Si mund të zgjidhet problemi i refugjatëve afrikanë? | Evropa | DW | 12.10.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Si mund të zgjidhet problemi i refugjatëve afrikanë?

Evropa duhet të tregojë më shumë mirëkuptim, sepse duhet të kujtohet për kohërat kur si pasojë e urisë dhe gjendjes së mjeruar, shumë evropianë emigronin në SHBA

Drejt shkretëtirës

Drejt shkretëtirës

Zhvillimet e fundit mes Spanjës dhe Marokos, lidhur me refugjatët afrikanë, me siguri që nuk janë ndonjë faqe e lavdishme e Evropës.
Qeveritë evropiane po heshtin. Në rastet më të mira, disa organizata të të drejtave të njeriut, kritikojnë mënyrën e trajtimit të refugjatëve afrikanë. Mirëpo në përgjithësi mbretëron një lloj konsenzusi i cli manifestohet në pyetjen: ku do të shkonim sikur secili të mund të kalonte murin dhe të futej në Evropë?
Ndërkohë që politikanët gjithmonë kanë theksuar se nuk do të krijohet një "fortesë evropiane". Mirëpo kohët e fundit është përhapur një mentalitet i ri. Duket se askush nuk po mendon tepër lidhur me trajtimin jonjerëzor dhe hedhjen në shkretëtirën e Saharasë të refugjatëve të cilët përpiqeshin të gjejnë një jetë më të mirë.
Njerëzit e tillë quhen "refugjatë ekonomikë". Sikur të kishte ndonjë dallim tepër të madh mes atyre që përpiqen t'u ikin regjimeve diktatoriale dhe varfërisë së thellë. E të mos flasim për faktin se shumica e këtyre refugjatëve kanë të bëjnë me të dyja këto probleme. Fjalëve "refugjatë ekonomik" i shtohen edhe komentet se këta njerëz vetëm duan të pasurohen në llogarinë tonë. Kjo shton dilemën tek refugjatët: sa larg në të vërtetë kanë shkuar evroperëndimorët të cilët i gëzoheshin secilit që kalonte "perden e hekurt" dhe prej lindjes vinte në "perëndimin e artë".
Duket se perëndimi i tanishëm, respektivisht BE, nuk është më aq i artë, siç mendonin shumë vende afrikane. Mirëpo edhe kjo është relative, sepse varfëria më e thellë në Evropë për shumë vende afrikane është një pasuri e vërtetë. Prandaj, shtrohet pyetja nëse Evropa mund t'i injorojë kaq lehtë këto probleme?
Ministri i brendëshëm gjerman, Oto Shili, ëndërronte për ngritjen në Libi apo në Maroko të qendrave për pranimin e refugjatëve. Por harronte se për refugjatët, në rastin më të mirë, këto qendra do të ishin si një lloj kampi. Tani po shihet qartë se si Maroko, ku nuk kemi një demokraci të mirëfilltë, në mënyra të shumta po i keqtrajton edhe refugjatët. Ka evropianë të cilët mendojnë se problemi duhet të çrrënjoset që në fillim. Mirëpo, këta evropianë duket se kanë harruar që për shkak të urisë dhe gjendjes së mjeruar, detyroheshin të ikin në SHBA. Ngjashëm mbase duhet rregulluar tani edhe ardhjen e afrikanëve në Evropë. Mos keni frikë: ata nuk do të na i marrin vendet tona të punës. Në mesin e tyre ka shumë pak ekspertë. Mirëpo një ditë mbase edhe ata do të paguanin tatime dhe kontribute për pensione.

  • Data 12.10.2005
  • Autor Peter Filip
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArD5
  • Data 12.10.2005
  • Autor Peter Filip
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArD5