Si një takim midis dy njerëzve që nuk janë takuar më parë | Evropa | DW | 05.11.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Si një takim midis dy njerëzve që nuk janë takuar më parë

Samiti i BE-së për Komisionin Evropian dhe Lindjen e Afërme

Franco Frattini, komisioneri i ri i BE-së për drejtësinë dhe rendin

Franco Frattini, komisioneri i ri i BE-së për drejtësinë dhe rendin

Tema nuk qëndronte në agjendën zyrtare të samitit evropian në Bruksel, megjithatë diskutimi mbi emërimin e Komisionit të ri Evropian doli menjëherë në plan të parë. Kancelari gjerman Gerhard Schröder kishte theksuar që në prag të takimit, se shpresonte për një zgjidhje të shpejtë:

"Të gjithë ne jemi shumë të interesuar që ky debat të mos kthehet në krizë."

Çuditërisht shpejt e paraqiti pastaj presidenti i caktuar i komisionit Jose Manuel Barroso ekipin e tij të ri. Në vend të të diskutueshmit Rocco Buttiglione tani portofoli i drejtësisë dhe punëve të brendshme do të merret nga ministri i jashtëm italian Franco Frattini, dhe Letonia dhe Hungaria do të ndërrojnë fushat e tyre të përgjegjësisë. Kandidati hungarez Laszlo Kovacs do të jetë në të ardhmen pra përgjegjës për tatimet dhe doganat, kandidati i ri leton Andris Piebalgs do të bëhet komisioner i energjitikës. Qeveria hollandeze nga ana tjetër këmbënguli për kandidaten e vet Neelie Kroes në postin e komisioneres për entin e karteleve, megjithëse ajo ishte vënë në kritikë për arsye të lidhjeve shumë të ngushta me ekonominë. Përvoja e saj në industri përbën një avantazh, deklaroi Barroso. 21 komisionerët e tjerë mbeten të pandryshuar.

Pas votimit në mes të nëntorit në parlament marrja e detyrës nga komisioni më 1 dhjetor do të ishte e mundshme; kjo ishte kafshatë e fortë. Njëra nga arsyet për këtë është forma e procedurës, tha Barroso:

"Të ngresh një komision është si takimi i dy njerëzve që nuk janë takuar më parë. Presidenti i caktuar duhet të zgjedhë 24 persona, të cilët nuk i njeh, sepse këta nuk përzgjidhen prej tij, por prej krerëve të shteteve dhe të qeverive."

Në sfondin e lajmeve kundërthënëse mbi gjendjen shëndetsore të presidentit palestinez Jaser Arafat diskutimi mbi situatën në Lindjen e Afërme mori një ngjyrim tepër urgjent. Pjesëmarrësit e samitit u shprehën pro një autoriteti autonom palestinez të aftë për të vepruar. Ata duan të angazhohen më fuqishëm për rifillimin e procesit të paqes dhe shpresojnë të fitojnë këtu mbështetjen e SHBA, siç theksoi kryeministri danez Anders Fogh Rasmussen:

"Shpresoj, që procesi i paqes në Lindjen e Afërme të rigjallërohet pas zgjedhjeve në SHBA. Shpresoj gjithashtu, që presidenti Bush në periudhën e tij të dytë legjislative t'i kushtojë një prioritet të lartë Lindjes së Afërme. Besoj, se përparimi në këtë fushë është vendimtar në luftën kundër terrorizmit."

Në fakt tema kryesore e takimit të nivelit të lartë doli në plan të dytë. Krerët e shteteve dhe të qeverive të Bashkimit Evropian donin të bënin një bilanc paraprak për të ashtuquajturën Strategji të Lisbonës. Në takimin e nivelit të lartë të katër viteve më parë BE-ja i vuri vetes një synim tepër ambicioz, që deri në 2010-ën t'i zëvendësonte SHBA si hapësira ekonomike më konkurruese në botë, por ai ka mbetur prapa me zbatimin e objektivit. Kjo u pohua nga një grup ekspertësh, i cili i paraqiti samitit raportin përkatës.

  • Data 05.11.2004
  • Autor Anke Hagedorn
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArFt
  • Data 05.11.2004
  • Autor Anke Hagedorn
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArFt