e gjatë dhe tepër tërheqëse. Rëndësi do të ketë se cili nga dy kandidatët do të fitojë shtetet kyçe, para së gjithash ato që lidhen me shumë vota delegatësh zgjedhorë si Ohajo dhe Florida.

Sidoqoftë më 13 dhjetor do të mbidhet instanca e delegatëve zgjedhorë për të zgjedhur presidentin tjetër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kushdo që të jetë ai, Bush apo Keri, ai do të duhet të përgatitet për një dominim nga partia të ndryshme të të dyja dhomave të kongresit, sepse përveç presidentit amerikanët zgjedhin edhe dhomën e përfaqësuesve dhe një të tretën e posteve të senatorëve. Aktualisht republikanët kanë shumicën si në dhomën e përfaqësuesve ashtu edhe në senat. Megjithatë epërsia e tyre është e vogël dhe ndryshimi i raportit të forcave në favor të demokratëve i mundshëm.

  • Data 02.11.2004
  • Autor Christina Bergmann
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArRl
  • Data 02.11.2004
  • Autor Christina Bergmann
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArRl
Reklamë