1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Si jetojnë prishtinasit 11 vjet pas luftës?

12 Qershor 2010

Lufta e fundit Prishtinën e la në gjendje të rëndë, me infrastrukturë dhe ekonomi të rrënuar. Megjithë përmirësimet dhe sukseset, problemet kryesore të kryeqytetit të Kosovës mbeten ndërtimet e egra dhe mbipopullimi.

https://p.dw.com/p/NpHJ
Prishtina
PrishtinaFotografi: Ajete Beqiraj

Parku Nacional Gërmia, një oazë gjelbërimi në verlindje të Prishtinës ku qytetarë të shumtë gjejnë frymën e ditës, njihet si mushkëritë e kryeqytetit kosovar. Se, edhe pse me restorante luksurioze e pishinë, qytetarët e dinë mirë se pasuria e vërtet është ajri i pastër, rrezet e diellit dhe freskia e drurëve që farfurisin.

Tahir Kadriu
Tahir KadriuFotografi: DW

"Vallahi kur dal n´qytet ka zhurmë e tollovi e veç kur t´vi n´Germi m´qetsohet kryet. Atje s´ke ku del se asht ba maskarallëk. Edhe po vinë shumë prej katundeve. E ky është gabim i madh si veç po vinë e po grumbullohen këtu. Kur t´vish n´qytet duhet me pas pune, e jo veç me ardhë e pastaj me dal e me plaçkit, me vjedh e me u marr me sene t´kqija,"- thotë Tahir Kadriu, 74 vjeç, të cilin e gjejmë teksa shetit nën hijet e masivit të Germisë.

Ilir Ferizaj
Ilir FerizajFotografi: DW

Por, me të dalë nga hapësirat e Germisë, Prishtina fillon e ndryshon ngjyrë. Vapa e verës, aroma e karburanteve, zhurma urbane e pluhuri të pllakosin saora. E shtrirë në një hapësirë prej 572 kilometrash katrorë, në veriperëndim të Kosovës me gjithsejt 48 fshatra, Prishtina është e banuar me komunitete të ndryshme, të cilat deri me shpërthimin e luftës nuk kalonin shifrën 120 mijë. Por, pas luftës, Prishtina ishte një vend atraktiv për ndërtime të egra me ç´rast lagje të shumta me shtëpi banimi u zëvendësuan me ndërtesa kolektive, shumica prej të cilave nuk kanë hapësirë për gjelbërim as vendparkingje.

Avdullah Hoti
Avdullah HotiFotografi: DW

Dyndja e popullsisë nga vise të ndryshme të Kosovës, e rrit numrin e banorëve në rreth 500 mijë shumica prej të cilëve është koncentruar brenda kryeqytetit. "Ky urbanizim i egër e ka shkatërruar Prishtinën për shumë dekada. Arkitektët e krejt dynjasë e kanë vështirë ta sjellin në rregull urbanistik këtë kryeqytet të Kosovës, i cili nesër do të jetë metropol evropian!"- mendon Esadi, banor i "Kodrës se Diellit", i cili kujton Prishtinën kur ka qenë krejt ndryshe.

"Prishtina ka qenë shumë e dobët e mandej ka ardhë duke u përmirësu e përmiresu, e deri e murën serbët. Kur e morën ata e prunë qysh e dini ju vet...Lufta e çoroditi krejt! E tash është përmirësu goxha shumë, por nuk po lëjnë prapë njerëzit tonë me u zhvillu sa duhet. Paj korrupsion ka shumë, padrejtësi ka shumë, s´po mendojnë njerëzit për popull. Fabrikat i mshelën, të rinjtë i lanë rrugëve krejt, i shiten tetana. Me qeto hesapet tona qysh po shihet, deri tash veç prapa po shkojmë."

Drejtues të komunës së Prishtinës në një konferencë për mediat prezantuan programin për zhvillim ekonomik për vitin 2010. Ndërkohë që, shuma e investimeve për projektet kapitale në komunën e Prishtinës kalon shifrën prej 40 milionë eurosh, thotë për Dojce Vele-n, nënkryetari i komunës, Avdullah Hoti. "Prej të hyrave vetanake sivjet kemi diku rreth 18 milionë dhe prej grantit qeveritar edhe 10 milionë të tjera për projekte kapitale, që përgjithsisht janë 29 milionë euro. Kësaj shume i shtohen edhe 4 milionë e gjysmë që vijnë prej ministrive të linjës si dhe disa të hyra vetanake të viteve të kaluara, të cilat investohen sivjet. Kështu që shuma e përgjithshme është 42 milionë euro investime kapitale në komunën e Prishtinës për vitin 2010."

Flash-Galerie Kosovo
Fotografi: picture alliance/dpa

Për të rinjtë si Ilir Ferizaj, i cili ka studiuar dhe tashmë punon në "Qytetin e Studentit", Prishtina ka nevojë për ndryshime thelbsore në çdo kuptim: "Thonë: "Shqiperia është, por le t´i bëjmë shqiptarët". Edhe në Kosovë, ne kemi kryeqytetin por duhet t´i bëjmë edhe kryeqytetasit. Sepse, Prishtines i duhet jo vetëm një organ qeverisës i mirëfilltë por mbi të gjitha një shoqëri e mirëfilltë me qytetarë, që janë të vetdishëm për veprimet e veta. Sepse, vetë qytetarët janë ata që po i bëjnë disa ndërtime të cilat edhe ata vetë e dinë se nuk janë të lejuara. Prishtina duhet të ndryshojë thelbësisht, pikërisht në aspektin urbanistik, çfarë do të ishte e dhimbshme për shumë njerëz që kanë bërë investime marramendëse. Por, kjo duhet bërë për hir të të gjithë qytetarëve që Prishtina të jetë me e bukur dhe më funksionale për të gjithë. Pastaj, edhe këtë çështjen e dënimeve komuna nuk po e zbaton sa duhet, kështu që lëmshi gjithnjë po rritet e po bëhet përherë e më i pazgjidhshëm.

Ndërkohë paralajmërohet ndërtimi i "Prishtinës së Re", e cila planifikohet të ndërtohet në pjesën e jugore të qytetit në një hapësirë 1000 hektarëshe, ku do të bëhet shpërngulja e objekteve qeveritare dhe institucioneve të tjera shtetërore.

Autor: Ajete Beqiraj

Redaktoi: Aida Cama