Si duket sot gjendja e të drejtave të fëmijëve? | Shoqëria & Kultura | DW | 06.10.2009
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Shoqëria & Kultura

Si duket sot gjendja e të drejtave të fëmijëve?

20 vjet më parë, në nëntor 1989, Deklarata e Përgjithshme e të Drejtave të Njeriut u përmirësua për të gjithë njerëzit nën 18 vjeç, dhe këta përbëjnë jo pak, por mbi një të tretën e popullsisë së Tokës.

Në Berlin, fëmijët duke festuar për konventën e të drejtave të tyre

Fëmijë që festojnë në Berlin për konventën për të drejtat e tyre

Të gjithë njerëzit janë të barabartë dhe kanë të njëjtat të liri dhe të drejta. Kështu thuhet në Deklaratën e Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut të vitit 1948. Barazia e të gjithë njerëzve vlen shprehimisht sipas deklaratës "pa dallim p.sh. race, ngjyre lëkure, gjinie, gjuhe, besimi, botëkuptimi politik a tjetër, prejardhjeje kombëtare apo sociale, pasurie, lindjeje apo tjetër". Megjithatë, autorët e deklaratës së të drejtave të njeriut nuk menduan atëherë për një veçori dalluese, për moshën. Eshtë fjala për të drejtat e të gjithë njerëzve nën moshën 18 vjeç. Se përse nevojitet në radhë të parë konventa për të drejtat e fëmijëve, këtë e shpjegon Helga Kuhn, zëdhënëse për shtyp e Fondit të Emergjencës të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, UNICEF.

Fëmijë kanë nevojë për mbrojtje të veçantë

" Ja që fëmijët nuk janë të rritur. Ata nuk janë në gjendje të bëjnë gjithçka, që bëjnë të rriturit. Ata kanë nevojë për mbrojtje të veçantë, prandaj u duhet edhe një mjedis i veçantë, që i mbron. Për sigurimin e kësaj përgjigjen të rriturit. Prandaj është i nevojshëm përcaktimi, që fëmijët kanë të drejta të tyre, në mënyrë që të sigurohet vënia në jetë e tyre."

UNICEF-Organizatë e OKB-së për të drejtat e fëmijëve

UNICEF-Gjermani, Organizatë e OKB-së për të drejtat e fëmijëve

54 pikat e konventës gërshetojnë për të parën herë në një marrëveshje ndërkombëtare me karakter detyrues të drejtat civile politike, kulturore, ekonomike dhe sociale të fëmijëve. Me konventën për të drejtat e fëmijëve të gjithë banorët nën 18 vjeçarë të botës morën të drejta të garantuara për mbijetesë, zhvillim, mbrojtje dhe pjesëmarrje. Ndër marrëveshjet e shumta ndërkombëtare, që janë arritur që prej themelimit të Kombeve të Bashkuara në vitin 1945 konventa për të drejtat e fëmijëve qëndron, të paktën në letër, në krye.

" Konventa e OKB-së për të drejtat e fëmijëve është konventa e ratifikuar më shpejt prej shumicës së shteteve. Me përjashtim të SHBA-së dhe të Somalisë ajo është ratifikuar prej të gjitha shteteve, do të thotë ajo vlen atje."

Por bilanci i zbatimit të konventës nuk duket dhe aq i mirë

" Nga njëra anë është rritur vetëdija për shkeljet e të drejtave të fëmijëve. Ndërkohë shihet si krim dhe pjesërisht dënohet angazhimi i fëmijëve në luftë, shfrytëzimi seksual dhe nëpërmjet punës së rëndë. Por këto janë edhe probleme, që do të kërkojnë ende kohë për t'u zgjidhur dhe me të cilat duhet të punojmë shumë."

Fëmijë të infektuar me HIV në spitalin Addis Abbeba

Fëmijë të infektuar me HIV në spitalin Addis Abeba

Për luftimin e shfrytëzimit të fëmijëve për shërbim ushtarak si dhe për trafik njerëzish, prostitucion dhe pornografi janë nënshkruar tashmë dy protokolle shtesë për konventën e të drejtave të fëmijëve. Por deri tani këto protokolle shtesë janë ratifikuar vetëm nga më pak se një e treta e të gjitha shteteve.

UNICEF: Fëmijët me SIDA të diskriminuar kundrejt të rriturve

Fëmijët vazhdojnë të diskrimohen qartë kundrejt të rriturve për sa i takon luftimit të SIDA-s. Këtë e vërteton një studim i publikuar në fund të shtatorit 2009 bashkarisht nga UNICEF-i, Organizata Botërore për Ushqimin dhe Programi i OKB-së për Luftimin e SIDA-s. Sipas tij, fëmijët e infektuar me HIV vazhdojnë të marrin ndjeshëm më pak ndihmë mjekësore sesa të rriturit. Kjo në një kohë që me trysninë e UNICEF-it dhe të organizatave të tjera për të drejtat e fëmijëve vitet e fundit sipërmarrjet farmaceutike kanë prodhuar barna specifike për fëmijët e infektuar me HIV.

UNICEF-i druan se kjo gjendje alarmuese e të drejtave të fëmijëve mund të keqësohet edhe më shumë prej krizës ekonomike.

Autor: Andreas Zumach/Elert Ajazaj

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi

  • Data 06.10.2009
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Jz02
  • Data 06.10.2009
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Jz02