Si ka qenë e mundur që puna të vijë deri këtu? | Ekonomia | DW | 19.02.2010
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ekonomia

Si ka qenë e mundur që puna të vijë deri këtu?

Qeveria greke po përballet me deficite të mëdha buxhetore. Qeveria e kryeministrit Jorgos Papandreou ka planifikuar zbatimin e një programi radikal të kursimeve, për të ulur borxhet e vendit.

BE-ja ka vendosur të kontrollojë strikt buxhetin e Greqisë dhe t'i ofrojë asaj një rrjet politik për tejkalimin e krizës.

BE-ja ka vendosur të kontrollojë strikt buxhetin e Greqisë dhe t'i ofrojë asaj një rrjet politik për tejkalimin e krizës.

Kush do të mund ta paramendonte një gjë të tillë? Greqia kërcënohet nga falimentimi, thuhet në tregjet ku spekulohet edhe me pamundësinë e pagesave të Athinës zyrtare. Për shkak të borxheve të larta dhe statistikave të gabuara, Greqia ka humbur besimin jo vetëm në tregjet financiare. Për Athinën situata nuk duket aspak e mirë, megjithë rrjetin e BE-së për mbështetje politike. Borxhet e Greqisë janë rreth 300 miliardë dollarë amerikanë, që do të thotë rreth 115 për qind të Prodhimit kombëtar burto. Borxhet e reja të vendit janë rreth 12,7 për qind të prodhimit të brendshëm. Po si ka mundur të ndodhë kjo?

Profesori grek i makroekonomisë në Universitetin e Lajpcigut, Spiros Paraskewopoulos, i sheh rrënjët e problemeve në mëkatet nga e kaaluara. „Politika e rritjes dhe zhvillimit në 30 vitet e fundit është bazuar mbi konsumin. Më e keqja kur konsumi financohet përmes kredive është që këto kredi duhet të paguhen. Ndërkohë që nuk ka pasur kurfarë investimesh, me të cilat mund të pagohen ato. Greqia ka jetuar mbi kushtet e vërteta të saj, si shteti ashtu edhe qytetarët."

Kryeministri grek, George Papandreou

Kryeministri grek, George Papandreou

Edhe në vitet 80-të dhe 90-të Greqia është përballur me vështirësi buxhetore. Qeveritë socialiste në këto kohëra kërkonin shpëtim duke zhvlerësuar drahmën greke. Në këtë mënyrë kufizohej importi dhe rritej eksporti. Me futjen e Greqisë në zonën e euros, kjo politikë më nuk vlenë, thotë eksperti ekonomik Babis Papadimitriou.„Elitat politike dhe qeveritë greke në vitet e fundit nuk kanë kuptuar se çfarë do të thotë antarësimi në zonën e euros. Është e vetkuptueshme që njeriu do të ulë deficitet e veta, por qeveritë greke e kanë injoruar parimin e reformave të domosdoshme.“

Greqia e ka futur euron me statistika të gabuara

Shteti grek ndërmirrte masa të pasuksesshme, ndërkohë që kostot rriteshin. Aftësia konkurruese e ekonomisë dobësohej edhe më shumë. Kur shpërtheu kriza botërore ekonomike, dobësitë strukturore të ekonomisë greke u shndërruan në një tmerr të vërtetë. Ekspertët besojnë se Greqia edhe euron e ka futur në përdorim me statistika të gabuara. Mëkati më i madh është që ajo nuk e ka harmonizuar këtë me strukturat e ekonomisë greke. „Geqia ka plotësuar vetëm kriteret nominale, por jo edhe ato për anëtarësim. Athina nuk ka arritur të harmonizojë ekonominë e vetë me një hapësirë shumë konkurruese. Mallrat greke të eksportit janë të shtrenjta dhe vitet e fundit gati që nuk kanë gjetur tregje, ndonëse klima ekonomike në botë ishte e volitshme“.

Problemi kryesor i vendit janë shteti dhe shërbimet e tij. Këtu duhet bërë reformat e domosdoshme, mendon profesori Paraskewopoulos. Kursimet duhet të bëhen në veçanti në sektorin e kostove të administratës publike. Ndër masat e arsyeshme janë edhe heqja e përjashtimeve nga tatimet, ndalimi i punësimeve të reja dhe zvoglimi i pagave tek administrata e shtetit. Duhet ndërmarrë masa edhe për luftimin e denjë të korrupsionit dhe evazioneve fiskale. Shtetit nuk i paguhet tatime në vlerë prej rreth 20 miliardë euro në vit. Ndërkohë që një familje greke paguan në vit rreth 1.600 euro ryshfet. „Në këtë sektor kemi një efektivitet shumë të ulët, sepse partitë në pushtet kanë punësuar klientelën e tyre dhe tani kemi një administratë shumë të fryrë të shtetit, me kosto jashtëzakonisht të mëdha. Këtu duhet filluar. Kjo është lehtë ta thuash, por kur duhet të zbatohet, duhet llogaritur me reagimet e të prekurve."

Gjermania dhe Franca shpresojnë që të evitohet mundësia e rrezikimit të stabilitetit të euros.

Gjermania dhe Franca shpresojnë që të evitohet mundësia e rrezikimit të stabilitetit të euros.

Pikërisht kjo tani edhe po ndodhë. Shërbimet publike po bëjnë greva, bujqët e mllefosur po bllokojnë rrugët dhe kalimet kufitare. Por pa heqjen e subvencioneve dhe programet konseguente të privatizimit, nuk mund të ketë rimëkëmbje të financave të shtetit, thotë Babis Papadimitriou.„Shteti duhet të zvoglojë numrin e të punësuarve. Një pjesë e madhe e shërbimeve duhet të privatizohet shpejt. Duhet të eliminohen shërbimet publike që janë konkurrencë e sektorit privat. Programi i kursimeve duhet të jetë radikal, sepse kursimet e vogla nuk mjaftojnë.“

Greqia ka nevojë për reforma

Paralelisht me programin e kursimeve, grekët nuk duhet të lënë pas dore zhvillimin ekonomik, parlajmëron Spiros Paraskewopoulos. Ngecja ekonomike zvogëlon të ardhurat e shtetit. Qarkullimi i anijeve, turizmi dhe bujqësia janë sektorët më produktiv në ekonominë greke. Ndërkohë që "kapital human", pra fuqi punëtore, në Greqi ka mjaft. „Kemi njerëz shumë të aftë dhe të shkolluar mirë. Përqindja e atyre që diplomojnë në shkolla është shumë e lartë. Pra në sektorin e shërbimeve kemi ofertë të mirë, për të ngritur produktivitetin në kuadër të Evropës."

Sfida më e madhe për Greqinë është tani rikthimi i mirëbesimit. Kjo mund të arrihet vetëm në qoftë se grekët zbatojnë seriozisht planin e parashikuar. Deri atëherë, spekulantët në tregjet financiare do të shfrytëzojnë këtë situatë për vazhdimin e lojërave të tyre kundër euros.

Autor: Stamatis Assimenios

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 19.02.2010
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/M5Uw
  • Data 19.02.2010
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/M5Uw