Si e rrënon kulturën politike në Gjermani lufta midis kampeve | Gjermania | DW | 04.03.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Si e rrënon kulturën politike në Gjermani lufta midis kampeve

Toni midis partive kryesore gjermane sa vjen e bëhet më i ashpër. Qoftë fjala për qëndrimin ndaj ekstremistëve të djathtë, për aferën e vizave apo për temën e papunësisë - debati politik karakterizohet gjithnjë e më shumë nga fajësimet dhe nxirjet e bëra me zë të lartë. Pa dyshim zgjedhësit nuk presin prej politikanëve shkëmbime të pakuptimta fjalësh, por zgjidhje për problemet e tyre - mendon në komentin e saj Uta Thofern.

default

Ato ishin kohëra, kur politikanët kristiandemokratë dhe socialdemokratë, liberalë dhe të gjelbër e akuzonin njëri-tjetrin vetëm për budallallëk dhe papërgjegjësi. Oh, sa bukur ishte kur "vogëlimaxhi" ishte një prej fyerjeve më të rënda që mund të dëgjoje në parlamentin gjerman e që mund të kalohej vetëm prej thënies së një deputeti të quajtur Joschka Fischer, sot ministër i jashtëm dhe i aftë për të bëra deklarata krejt të ndryshme: "Me nder teje zoti kryetar, je një qelbësirë".

Atëherë kur parlamenti gjerman, siç e pati formuluar një herë ish-kancelari Helmut Schmidt, ishte ende arenë e "sportit luftarak" politik, luhej rëndë: me ndërhyrje të parregullta dhe dëmtime; atëherë nuk ishte e pazakonshme ta lidhje kundërshtarin politik me terroristët. Përse vallë duken thuajse mallëngjyese fjalosjet politike në Gjermaninë e fundit të shekullit XX?

Kampe politike ka pasur gjithnjë në Gjermani me luftë përkatëse llogoresh, trup me trup. Acarimi dhe zmadhimi janë pjesë e veglave të punës në ballafaqimin politik. Për sa kohë shtytja vjen nga bindjet politike dhe në thelb bëhet fjalë për çështjen, diskutimi i ashpër nuk e dëmton kulturën politike; përkundrazi, ai mund t'i japë ndeshjes politike besueshmëri nëpërmjet pasionit.

Por në parlament nuk ka më diskutim. Me kohë politika e vërtetë zhvillohet në komitete dhe komisione; talkshow-ët televizive dhe paraqitjet për shtypin në apo përpara qendrave partiake e kanë zëvendësuar parlamentin gjerman si tribunë politike. Vlerë ka citati "i mirë", pra ai i forti, pavarësisht nga pasojat ndoshta katastrofale ndaj së përbashktës së demokratëve. Kjo e përbashkët rrënohet prej nxirjes pa e vënë ujët në zjarr të kampit politik kundërshtar.

Duke kërkuar me çdo kusht vëmendjen e opinionit, me vështrimin tek zgjedhjet e radhës në nivel landi, lojtarëve politikë u shpëton synimi i mirëfilltë, në rast se kanë një, gjë që sa vjen e vihet në dyshim prej zgjedhësve në Gjermani. Kryetari i kristiansocialëve e akuzon qeverinë se ka faj për fuqizimin e partisë së skajit të djathtë NPD, sepse nuk ndërmerr mjaft kundër papunësisë. Partia qeverisëse socialdemokrate e hedh poshtë propozimin e opozitës për të lidhur një pakt kundër papunësisë si shenjë shtirjeje dhe shthurjeje morale - tekefundit, argumenton ajo, opozita kërkon vetëm të cungojë të drejtat e punëmarrësve.

Kandidati numër një i kristiandemokratëve në zgjedhjet e radhës në nivel landi dallon tek afera e vizave e Joschka Fischer-it "shkeljen më të rëndë të të drejtave të njeriut që në 1945-ën", derisa ministri i jashtëm përgjegjës i akuzon tërthorazi për racizëm kritikët e vet. Dhe së fundi sekretari i përgjithshëm i kristiansocialëve nuk druhet t'i ngarkojë bashkëfajësi kancelarit për vrasjen këtë kohë të një fëmije, sepse Gerhard Schröder-i nuk i ka shtrënguar ligjet kundër keqbërësve seksualë pas incidentit të fundit spektakolar. Pra qoftë fjala për ekstremistët e djathtë, papunësinë, abuzuesit e fëmijëve apo kriminalitetin e kontrabandimit, gjithnjë lihet përshtypja se duhet luftuar vetëm kundërshtari politik dhe pastaj problemi zgjidhet.

Rezultatet vazhdimisht të ngushta të zgjedhjeve kohët e fundit të çojnë gabimisht tek teoria se kampet politike dhe frontet po ashpërsohen. Kërkimi bashkarisht për zgjidhje, në përgjithësi kërkimi i të përbashkëtave: ky model duket se ka marrë fund. Njëfarësoj gjithnjë sigurohet një shumicë për qëndrimin tënd, siç sapo e vërtetuan përsëri zgjedhjet për landin Schleswig-Holstein. Pikërisht atje ndarja e elektoratit mund të kuptohej edhe si porosi për formimin e një koalicioni të gjerë. Në vend të kësaj të dyja palët e akuzojnë njëra-tjetrën për mospërfillje dhe keqpërdorim të të drejtave demokratike bazë, sipas qejfit.

Në një vend me 5,2 milion të papunë dhe varfëri në rritje tek fëmijët njerëzit presin përgjigje nga politika - jo nxirje, kriminalizim dhe skandalizim të kundërshtarit politik. Në rast se politika vazhdon t'i refuzojë zgjidhjet nuk do të shtohet vetëm refuzimi për të votuar dhe velja nga politika. Me parrulla të thjeshta do të përfitojnë partitë ekstremiste. Kryetari i të gjelbërve Reinhard Bütikofer ka thënë: "Kush e kthen njollosjen e emrit në mjet sistematik të politikës, ai dhunon demokracinë." Kjo është e vërtetë, dhe vlen për të gjithë.

  • Data 04.03.2005
  • Autor Uta Thofern
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar4O
  • Data 04.03.2005
  • Autor Uta Thofern
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar4O